Gati padia e re për ligjin e pronave, Vorpsi: Kundër skemës, ja “hileja” që fshihet pas indeksimit 

29

“Ligji i ri përcakton që vlera e kompensimit të indeksohet nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit deri në publikimin e faturës. Ndërkohë që sipas edhe rekomandimeve të Strasburgut fatura e pronarëve duhet të indeksohet për çdo vit vonesë bazuar në normën e inflacionit, deri në momentin e ekzekutimit të vendimit, apo tërheqjes së kompensimit.”

Sigal

Pronarët nuk pajtohen me ndryshimet e fundit të bëra në ligjin “Për trajtimin e pronave dhe përfundimin e procesit të kompensimit”. Nga “Box to Box” kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi tha se është gati padia e re dhe shumë shpejt do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese.

Por, cilat janë konkretisht pikat apo nenet, të cilat kundërshtohen nga pronarët?

Me skemën që ka nisur të aplikohet prej 1 viti tanimë, pronarët që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, pra që kanë një prone, e cila në kohën e konfiskimit ka qenë tokë bujqësore, do të marrin jo më shumë se 10 për qind të vlerës që ka prona e tyre sot në treg.

Por ky kufizim, tha Vorpsi ka nisur të aplikohet edhe për familjet që nuk preken nga ndryshimi i zërit kadastral.

“Me skemën që ka nisur të aplikohet prej 1 viti tanimë, pronarët që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, pra që kanë një prone, e cila në kohën e konfiskimit ka qenë tokë bujqësore, do të marrin jo më shumë se 10 për qind të vlerës që ka prona e tyre sot në treg. Por ky kufizim ka nisur të aplikohet edhe për familjet që nuk preken nga ndryshimi i zërit kadastral.”

Jo vetëm kaq, sipas kreut të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” do të kundërshtohet edhe mënyra e indeksimit. Ligji i ri përcakton që vlera e kompensimit të indeksohet nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit deri në publikimin e faturës.

Ndërkohë që sipas edhe rekomandimeve të Strasburgut fatura e pronarëve duhet të indeksohet për çdo vit vonesë bazuar në normën e inflacionit, deri në momentin e ekzekutimit të vendimit, apo tërheqjes së kompensimit.

Ligji “Për trajtimin e pronave dhe përfundimin e procesit të kompensimit” është kundërshtuar disa herë në Gjykatën Kushtetuese nga grupet e interesit. Së fundmi ishte Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që paraqiti padi.

Pas pranimit të kërkesës, në fillim të muajit nëntor, Kushtetuesja vendosi të pezullojë zbatimin e ligjit.