Fotot/ Kanali i Çukës, të huajtë ngrenë alarmin: Ndërtimi i godinës 6-katëshe po shkatërron bregun e Sarandës

332
Sigal

Një grup shtetasish të huaj, rezidentë në Shqipëri, kanë ngritur shqetësimin se një ndërtimi i një projekti 6-katësh në bregun e Sarandës, në grykderdhjen e Kanalit të Çukës, mund të dëmtojnë në mënyrë të patjetërsueshme një prej perlave natyrore shqiptare.

Grupi prej më shumë se 20 personash, i përbërë nga shtetas amerikanë, polakë, italianë e rusë, i kanë drejtuar shqetësimin e tyre kryeministrit Edi Rama, nga i cili kërkojnë që të ndalojnë ndërtimin.

Një shqetësim të tillë ia kanë drejtuar edhe Bashkisë së Sarandës, duke i vënë në dukje faktin se ndërtimi i godinës saktësisht në pikën ku takohet bregu i lumit Bistrica me bregun e detit Jon, po kryhet në një zonë të gjelbër, në një prej vendeve më piktoreske të qytetit.

Sipas shtetasve të huaj, të cilët duken shumë të interesuar për natyrën shqiptare, lejimi i ndërtimeve të tilla, në zona të mbrojtura, mund të dekurajojë edhe investimet e huaja, të cilat e shohin bregun shqiptar si një vend me interes të madh turistik.

Në përgjigje të shqetësimit të tyre, Bashkia e Sarandës u ka bërë një historik të rastit, përfshirë edhe përpjekjet institucionale për të ndaluar atë ndërtim.

Megjithatë, deri më tani asgjë nuk ka ndodhur dhe projekti i ndërtimit po vijon.
Historia e kësaj godine daton rreth 11 vjet më parë. Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë një leje ndërtimi në atë zonë, në vijim të dokumentave të një shtetasi që ka deklaruar se ka pronësinë mbi truallin.

Në bazë të kësaj leje ndërtimi, në vitin 2015, një kompani private ka nisur ndërtimin e godinës 6-katëshe. Gjithnjë referuar përgjigjes së Bashkisë së Sarandës, ndërmjet pronarit të tokës e kompanisë së ndërtimit nga njëra anë dhe institucioneve lokale nga ana tjetër, janë zhvilluar një seri procesesh ligjore për lejen e dhënë në vitin 2009.

Në vitin 2018, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Sarandës urdhëroi pezullimin e punimeve për ndërtimin e kësaj godine.

Në korrik 2020, Gjykatës Administrative të shkallës së parë në Gjirokastër vendosi detyrimin e bashkisë së Sarandës për të zgjatur afatin e lejes së ndërtimit për kompaninë ndërtuese, si edhe heqjen e masës pezulluese.

Bashkia e Sarandës, e cila deklaron se ka ankimuar vendimin në Apelin Administrativ në Tiranë, pretendon se vendimi i gjykatës administrative Gjirokastër nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye punimet nuk duhet të vijojnë deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit. Megjithatë, shtetasit e huaj që kanë iniciuar këtë letër-këmbim me Bashkinë e Sarandës, konstatojnë se punimet në terren vijojnë ende. Në një komunikim të dytë me Bashkinë e Sarandës, ata informojnë institucionet lokale se, pavarësisht betejave ligjore në zhvillim, ndërtimi i godinës 6-katëshe në Kanalin e Çukës është në proces, duke e shoqëruar informacionin e tyre edhe me foto të reja, ku dallohen punimet.