Gëzim Zilja: Varu poshtë zoti kryeministër!

Në kushtet e pandemisë botërore çdo shtet rreket të ndërtojë taktikat dhe strategjitë e veta në bazë të kushteve të shkollave dhe buxheteve që disponojnë, duke hartuar plane A, B dhe C.  Ndërkaq në Shqipëri, qeveria vazhdon të drejtojë këtë problem me një diletantizëm e papërgjegjshmëri të pafalshme. Në mars ajo nxorri në rrugë ushtrinë me makinat e blinduara e mitralozë. Thua njerëzit nuk dilnin nga frika e makinave të blinduara të policisë e ushtrisë, se po i vriste, e jo se kuptuan që në kushtet e pandemisë duhet të izoloheshin përkohësisht. Dy muaj rresht shqiptarët ndiqnin këshillat e Kryeministrit çdo mëngjes, e Shqipëria po bëhej fener ndriçues në Europë për shifrat e ulta të të sëmurëve dhe vdekjeve. Pastaj erdhi “hapja e madhe,” ku nuk do shumë mend të kuptohet, që sot situata është krejtësisht jashtë kontrollit. Të shohim se ç’ndodh në marketet e vegjël, në dyqanet e tregjet e  fruta-perimeve, furrat e bukës dhe bulmetoret e lagjeve. Shitësit nuk mbajnë maska në pjesën dërrmuese. Kur e pyet shitësin që pse nuk mban maskë, ai përgjigjet me një buzëqeshje alla Shvejk, gjithë dashuri: “-Nuk mbahet tetë orë, të merr frymën”. Kur i thua: “-Pse lejon të hyjnë në dyqan blerës pa maskë, e nga pesë e dhjetë bashkë,” sërish përgjigjet: -“Na zemërohen e ikin klientët.”  Atëherë të vjen të ulërish në kupë të qiellit: Po ku je more kodosh shtet? Po ku jeni more qeveritarë që drejtoni vendin? Këta m… inspektorë të ministrive përkatëse, që paguhen nga populli çfarë bëjnë, nga sallahanen? Sepse është shumë e thjeshtë : Mbyllni një dyqan lagjeje, një furrë buke, vetëm një, që punon pa maska dhe të shikoni sesi vendoset menjëherë rregulli e të mos merren në qafë njerëzit nga të paditurit, dembelët e sypalarët. Dy ditë më parë MASR-ja bëri me dije se ka një draft me plane A, B, C për fillimin e vitit të ri shkollor. Por deri në 30.08.2020 nuk e ka nxjerrë ende Udhëzuesin përfundimtar. Qeveria do të hapë shkollat por është e dhimbshme kur lexon deklaratat shkel e shko të përfaqësuesve të qeverisë për këtë problem.

Sigal

Ministrja deklaron se  mësimi do të bëhet me turne, do të ndahen klasat me nga dhjetë apo njëzet vetë, do të mbahet distancë, do lahen duart dy herë në ditë, do të matet rregullisht temperatura e nxënësve, do mbahen hapur dritaret etj etj. Pyetja ime është: Pse qysh në muajt qershor e korrik nuk u ngritën komisione shtetërorë në të gjitha nivelet me specialistë të ministrive të arsimit, të shëndetësisë  mbi hartimin e rregulloreve në kushtet e pandemisë për shkollat e arsimit parauniversitar? Në fillim të gushtit duhet të ishin gati projekt-rregulloret të firmosura nga komisionet përkatëse dhe të paraqiteshin para titullarëve të ministrive, që t’i diskutonin në bashkitë përkatëse, Drejtoritë Arsimore e komitetet e prindërve. Është kriminale të japësh disa prindër qyqarë nëpër TV që janë dakord të hapen shkollat. Por problemi është sesi do të funksionojnë: me grupe të vegjël e me dy-tre turne thonë nga ministria së arsimit. Po duhet shumzuar me dy e tre personeli mësimor e ai sanitar ?! Duhet të ajrosen klasat thonë ca të tjerë. Po a janë pajisur shkollat me ventilatorë? Po për matjen e temperaturës së fëmijëve a ka aparate për shkollat? Ka një draft u tha dje. Cilët janë anëtarët e komisionit dhe a është diskutuar ky draft me DAR-et e bashkitë? Kur do të dalë Udhëzuesi përfundimtar? A do të mblidhet parlamenti për ta aprovuar dhe çfarë kërkesash buxhetore kanë bashkitë e shkollat lidhur me bazën materiale dhe sasinë e mësuesve shtesë? Ndërkaq në Kosovë, në  Ministrinë e Arsimit, Udhëzuesin “Për organizimin e mësimit 2020-2021 në kushtet e Pandemisë” grupi i punës e ka dorëzuar më 17.07.2020. Pas prezantimit dhe diskutimit public,  ky dokument prej 85 faqesh u aprovua më 10.08.2020 nga ministria  përkatëse, iu shpërnda shkollave dhe u publikua në faqen zyrtare në internet me plane-skenar të detajuar A, B, C. Parlamenti i Kosovës me 26.08.2020, nga kërkesat që dolën aprovoi  një buxhet shtesë për Ministrinë e Arsimi në kushtet e pandemisë. Kosova të paktën nga ana formale është gati për fillimin e vitit shkollor 2020-2021 në kushtet e pandemisë.

Mirëpo ministrja e arsimit shqiptar pasi mbaroi pushimet vazhdon bashkëbisedimet me prindër në f.b ku ata shprehen të kënaqur dhe falënderojnë ministren e qeverinë?! Fillimi i shkollave, pa udhëzues e rregullore specialistësh do të jetë një katastrofë e vërtetë.  Në qytete një përqindje e madhe shkollash (Lere fshatin se nuk është fare në “hartë”.) nuk ka ujë ose vjen me orar. Me fuçi do zgjidhet problemi kanceroz shtatëdhjetëvjeçar i ujit dhe do të sigurohet higjiena e fëmijëve? Fukarenjtë që robtohen për bukën e gojës nuk kanë para për të blerë maskën, për fëmijët, leri të tjerat. Tashmë është vërtetuar se fëmijët janë bartës të coronës edhe kur nuk kanë asnjë siptomë. Në këto kushte  corona mund të bëjë kërdinë në familjet e fëmijëve. Atëherë do të jemi (Zot mba dorën!)  para një seleksionimi natyror dhe nuk ka spital e mjek që përballon gjendjen. Lëri bashkëbisedimet zonja ministre dhe nxirr Udhëzuesin e kërko urgjent fonde shtesë! Dhe ti o Kryeministër, kërko llogari që pse ende nuk ka dalë Udhëzuesi për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 për arsimin parauniversitar dhe a  është diskutuar me bashkitë, DAR-et dhe drejtoritë e shkollave drafti që pretendohet? Dëgjoni vërejtjet e tyre, korigjoni ç’të mundeni dhe para 16 shtatorit dërgoni ME SHKRIM Udhëzuesin për fillimin e vitit shkollor në kushtet e pandemisë. Problemet e Llukashenkos nuk i zgjidh dot as OSBE-ja, as BE-ja e as SHBA-ja. Ato i zgjidh vetëm populli bjellorus. “Varu poshtë” si thonë zgjedhësit e tu, zbriti Rosinantit dhe vihu në krye të punëve. Koha nuk pret. Situata në prag të fillimit të vitit të ri shkollor është e rëndë dhe dhe kjo mund të çojë në katastrofë njerëzore.