Banorët e Laprakës kallëzojnë në SPAK firmën Salillari, akuzohet për përfitim në tendera të paligjshëm

122
Sigal

Banorët e zonës së Laprakës kallëzojnë në SPAK firmën Salillari.

Banorët e Laprakës kanë protestuar prej disa ditësh në zonën ku janë projektuar të shemben shtëpitë e tyre të cilat sipas projektit, janë pengesë për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Kallëzimi në SPAK për Kadastrën dhe firmën Salillari sipas banorëve është bërë për mosveprim dhe veprim me vonese për legalizimin e banesave të cilat janë vonuar 17 vite si dhe për përfitim në tendera të paligjshëm.

‘Kemi vendosur t’i drejtohemi SPAK me një kallëzim penal ndaj Kadastrës dhe Salillarit që ka fituar këtë tender, për të cilin ne kemi dyshime.

Kallëzimi është depozituar në SPAK. Banorët kanë që në 2006 që presin të legalizohen banesat e tyre. Nuk kemi asnjë procedurë ligjore’, – deklaruan banorët.

Një tjetër banor tha për mediat se përgjigjet e legalizimeve kanë ardhur shumë vonë. Banorët në këtë zonë të kryeqytetit kanë bërë kërkesë në vitin 2005 dhe përgjigja ka ardhur para 1 jave. Ai tha se nuk janë kundër projektit, por para se të ndërmerren operacione duhet pikësëpari të zgjidhen ngërçet e krijuara.

‘Banesat atje janë ndërtuar në vitin 2000 ndoshta më herët. Është kthyer përgjigja për skualifikim para 1 jave. Ne duam që projekti të bëhet, por duam të ketë një respektim ligjor.

Të merren masat e duhura për t’i ardhur në ndihmë banorëve që i preken banesat. Duam që para se të nisin shembjet të merren masat dhe më pas të vijohet. Ne jemi pro projektit, por kostoja që na kanë ofruar është e lartë.

Ligjet shqiptare po shkelen me të dyja këmbët. I bëj thirrje institucioneve të dialogojnë t’i japin zgjidhje e më pas të vazhdohet me projektin’- u shpreh banori.