Ilir Allkja, mjek i Urgjencës Kombëtare
FAKT: Antibiotikët NUK MUND të parandalojnë dhe as trajtojnë SARS COV-2! Antibiotikët veprojnë vetëm kundër baktereve, dhe jo kundër viruseve. COVID-19 shkaktohet nga një virus, (coronavirus) dhe për këtë arsye antibiotikët nuk duhet të përdoren për trajtimin e tij! Viruset trajtohen me ANTI-VIRALË! E them këtë i shqetësuar nga kombinimet e shumta të antibiotikëve që po përshkruajnë kolegët këto ditë! Tek çdo i sëmurë që kontrolloj gjej “një mal” me barna dhe sidomos dy apo tre antibiotikë. Sapo unë i sqaroj të sëmurët që përdorimi i tyre nuk sjell asnjë dobi në trajtimin e sëmundjes së COVID-19, më thonë me mburrje se m’i ka dhënë filan profesor, filan doktor… Në asnjë nga guidelines, (linjat guidë, drejtuese, orientuese) nuk gjen të indikuar perdorimin e antibiotikëve, pasi shpeshherë e ndërlikojnë situatën, duke ulur imunitetin ose mbivendosur infeksionet kërpudhore! Të nderuar kolegë, profesorë e komitetas, ndalni përdorimin rutinë të antibiotikëve në rastet e dyshuara, apo të konfirmuara me COVID-19! Këtë që them, e keni të nënvizuar në të gjitha guidelines të profesionistëve të mjekësisë në USA, EUROPË e AZI! Mjafton të informoheni! Antibiotikët në të sëmurët me COVID-19 jepen vetëm në kushte spitalore, kur është vërtetuar se ka infeksione bakteriale të mbivendosura! Të nderuar bashkëqytetarë, duhet të dini që kërkuesit e shumtë nëpër botë, ende nuk kanë shpikur ndonjë ilaç që vret virusin COVID-19 dhe as ndonjë vaksinë për parandalimin e tij. Sot për për sot trajtohen, mjekohen vetëm simtpomat e kësaj sëmundje. Sipas parashikimeve të profesionistëve të fushës, fundi i 2020 mund të na gjejë me një trajtim antiviral efikas, dhe një vaksinë për parandalim. Kërkojini gjithmonë mjekut tuaj arsyen përse po ju jep një, dy apo tre antibiotikë! E drejta e informacionit, sqarimeve për kimikatin që po futni në trup, hyn tek të drejtat tuaja themelore!




















