Flet Mirela Karabina: Protesta e studentëve kryqëzoi qeverinë, tronditi Ministrinë e Arsimit dhe gjunjëzoi universitetin

600
Sigal

Lajtmotivi i këtyre ditëve të dhjetorit është protesta masive e studentëve. Në ditën e tyre të trembëdhjetë të protestës, studentët janë duke pritur plotësimin e kërkesave të tyre. Nisur fillimisht si një protestë për ulje tarifash studimi dhe nevojave bazike, nga dita në ditë ajo është kthyer në një revoltë mbarëkombëtare studentore,duke dëshmuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet arsimi i lartë: Arsim jo cilësor, arsim jo bashkëkohor dhe tarifa shkollimi në rritje.

Zgjidhja e gjetur nga kryeministri për plotësimin e pikave të studentëve është “të bëjmë dialog”, e cila duket një përpjekje dëshpëruese. Por studentët janë në fushëbetejë dhe i kanë hedhur dorashkën kryeministrit. Kështu, ata kërkojnë plotësimin e kërkesave duke kryqëzuar Kryeministrin dhe Ministren e Arsimit. Dhe, këmbëngulja dhe vendosmëria e tyre ka vënë me shpatulla pas murit të gjithë aktorët. I gjendur përballë kësaj revolte legjitime dhe situate aspak të zakontë për të, fillimisht, Kryeministri nxitoi të përdorë fyerjen dhe humorin ndaj studentëve, duke u përpjekur të deligjitimojë dhe të zbehë një lëvizje që, tashmë, ka kapërcyer Kryeministrin, e ka sfiduar atë. Por Ai e ka shumë të vështirë dhe të pamundur të përballet, pasi përgjegjësi i parë për këtë katrahurë është pikërisht Qeveria e Tij dhe Ministria e Arsimit me miratimin e reformës, ligjit të arsimit të lartë dhe buxhetit të paktë për arsimin. Kështu që, Kryeministri nuk mund të plotësojë kërkesat, sepse plotësimi i tyre është pranim i dështimit të reformës në arsimin e lartë, dhe pranimi i dështimit është pranimi i dështimit të politikës arsimore, d.m.th dështimi i kësaj qeverie.

E befasuar nga thirrjet e studentëve të revoltuar, Ministrja e Arsimit nxitoi të belbëzojë se studentët paskërkan të drejtë, dhe se ajo marrkërka përsipër përgjegjësitë, pavarësisht “sukseseve” të arritura. Po për çfarë suksesesh flet ministrja? Përgjegjësia dhe llogaridhënia është detyrim institucional, dhe jo një dëshirë e ministres, pasi prej gjashtë vitesh ka paraqitur një realitet të gënjeshtërt për reformën në arsimin e lartë. Dhe, ky është guxim me goxha kosto! Por, para se të bëjnë deklarata qesharake, Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit kanë detyrimin institucional të pohojnë:

Pse u fut në fuqi një ligj për arsimin e lartë pa konsensus të gjerë?

Pse ligji i arsimit të lartë hyri në fuqi me 43 akte të munguara, të cilat kanë futur në kolaps institucional dhe ligjor universitetet?

A janë monitoruar universitetet për ecurinë e reformës, pasi artikulohet gjithmonë suksesi i saj nga qeveria dhe ministria?

Ndërkohë që ministrja ia pasoi ‘topin’ universiteteve, Kryeministri, jo vetëm drejtoi gishtin drejt tyre, por i quajti përgjegjës për gjendjen e krijuar. Dhe, këtë ia tha ballë për ballë rektorëve dhe dekanëve. Të heshtur dhe gojëkyçur, këta drejtues të institucioneve të dijes, këta njerëz të shkencës dëgjonin kryeministrin e tyre tek i tregonte çfarë kishin bërë gabim dhe çfarë duhej të bënin. Një pamje e rëndë, një situatë e jashtëzakonshme. Ashtu të “padukshëm”, si në këto ditë protestash, larg studentëve të tyre, rektorëve dhe dekanëve iu mungoi kuraja dhe guximi, i mungoi argumenti dhe kundërshtia ndaj akuzave të kryeministrit. Sepse heshtja e tyre qenkërka “e paguar” dhe Kryeministri e ditkërka këtë! Dhe “korrupsionin” e tyre po e përdor, jo për zgjidhje, jo në dobi publike, por për të shpëtuar veten. Si mund të ndodhë kjo?!

Në fakt ka një të vërtetë në këtë realitet: Me heshtjen e tyre për kolapsin në universitete nga mungesa e zbatimit të ligjit, rektorët dhe dekanët kanë zgjedhur, jo zgjidhjen d.m.th., të detyronin qeverinë dhe ministrinë për zbatueshmërinë e ligjit dhe këmbënguljen për rritjen e buxhetit të premtuar, por u kthyen në atavizëm të qeverisë dhe ministrisë. Dhe, prandaj sot ata heshtin, prandaj sot ata nuk janë përkrah studentëve në shesh, dhe për këtë ata duhet të japin një shpjegim dhe të mbajnë përgjegjësi. Kështu, Kryeministri dhe Ministrja nuk mund t’i largohen përgjegjësisë. Por, brenda pak ditësh studentët kanë “shkërmoqur” këto institucione, kanë zhveshur arrogancën e pushtetit, duke vënë në dilemë vazhdimësinë e tyre.

Kjo protestë ka një vlerë të jashtëzakonshme, po vendos standardin e ngritjes së zërit ndaj të pa drejtës dhe shpërfilljes së aktorëve kryesorë nga arroganca e pushtetit. Thirrja e studentëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” është një klithmë ulëritëse për të gjithë, ku dhe pas 28 vitesh , ashtu si baballarët e tyre dhe fëmijët ëndërrojnë të shkojnë në Evropë. Por me një ndryshim,ata kërkojnë të shkojnë në Evropë mendërisht me një arsim cilësor, arsim bashkëkohor dhe kushte normale. Dhe, kjo i është mohuar! Prandaj ata sot me të drejtë, kanë kryqëzuar qeverinë dhe ministrinë e arsimit, përgjegjësit kryesorë të kësaj katrahure në arsim.