Gjiknuri  fal 56 milionë dollarë 43 HEC-ve private

746
Sigal

Skandali, 43 koncesione HEC-esh të paligjshme e abuzive, janë futur nën “kujdestarinë e mbrojtjes korruptive të ministrit të përkëdhelur të “Rilindjes”, a thua se OSHEE- në e ka pronë të familjes

Në datën 9 shtator, të vitit 2013, kur biznesmeni “rilindës” Damian Gjiknuri “veshi kostumin” e ministrit dhe vendosi dorën e betimit mbi Kushtetutë, për zbatim të saj dhe ndershmëri në detyrë, mes të tjerash deklaroi: “Do të shkul me rrënjë koncesionet mafioze në energji dhe do të çoj në pranga gjithë abuzuesit e përfituesit e paligjshëm”. Në 18 muajt që ka hipur në kolltukun e ministrit, Gjiknuri jo vetëm nuk ka nisur “betejën ligjore” me ata që dhanë koncesionet, por ka nisur kështu, ka nisur miqësinë e madje ortakërinë me ata që kanë përfituar koncesionet. Nga veprimtaria e tij “bashkëpunuese e mirëkuptuese” me koncesionarët e HEC-ve, duket qartazi që ai është bërë dhe po mbahet si ministër, për të krijuar “vatra biznesi” për vete dhe klanin që i përket. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet fakti që prej 1 viti, ka bllokuar zbatimin detyrave të lëna prej KLSH, me Akti-Kontrollin Nr. 8, datë 10.02. 2014 mbi abuzimet në koncesionet e ndërtimit dhe aktivitetit të HEC-ve private. Nga akt-kontrolli rezulton se ka abuzime, amendime ligjesh që mbështesin vjedhjet në prodhim energjie, ndryshime afatesh fiktive futjeje në prodhim, caktim tarifash e kapacitetesh më të ulëta se kapacitetet reale sipas fuqive teknologjike të HEC-ve, mos shlyerje detyrimesh fiskale etj. Këto abuzime, që në gjuhën ligjore quhen krim i paramenduar ekonomiko-financiar, nuk po çohen për ndëshkim prej ministrit Gjiknuri, duke u bërë mburojë e abuzuesve. Sipas kontrollit të KLSH për realizimin e kontratave koncesionare për ndërtimin e HEC-ve është konstatuar se me miratimin e projekt-zbatimit, për 24 HEC-e është ulur qëllimisht sasia e prodhimi vjetor të energjisë elektrike, duke shkelur Ligjin Nr. 9663, datë 18. 12. 2006 “Për koncesionet” (i ndryshuar) dhe VKM Nr. 27, datë 19. 01. 2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe dhënies së koncesioneve”, duke ndryshuar nivelin e prodhimit më pak se sa kontrata e nënshkruar, konkretisht është shkelur Neni nr. 28 i Kontratës Koncesionare. Pas kontrollit, KLSH ka lënë detyrë që ministri Gjiknuri brenda javës (datë 17. 02. 2014) të urdhërojë caktimin e masës së prodhimit të këtyre HEC-ve, sipas sasisë së prodhimit vjetor të energjisë që kanë miratuar Kontratat Koncesionare ditën e shpalljes së tyre fitues. Ministri Gjiknuri, prej 1 viti pas lënies së detyrave prej KLSH, nuk po detyron shoqërinë koncesionare “BEG SPA” (Kalivaç), të të arkëtoj në llogarinë e shtetit shqiptar, garancinë e kontratës në vlerën 4 milionë Euro, duke shkelur kështu Nenin nr. 15.3 të kontratës së koncesionit, lidhur në formën “BOT”, midis ministrisë së energjisë dhe shoqërisë koncesionare “BEG SPA”, për ndërtimin e hidrocentralit të “Kalivaçit”, HEC ky që ka mbetur peng dhe është “viktimë” disavjeçare e shumë shtesave në VKM nr. 222, datë 24.05.1997, botuar në Fletoren zyrtare ekstra nr. 19 të Qershorit 2005, me amendim në VKM nr. 590, datë 02.11.2000, botuar në Fletoren zyrtare nr. 36, datë 15.11.2000 dhe me ndryshim të VKM nr. 363, datë 06.06.2007, ende edhe sot… i pa botuar në Fletoren Zyrtare. Ministri Gjiknuri ka bllokuar pagesën e këtij detyrimi prej 4 milionë euro, duke nxjerrë një “urdhër shtyrje” e rishikimi deri në vitin 2016, ndërkohë që afati për të bërë këtë pagesë është lënë deri brenda muajit mars 2014 dhe pa asnjë të drejtë negocimi ministri-firmë koncesionare! Po kështu, ministri Gjiknuri ka bllokuar veprimet ligjore dhe aktin detyrues të lënë prej KLSH, për të detyruar shoqërinë koncesionare “Bpa”, të plotësonte kapitalin fillestar minimal prej 15 milionë Euro depozitë bankare, sipas Nenit nr. 13 të Kontratës Koncesionare, vlerë të cilën nuk e ka paguar dhe nuk po e paguan as 1 vit pas detyrës së lënë nga KLSH, për shkak të urdhrit të ministrit Gjiknuri për të shtyrë afatin deri në dhjetor 2016. Skandalet e ministrit Gjiknuri me abuzimet e bëra nga koncesionarët e HEC-ve, vazhdojnë me mos detyrimin e këtyre firmave, për të shlyer tarifën financiare që koncesionarët fitues të HEC-ve, duhet të paguajnë në buxhetin e shtetit për Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve në zbatim të VKM nr. 191, datë 22.03.2012, (ndryshim i VKM nr. 150, datë 22.03.2007). Vlera e papaguar dhe që ministri Gjiknuri nuk po urdhëron të paguhen, arrin shifrën lerën 1 miliardë, 113 milionë, 730 mijë e 319 lekë, ose (afërsisht 11 milionë, 137 mijë e 303 dollarë, detyrim që duhej paguar prej koncesionarëve fitues të HEC-ve. Skandali me këtë vlerë mbi 11 milionë dollarë, qëndron në faktin se pas kontrollit të KLSH në 10 shkurt 2014, kjo vlerë është “fshirë” si detyrim me urdhër privat të ministrit Gjiknuri, në favor të koncesionarëve të HEC-ve, ndërkohë që ky është detyrim ndaj buxhetit të shtetit, që vilet prej Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve e jo prej ministrisë “Gjiknuri”.  Kujtojmë, që Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, që prej daljes së VKM nr. 191, datë 22.03.2012 e deri sot, po vazhdon të kërkojë pagesën e kësaj vlere, por koncesionarët e HEC-ve tregojnë “amnistinë financiare të bërë privatisht e jashtligjshmërisht nga ministri Gjiknuri. Skandali “Gjiknuri” vazhdon më tej, me manovrën e tij për të shmangur 24 koncesionarë HEC-esh, nga detyrimi për të shlyer dëmin ekonomik të shkaktuar gjatë aktivitetit të tyre koncesionar. Janë 595 milionë, 146 mijë e 011 lekë të reja abuzim nga 24 shoqëri koncesionare energjie elektrike, detyrim ligjor kontraktual ky, i pa paguar nga firmat koncensionare. Skandali qëndron në faktin, se me “leje” të ministrit Gjiknuri, kjo vlerë muk është kontabilizuar dhe nuk është paraqitur në evidencën kontabile të ministrisë, duke u mbajtur thjesht si “evidencë rezervë” nga Drejtoria e Monitorimit të Kontratave, ndërkohë që vetëm humbja nga kjo fshehje detyrimi është në shifrën 207 milionë, 949 mijë e 656 lekë të reja vetëm për vitin 2013 dhe 233 milionë, 119 mijë e 435 lekë të reja për vitin 2014. Një tjetër skandal me emrin “Gjiknuri”, lidhet me faktin që ministri nuk ka dërguar ende as 1 shkresë në KESH, për ta detyruar këtë kompani shtetërore të paguajë detyrimin 48 milionë, 045 mijë e 049 lekë të reja, si pagesë ligjore për prodhimin e realizuar dhe të shitur nga KESH, vlerë e cila as është derdhur në buxhetin e shtetit e as është pasqyruara në bilancet financiare të KESH. Sa për kujtesë, KLSH ka “zbuluar” se ky detyrim i KESH nga buxhetit të shtetit, nuk pasqyrohet prej 11 vitesh në bilancet kontabile, madje as për vitin 2014! Ministri nuk vepron ndaj kësaj zhdukjeje financiare! Çudia e skandaleve të ministrit Gjiknuri me koncesionarët e HEC-eve, shfaqet në një rast tipik informaliteti, ku ekziston HEC në terren, por me letra nuk ekziston HEC në dosjet e ministrisë! Thuhet se kjo dosje është zhdukur në qershor 2014 prej klanit “Gjiknuri” me urdhër të Gjiknurit, klan që ka uzurpuar kupolën e Ministrisë së Energjisë, të përfshirë në pazare interesash me koncesionarët e HEC-ve. Skandali HEC ekziston, por dosja e procedurës së dhënies me koncesion nuk ekziston bën fjalë për “HEC-in Bllic” Peshkopi, dosje e cila nuk gjendet as në arkivin e administratës në ministrinë “GJiknuri”. Mësohet se ministri Gjiknuri, ka urdhëruar të përgatitet dosja me urgjencë, ashtu siç i intereson koncesionarit. Përse u zhduk dosja? Një tjetër skandal lidhur me dokumentacionin ligjor të HEC-ve private, zbulohet në aktivitetin e HEC-it “Gizavesh”-Librazhd, koncesion ky që ka nisur dhe po vazhdon aktivitetin pa licencë. Ministri Gjiknuri, ka dhënë urdhër që ky HEC të vazhdojë aktivitetin edhe pse është pa licencë ndërtimi e prodhimi, duke krijuar dosje fiktive licencimi për këtë HEC, që thuhet se ka “interesimin” e deputetit Balla. E për të fshehur paligjshmërinë e HEC-it “Gizavesh”, po veprohet me një kontratë koncesioni të formës “BOO”, të lidhur më datë 15.01.2005 (nuk kishin nisur koncesionet e HEC-eve), përfaqësuar në ministrinë Gjiknuri me tjetër pronar-koncesionar, kontratë që nuk njihet dhe nuk është monitoruar e nuk po bllokohet nga Gjiknuri. Dhe ja shkresa e ministrisë “Gjiknuri”, që e thellon skandalin: “Organi Shtetëror i Autorizuar (OSHA) merr përsipër të ndihmojë koncesionarin në finalizimin e një marrëveshje afatgjatë me KESH, për shitjen e energjisë elektrike, për aq sa kohë që KESH, të jetë me kapital tërësisht shtetëror”! Nuk ka nevojë për koment! Prej 1 viti nga KLSH dhe prej 16 muajsh nga subjekte të interesuar, Ministri Gjiknuri në tavolinë shkresën dhe ankesën për shfuqizimin e Procedurës Konkurruese, si dhe hapjes e vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë koncesionare të HEC-it “Denas” në Korçë. Kontrata koncesionare e formës “BOT”, për ndërtimin e këtij HEC-i është lidhur midis ministrisë “Gjiknuri” dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Re” me Nr. 62 dhe Nr. 10 kol., datë 03. 04. 2013, duke praktikuar një proces abuziv deri me shkelje ligji dhe pranim oferte me falsifikime letrash konkurruese nga Komisioni Vlerësimit të Ofertave (KVO), duke përjashtuar nga gara një bashkim tjetër koncesionar me emrin “Eia”. Këtë dosje, ministri Gjiknuri nuk po e bën pjesë të analizës dhe trajtimit për ta shfuqizuar si kontratë. Po kështu, ministri ka në tavolinë edhe dosje të tjera të paligjshme koncesionesh të HEC-ve të përroit të Lusës, në Burrel e të e HEC-it “Gizavesh”-Librazhd, koncesione këto, të dhëna në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar, VKM nr. 27, datë 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, i ndryshuar, Kreu IX, neni 2, paragrafi “f”, dhe paragrafi “c”. qysh prej muajit shkurt 2014, ministri Gjiknuri, nuk zbaton detyrën e lënë nga KLSH, për të detyruar shoqëritë koncesionare të HEC-ve, për të shlyer penalitetet e vonesës së nisjes së ndërtimit të HEC-ve, në masën 0.005% tё vlerёs sё investimit pёr çdo ditё vonesё, vlerë kjo që ka shifrën 84 milionë, 904 mijë e 880 lekë të reja për 13 shoqёri koncesionare. Këtë shumë, sipas informacioneve të “Telegraf”, firmat nuk e paguajnë mbasi prej ministrit Gjiknuri, kanë marrë garanci për “rishikim faljeje”. Një tjetër penalitet financiar që nuk po shlyhet me ndërhyrjen e ministrit Gjiknuri është edhe mosrealizimi i investimeve në HEC-e, në afatet e parashikuara sipas kontratave koncesionare, penalitete të caktuara në masën 10% të vlerës së investimit të munguar, gjithsej në shumën 577 milionë, 826 mijë e 539 lekë të reja, të cilat duhet të arkëtohen nga 10 shoqëri koncesionare. Për fshehje dhe mos realizim të prodhimin vjetor në HEC-et private, parashikuar sipas kontratave koncesionare, janë vendosur penalitete financiare për 8 shoqëri koncesionare në vlerë totale 38 milionë, 980 mijë e 406 lekë të reja. Këto vlera financiare që koncesionarët e HEC-ve i detyrohen shtetit shqiptar, shkojnë në mbi 42 milionë dollarë. Prej 1 viti nuk paguhen, mbasi koncesionarët kanë “amnisti” dhe mbrojtje, “mikun e ri të koncesioneve”,  ministrin Damian Gjiknuri…

Përparim HALILI