Gjiknuri në Elbasan: Më 14 maj konfirmojmë rrugën drejt zhvillimit

91
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin e Bashkisë Nuri Belba zhvilluan një takim me banorët e Rrajcës në Elbasan, me të cilët ndanë projektet e investimeve për 4 vitet e ardhshme. Numri dy i socialistëve theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkisë për të çuar përpara projektet e nisura.

“Qytetarët e Prrenjasit duan të vazhdojnë rrugën e nisur me bashkinë e drejtuar nga Partia Socialiste dhe me qeverinë e Edi Ramës. Kjo është zgjedhja jonë. Kemi hyrë në një proces rruge që na çon përpara. Ne këtë rrugë duhet të vazhdojmë dhe duam ta vazhdojmë së bashku. Prandaj them që në 14 Maj ne duhet ta japim qartë këtë mesazh dhe t’i nxjerrim përfundimisht në pension politik ata dy personazhe që i janë ngjitur Shqipërisë ndër vite dhe që e pengojnë në rrugëtimin e saj europian dhe drejt zhvillimit. Çelësi i suksesit dhe kyçi që mund të garantojë këtë gjë është mbështetja nga qeveria shqiptare. Prandaj në 14 Maj ne duhet të konfirmojmë edhe njëherë këtë binom bashki – qeveri”, -tha Gjiknuri.

Gjiknuri siguroi se e gjithë kjo zonë do të njohë një zhvillim ekonomik falë projekteve të shumta që do të realizohen.

“Tashmë me riaktivizimin, rigjenerimin ekonomik, mbylljes së problemeve që kishim me tërmetin tashmë ne do kemi mundësi që të financojmë më shumë vepra për të gjitha bashkitë e vendit. Dhe patjetër Prrenjasi që është i vendosur në një nyje shumë strategjike siç është “Korridori 8”, patjetër që meriton më shumë. Këtu kemi një garanci. Prandaj them duhet të ‘çimentojmë’ me zgjedhjen tonë marrëdhënien bashki – qeveri, kemi qeverinë shqiptare, Edi Ramën edhe unë si Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe përfaqësuesi juaji me qëllim që të adresojmë gjërat hap pas hapi nevojat”, shtoi më tej drejtuesi politik i qarkut Elbasan.

Sekretari i Përgjithshëm i PS u ndal dhe në alternativën përballë që përfaqësohet nga Berisha dhe Meta. Gjiknuri theksoi se qëllimi i vetëm i opozitës është bunkerizimi i bashkisë dhe punësimi i militantëve të saj.

“Përballë kemi alternativën dyshen Berisha – Meta, kjo është dyshja përballë. Kjo është ‘martesa’ e re politike që është bërë në Tiranë dhe që ka shtrirë tentakulat dhe ka sjellë kandidatë në të gjithë Shqipërinë. Vetë Likja e ka sjellë kandidat. Ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë bashki e drejtuar nga Ilir Meta. Plan s’ka ajo, ekonomik, e vetmja gjë që do bëjë ajo, të heqë disa nga puna të fusë ca në punë. Do bëjë një spastrim atje në bashki për të futur ca militant të PD-së edhe ish – LSI. Kaq, ky është plani i vetëm. Në 14 Maj nuk ke ku i kap më ato njerëz. Kështu që mos i hani ato lloj mashtrimesh. Gjëja e parë që do bëjë bashkia sikur larg qoftë të bjerë në duart e të tjerëve është bunkerizim, ndërprerje të çdo bashkëpunimi me qeverinë, përgatitje për mitingje për Saliun dhe për Ilirin”,- nënvizoi ai.