Gjermani/ Ja profesionet ku e keni të sigurtë punësimin

1840
Sigal

Gjermania ofron mundësi të shkëlqyera në tregun e punësimit vendas për profesionistë të huaj të kualifikuar dhe trajnuar në disa profesione të caktuara. Ekonomia gjermane ka pasur një zhvillim të madh në vitet e fundit për sa i përket disa sektorëve dhe për këtë arsye është rritur nevoja për burime njerëzore në tregun e punësimit. Ambasada Gjermane në Shqipëri ka udhëzuar qytetarët shqiptarë në lidhje me aplikimin për punësim duke paraqitur punët me të kërkuara në shtetin gjerman. Qeveria gjermane po planifikon një akt specifik emigrimi për profesionistët e kualifikuar të huaj. Ky ligj pritet ta bëjë më të lehtë aplikimin për një punë të qytetarëve të huaj. Kushtet kryesore për çdo person që të ketë mundësi të aplikojë ka të bëjë me: Mungesë të fuqisë punëtore në një sektor të caktuar, personi që aplikon duhet të ketë një ofertë pune nga një kompani gjermane, dhe njohja e diplomës së shtetit përkatës nga shteti gjerman.

10 Punët më të kërkuara në Gjermani

  1. Krijues dhe programues softueresh
  2. Inxhinier elektronik dhe elektrik
  3. Infermier dhe Mjek
  4. Konsulent dhe analist i IT
  5. Ekonomist, administrim biznesi
  6. Konsulent
  7. Asistent prodhimi
  8. Asistent dhe përfaqësues shitjesh
  9. Menaxher prodhimi dhe shitjesh
  10. Arkitekt

Sektorët dhe profesionet ku ofrohen mundësitë më të mira

Mjekësia

Në spitalet gjermane ka rreth 5 mijë vende të lira pune për mjekë dhe infermierë. Gjithashtu personat e kualifikuar në kujdestarinë e të moshuarve ose fëmijëve kanë mundësi të mirë punësimi në familjet gjermane. Që prej vitit 2012, çdo person që nuk është një shtetas gjerman, i cili ka një diplomë në fushën e mjekësisë mund të pajiset me një licencë për të punuar në Gjermani. Kjo është e vlefshme për çdo shtetas pjesëtar ose jo pjesëtar të Bashkimit Evropian. Kushti i vetëm është njohja e diplomës së shtetit përkatës nga shteti gjerman.

Profesionet inxhinierike

Shumë kompani në Gjermani janë në kërkim të teknikëve në fushën e inxhinierisë. Përparësi kanë specialistë të fushës së mekanikës, automobilistikës, inxhinierisë elektrike, shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit.