Fili Guraziu: Kur Nexhmije Hoxha i lan duart për krimet, si Ponc Pilati

768
Jo vetëm shoqëria shqiptare, por edhe ajo europiane e konsideron të nevojshëm dhe të domosdoshëm, sidomos për periudhën e tejzgjatur të tranzicionit demokratik postkomunist shqiptar, edukimin e brezit të ri me “Kujtesën historike të krimeve të komunizmit”. Në këtë drejtim, intervista e Rudina Xhungës me vejushën Hoxha, gruan dhe bashkëpunëtoren më të ngushtë të diktatorit komunist, përbën rastin më të mirë, ndoshta edhe të fundit, që brezi i ri i lindur në fund të viteve ’80-të të mund të njihet ‘live’ me personazhin më të akuzuar për ndikimin negativ pro krimit dhe genocidit në vendimet e diktatori komunist Hoxha. Është lehtësisht e kuptueshme se intervista u zhvillua sipas një skenari të mirëmenduar nga të dy palët pjesëmarrëse në ate ‘show’ televiziv, i programuar të zhvillohej nëpërmjet bisedave “rozë” që duhet të qëndronin sa më larg problemeve pikante me të cilat anatemohet diktatori dhe gruaja e tij. Mirëkuptimi mbi skenarin e mësipërm duhet të ketë qenë gjëja më e lehtë, pasi të dy palët pjesëmarrëse trashëgojnë pika takimi në bashkëpunimin e familjeve të tyre me aktivitetin e Sigurimit famëkeq. Sipas një këndvështrimi sipërfaqësor krijohet përshtypja sikur biseda me gruan e ish diktatorit komunist ia arriti qëllimit, që do të thotë se Nexhmija së bashku me burrin e saj Enverin, u paraqitën si njerëz të mirë, të qetë, të dashur, të dhembshur, të vuajtur, të varfër, të ditur, patriotë dhe idealistë, por kjo është njëra anë e medaljes. Një analizë paksa më e thelluar, lehtësisht nxjerr në dukje edhe anën tjetër të medaljes: atë të hipokrizisë dhe të mashtrimit gjatë gjithë asaj bisede televizive, pasi plaka “e zgjuar”, besnike deri në fund të parimit bazë stalinist, atij të mashtrimit dhe demagogjisë, pa i bërë syri “tërr” dhe me pafytyrësinë e një hipokriteje, pyetjeve të gazetares, iu përgjigj aq “drejtë dhe saktë” saqë as logjikën e një fëmijë nuk arriti ta bindë. “Të lumtë Nexhmije”! Vërtet i qëndrove besnike parimeve dhe idealeve të diktatorit, burrit tënd, por “Na e bërë qefin edhe ne; ish të përndjekurve politikë” duke u bërë e pabesueshme në sytë e atyre që të ndoqën në atë emisionin, fakt të cilin e vlerësoj së tepërmi, sepse kështu, në mënyrë krejtësisht të drejtpërdrejt, larg çdo propagande, por direkt nga goja jote, brezi i ri, i cili po merr fatet e demokracisë shqiptare, arriti të kuptojë dhe nga kjo, të nxjerrë përfundimin; se deri ku shkon pafytyrësia e atyre që e dhunuan dhe e masakruan popullin shqiptar për 45 vite me radhë dhe sot, në vend që të kërkojnë falje për krimet e bëra, vazhdojnë dhe mashtrojnë me hipokrizi, 
Analiza e intervistës së vejushës Hoxha
Pyetje: Diskutohej në shtëpinë tuaj për paranë, për pronat, si ishin këto gjërat materiale?
Përgjigje: Enveri, sipas Nexhmijes, ishte aq idealist dhe i pa interesuar për pasurinë materiale sa nuk i njihte as lekët!?. “Ai merrte 16 mijë lekë, unë 11 mijë lekë. Kjo solli vështirësi edhe për familjen tonë, pasi kishte momente që nuk ia dilnim dot. Enveri megjithëse nuk e dinte këtë, më thoshte: – “Mos hyr në borxh”. 
Koment: Përgjigja e mësipërme është e denjë për romanin “Liza në botën e çudirave”, pra e pabesueshme për shqiptarët. Ajo, (plaka mashtruese ) qan hallin ekonomik të familjes së saj, por nuk shqetësohet aspak për varfërinë e mijëra dhe mijëra familjeve shqiptare që merrnin rrogë shumë herë më pak, ose për ato familje që i kishin zbuar nga shtëpitë e tyre duke ja grabitur pronën dhe duke i internuar në mes të kënetave!? A ka njeri që mund të besojë në sinqeritetin e fjalëve të gruas së diktatorit Hoxha? Natyrisht që nuk ka! Më kot krenohen kinezët për Lej Fenin, ne paskemi pasur shumë më herët Lej Fenin shqiptar: Enver Hoxhën, idealist i paparë derisa nuk njihte as lekët!
Pyetje: Kur u diskutua për fenë, për faktin që Shqipëria do të ishte vend ateist, Kishat dhe Xhamitë u prishën, ka qenë një vendim personal i Enver Hoxhës?
Përgjigje: Për këtë është folur kur ndodhi, as unë as ai nuk dinim që një gjë e tillë po ndodhte. Ne e kemi thënë dhe kjo është e vërteta, që iniciativa u mor nga poshtë. Natyrisht Sekretari i Partisë së Durrësit, nuk është se nuk e dinte, ndoshta dhe me shkollën “Naim Frashëri”, që mori iniciativën, kishte rënë dakord…
Koment: Kush e beson një përrallë të tillë!? Në periudhën e diktaturës enveriste, edhe gjërat shumë herë më të parëndësishme se sa eliminimi i fesë nuk mund të bëheshin pa lejen e diktatorit. Ai dhe ajo janë ideatorët dhe zbatuesit e shkatërrimit të ndërtesave të kultit, burgosjes dhe vrasjes me gjyqe të montuara të klerikëve të pafajshëm shqiptarë. Nexhmije; përgjigja që dhe, është një bumerang për ty sepse poshtërohesh më keq para shqiptarëve.
Pyetje:Sa libra kishte biblioteka e Enver Hoxhës?
Përgjigje: Kishte nja 45 mijë libra. Kur i vinin libra nga jashtë, nga Franca për shembull, kishin një zakon të mirë ata nga Ministria e Jashtme, i dërgonin Enverit nga prodhimet më të mira. Më vonë na humbën fare, pasi e vodhën bibliotekën.
Koment: Në përgjigjen e mësipërme mund të kuptojmë përse familjes se Enverit nuk i dilte rroga mujore për ushqim! Ai i paskërka harxhuar tërë paratë për blerjen e librave në Francë !? 
Pyetje:Nuk flisnit për Sigurimin e Shteti, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin?
Përgjigje: Baza te ne ka qenë më konservatore, se ky kuadri që drejtonte vinte nga fshati, vinte nga lufta dhe niveli kulturor ishte i tillë. Më shumë stigmatizoheshin nga sektarizmi dhe konservatorizmi. Enveri jo. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim.
Koment: Kuptohet se deri ku qëndron cinizmi i një njeriu, që tërë jetën e ka kaluar në mes të gjakut dhe krimit? 
Nexhmija ‘parafytyron’, nuk e di, por e merr me mend e ‘parafytyron’!? “…Enveri kurrë nuk merrte vetë vendime, sepse në atë kohë vendimet ishin kolegjiale, Enveri kishte tendencën t’i zbuste gjërat…”
Krimet mizore të komunizmit
O zot, kujt ja thotë këto, ne që i kemi jetuar apo popullit të Honolulusë!? Por çfarë i konsideron ajo shqiptarët, bagëti që s’kanë kujtesë? Si mund të harrohen krimet mizore të diktatorit të dokumentuara edhe në librin e Fevziut me gojën e arkivave!? A ka gjë më mizore që të zhdukesh burrin e motrës, bamirësin dhe mbrojtësin e vetë Enverit? Po gjaku i 22 intelektualëve të pushkatuar pa proces gjyqësor me rastin e bombës në ambasadën sovjetike a e shqetëson vallë ndopak? Po ky krim, po ai krim, po zhdukja e tërë shokëve të tij të luftës janë vërtetë tepër shumë, një gjenocid i vërtetë që vetëm një përbindësh si Enveri do të mund t’i bënte. Si mund të lahet gjaku i dhjetëra mijërave shqiptarëve të pushkatuar dhe të vdekur në burgje nga torturat duke thënë se krimet i bënte baza sektariste dhe neve s’dinim gjë!? Vini re një detaj, që duket i parëndësishëm, por tepër domethënës! Plaka hipokrite, duke përshkruar jetën e rinisë , kujton e qetë, pa asnjë shqetësim, e përsëris pa asnjë shqetësim, shoqet e saj që më vonë ajo dhe i shoqi i torturoi dhe i pushkatoi! Nuk dëshiroj t’i përfundoj këto rreshta pa vënë në dukje atë që qëndron ‘pas kuintave’ në temën e politikë së jashtme që praktikoi Enveri. Sipas Nexhmijes çdo gjë bëhej për të mirën e vendit, kurse e vërteta është krejt ndryshe: shqiptarët që e jetuan ferrin komunist e dinë fare mirë se: çdo gjë bëhej dhe veprohej vetëm për të siguruar postin e diktatorit dhe interesin e familjes së tij! Ju kujtohet shprehja, tashmë historike e udhëheqjes komuniste të atyre viteve “Edhe bar do hamë dhe nuk dorëzohemi”. Vërtet rezistuan shumë vite duke i dhënë bar popullit, por më në fund komunistët e Enverit së bashku me Nexhmijen u dorëzuan. Por për çfarë shërbeu politika aq e ndritur e udhëheqësit legjendar? Vetëm për varfërimin e popullit të tij deri në atë shkallë sa çuditi botën me eksodin masiv drejt ambasadave dhe arratisjen biblike me anije drejt Italisë? “Njeriu i ri i Partisë, prodhimi i diktatorit largpamës” rezultoi para gjithë botës si një qenie e mjerë, e çuditshme dhe jo tokësore, sikur vinte nga Marsi! “Djalli ia la konopin mbi varr” dhe është pikërisht ai moral dhe edukatë që trashëguam, me të cilin u formua “njeriu i ri i partisë” që pengon sot shqiptarët të përparojmë me ritmet e të tjerëve, duke mbetur gjithnjë në vendin më të varfër dhe të korruptuar të Europës. Sidoqoftë, “Kujtesa historike mbi krimet e komunizmit”, u fuqizua nga intervista e Rudina Xhungës. 
Sigal