Nëse është problem parash, nuk është problem për qeverinë e popullit më të varfër të Europës.
Prandaj edhe qeveria e Edi Ramës do të paguajë 7 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për të sjellë në Shqipëri “Giro d’Italia”, garën e famshme të ciklizmit që jemi mësuar ta ndjekim nga ekrani i Rai.
Pensionistët marrin thërrime!
Vendimi është marrë tashmë, pensionet do të indeksohen me vetëm 4.1 për qind në muajin tetor. Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.
Në maj të vitit tjetër, raporton La Repubblica “Giro d’Italia” zhvendoset në Shqipëri pasi qeveria Rama është gati të paguajë shumën e duhur. Në ndërkohë, raportet ndërkombëtare e rendisin popullin shqiptar si më të varfërin në rajon dhe në Europë, ndërsa rritja më e fundit për pensionistët ishte vetëm 4 mijë lekë të vjetra.
Megjithatë pensionistët do të kenë luksin të shohin nga ekranet e televizioneve shqiptare atë që deri dje e shihnin tek ato italiane. Për më tepër, gara do të zhvillohet në maj 2025 kur do të jetë edhe kulmi i fushatës së ardhshme për zgjedhjet parlamentare, koha më e mirë për “cirk dhe bukë”.
Artikulli i La Repubblica:
“Xhiro nuk ka nisur asnjëherë në anën tjetër të Adriatikut dhe do ta bëjë këtë në 9 majin e ardhshëm, në Tiranë. Në ditët e marrëveshjeve, mirëkuptimeve dhe protokolleve mbi lëkurën e emigrantëve, Shqipëria dhe Italia po afrohen edhe më shumë falë sportit dhe çiklizmit: edhe në Tokën e Shqiponjave tradita e çiklizmit është zero. Kjo ka pak rëndësi. Largimet nga jashtë garantojnë të ardhura më të larta ekonomike për organizatorët, por janë gjithashtu, çuditërisht, një zë i politikës së jashtme që nuk është gjë tjetër veçse dytësor, nëse është e vërtetë që vitet e fundit “Giro d’Italia” ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me qeverinë. Xhiro e fundit u sponsorizua direkt nga Ministria e Jashtme. Prandaj Shqipëria do të marrë përsipër barrën dhe nderin të shohë të mëdhenjtë e çiklizmit në rrugët e saj. Dhe emrat që premtojnë këto ditë janë ata të Rogliçit, Vingegaardit, Pogacarit dhe Evenepoelit. Të gjithë, ose disa prej tyre do të jenë në rrugët rozë të Tiranës.