Gara për kreun e BKH-së/ Ambasada amerikane thirrje për aplikim: Shqipëria është në hapat e fundit të zbatimit të reformës në drejtësi

555
Sigal

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë thirrje që Prokurorët punonjësit e Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore, të aplikojnë për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Jeni prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore, i gatshëm për të luftuar për drejtësinë që çdo shqiptar meriton?

Jeni person me integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish të nevojshme për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit?

Nëse mendoni se përmbushni kriteret për të drejtuar një institucion të rëndësishëm të programit kundër korrupsionit në Shqipëri, aplikoni për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Shqipëria është në hapat e fundit të zbatimit të reformës në drejtësi. Bëhu pjesë e historisë, apliko tani: https://bkh.al/aplikim/”, “thuhet në reagimin e ambasadës.
Për kreun e BKH-së, kreu i SPAK Arben Kraja deklaroi se duhet një person me integritet, do të trajnohet nga SHBA-ja.

Pak ditë më parë ambasada amerikane në vendin tonë njoftoi se ka dhënë një fond prej 4 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë. Ambasada amerikane theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH),do të veprojë në mënyrë të ngjashme si FBI-ja.

Çfarë është BHK-ja?

BKH është një institucion, i cili do të ndihmojë SPAK në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta.

Ngritja e BKH pritet të bëhet pas ngritjes së SPAK-ut. BKH do të përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI.

Kryeprokurori i posaçëm i SPAK dhe dy prokurorë të Posaçëm do të zgjedhin drejtorin e BKH. Ky drejtor, do të drejtojë ekipet e hetuesve, pasi të jenë zgjedhur për këtë mision.

Atyre do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat përgjatë gjithë kohës, për t’u siguruar se do e zbatojnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.