Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka prezantuar planin e masave sa i takon furnizimit me energji elektrike gjatë sezonit veror. Në këtë prezantim është e pranishme Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ajo u shpreh se e gjithë vëmendja është tek sektori i turizmit, jo vetëm në bregdet, por në të gjithë territorin e vendit. Balluku theksoi se koordinimi i të gjithë aktorëve në terren ka qenë i mirë. Sipas saj, ndërprerjet e energjisë elektrike kanë qenë shumë të pakta, kjo e ndikuar dhe nga avaritë e mundshme.
“Koordinimi ka qenë i mirë deri në këtë moment. Koordinimi në terren ka qenë i mirë. Ndërprerjet janë më të shkurtra”, tha ajo. Ministrja Balluku theksoi se detyra kryesore është shtimi i përpjekjeve për të forcuar rrjetin elektrik në të gjithë vendin. Sipas Ballukut, duhet punuar që turizmi malor të ketë incentiva dhe ndihmë konkrete. Kjo qasje shtoi ajo do të bëjë që emigrantët të zgjedhin të investojnë në zonat e tyre.
“Detyra e parë është forcimi i rrjetit. Duhet të incentivojmë turizmin malor”, tha ajo.