Fluks edhe në doganën e Qafë Thanës, shqiptarët e Maqedonisë dynden drejt bregdetit shqiptar

293
Sigal

Edhe ditën e sotme në pikën e kalimit kufitar te Qafë Thanës ka patur hyrje të shumta nga Maqedoni e Veriut në drejtim të vendit tonë.

Fluksi i udhëtarëve ka ardhur si shkak i dyndjeve të shumta të turistëve shqiptarë por edhe të huaj të cilët kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në bregdetin shqiptar.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit bëjnë të ditur për News 24, se fluksi i udhëtareve ka qënë i lartë edhe mëngjesin e kësaj të djele ku prej orëve të para të mëngjesit kanë hyrë më shumë se 3000 udhëtare përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës.

Në dy ditët e fundit kanë hyrë dhe kanë dalë më shumë se 12 mijë shtetas shqiptarë të Maqedonisë së veriut por edhe të huaj.

Ndërkohë për të përballuar këtë fluks mjaftueshëm të lartë burime pranë kësaj pike bëjnë të ditur se po punohet me 6 sportele nga pala shqiptare,4 në hyrje dhe 2 në dalje ndërsa nga pala maqedonase punohet me 5 të tilla.