Transportoi 34 kg drogë në bashkëpunim me një person tjetër, arrestohet në Tiranë 36-vjeçari në kërkim

44
Sigal

Policia ka vënë në pranga një 36-vjeçar nga Lezha, i cili ishte shpallur në kërkim për trafikim droge në kuadër të operacionit “Vakumi”.

I dyshuari, së bashku me një person tjetër që u arrestua në flagrancë pesë ditë më parë, akuzohet se transportonte rreth 34 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa.

I arrestuari, Mir Ndoj, u kap në Tiranë teksa udhëtonte me taksi, falë bashkëpunimit mes policisë së Lezhës dhe Komisariatit Nr. 3 në kryeqytet. Ai kishte arritur të largohej gjatë ndërhyrjes së parë të forcave të rendit në fshatin Balldre, duke përfituar nga errësira dhe njohja e terrenit.

Dy personat e përfshirë dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që merrej me kultivimin, prodhimin dhe shitjen e drogës në zonën e Lezhës. Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij grupi.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Vijon operacioni policor i koduar “Vakumi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

5 ditë më parë, në fshatin Balldre, transportonte rreth 34 kg kanabis, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar), kapet në Tiranë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Këta 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal që kultivonte, prodhonte dhe shiste kanabis, në Lezhë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Vakumi”, kanë bashkëpunuar me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat, u kap në Tiranë ndërkohë që udhëtonte me taksi dhe u vu në pranga shtetasi:

Mir Ndoj, 36 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se 5 ditë më parë, në rrugën e fshatit Balldre, në bashkëpunim me shtetasin D. N. (i cili u arrestua në flagrancë), po transportonte rreth 34 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, por gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit, ka mundur të largohet.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.