‘Foleja e Shqiponjës’/ Shqipëria shtegu i ri i emigrantëve drejt BE-së

279
Sigal

Emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut po përdorin kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës me ndihmën e trafikantëve apo sekserëve lokalë, si një shteg të ri në të ashtuquajturën ‘Rruga Ballkanike’ drejt BE-së.

Ibrahim Khalil Almohaimid kishte bërë një rrugë të gjatë, kur së bashku me gjashtë sirianë të tjerë – përfshirë dy fëmijë, u ndal në urën e Drinit të Zi në hyrje të qytetit të Kukësit në fund të tetorit.

Me ndihmën e trafikantëve shqiptarë, ai kishte udhëtuar nga Greqia në Tiranë dhe më tej drejt kufirit me Kosovën, përpara se makina me të cilën udhëtonte me shofer një 28 vjeçar nga Kukësi, të ndalohej nga policia.

“Në Shqipëri policia është e mirë, edhe në Kosovë na kanë thënë se është e mirë, prandaj kalojmë kufirin nga Kosova,” shpjegoi 23 vjeçari nga qyteti i Rakas në Siri në një intervistë për BIRN. “Qëllimi ynë është të shkojmë në Gjermani, sepse është vendi më i mirë në Europë,” shtoi ai.

Rritja e sigurisë në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 e bëri më të vështirë kalimin për emigrantët që udhëtojnë nëpërmjet Rrugës Ballkanike, duke i shtyrë shumë prej tyre të përdorin një devijim që kalon përmes Shqipërisë dhe Kosovës si një urë drejt Perëndimit.

Sipas policisë, që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 në fillim të vitit 2020 ka pasur një tendencë në rritje të kalimit të paligjshëm të kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës nga emigrantët me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, të cilët më pas kalojnë nëpërmjet Serbisë në Kroaci dhe Hungari.

“Trafikantët i zbarkojnë emigrantët afër kufirit, pra i shoqërojnë deri në kufi në Morinë,” shpjegoi Sokol Noka, shef sektori për hetimin e krimeve  në Drejtorinë Vendore të Policisë në Kukës. “Më pas emigrantët kalojnë kufirin e gjelbër, ku përdorin telefonë të avancuar me pajisjet GPS,” shtoi ai.

Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2021, Policia Kufitare e Kosovës ka riatdhesuar në Shqipëri më shumë se 1530 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, të cilët janë ndaluar pasi kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.

Edhe pse disa prej emigrantëve e bëjnë vetë rrugën, ekspertët theksojnë që shumica paguajnë trafikantë dhe sekserë lokalë për të kaluar kufijtë e shumtë të Ballkanit. Një trend në rritje është edhe përfshirja në këtë biznes të paligjshëm e trafikantëve  nga vendet e origjinës.

“Nëse në të kaluarën emigrantët e ‘kalonin rajonin në këmbë’ ose ndihmoheshin nga vendas që e njihnin terrenin, tani këtë biznes po e marrin në dorë emigrantë të tjerë,” tha Kristina Amerhauser, eksperte me Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.