Vera që sapo ka nisur duket se përveç temperaturave që kane filluar të rriten shoqërohet edhe me viroza të cilat kanë prekur të vegjël e të rritur. “Ka tre jave që kemi vënë re raste të shpeshta të prekur nga virozat, e dhimbje fyti, por edhe me temperaturë të lartë ndryshe nga virozat që jemi mësuar të cilat zgjasin vetëm tre ditë. Këto janë shoqëruar më temperaturë të lartë për disa ditë“, -tha Aida Dema Mara, mjeke pediatre në qendrën shëndetësore nr. 3.
Por nuk mjafton vetëm temperatura e lartë, pasi për shkak të gjendjes virale shumë fëmijë kanë manifestuar edhe konjunktivit të syrit apo siç njihet ndryshe gripi i syrit i cili ka prekur të vegjël e të rritur.
“Kemi parë shumë raste të cilat kanë bërë konjunktivit të syrit i cili është shumë ngjitës jo vetëm nga fëmija tek fëmija por edhe tek të rriturit“, -tha Mara. Mjekët pediatër u kërkojnë nënave që të bëjnë kujdes me ushqimet pasi me rritjen e temperaturave nis dhe shtimi i fëmijëve të prekur nga gastroenteritet dhe viroza të tjera në qarkullim.