Gjermeni i bashkohet aksionit të OSHEE: Sfidë e shoqërisë

524
Sigal

“Sfida e energjisë elektrike nuk është vetëm e Qeverisë Rama por e të gjithë shoqërisë shqiptare”. Kështu deklaroi  ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni ndërsa iu bashkua aksionit të ndërmarrë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kundër abuzimeve dhe vjedhjes së energjisë elektrike .

“Bashkë me OSHEE – në jemi në terren për të parë si po vazhdon aksioni. Kjo është një sfidë e madhe jo vetëm e Qeverisë Rama por e të gjithë shoqërisë shqiptare për të vendosur një standard tjetër, një shoqëri demokratike ku secili ka përgjegjësi, ka të drejta, por ka dhe detyrime. Ne jemi në përkrahje dhe në mbështetje të atyre që paguajnë energjinë elektrike sepse mendojmë që kjo është një përgjegjësi qytetare. Doja të falënderoja të gjithë qytetarët dhe bizneset që po na mbështesin në këtë aksion të rëndësishëm”, deklaroi Gjermeni.

Ministrja tha se të gjitha arkëtimet e përfituara nga lidhjet e paligjshme mund të përdoren për më shumë investime publike në zonat urbane dhe rurale të vendit.

“Dua të jap vetëm një shembull për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve. Në fazën e parë me 8 miliard lekë, Qeveria Shqiptare mbështeti 87 projekte që po i ndryshojnë fizionominë urbane shumicës së qyteteve shqiptare. Me 150 milionë euro, 2.5 herë më shumë fonde mund të përdoreshin për investime publike në zonat urbane dhe rurale, duke krijuar më shumë punësim, më shumë zhvillim ekonomik, më shumë zhvillim të qëndrueshëm të turizmit”, theksoi Gjermeni.