Fier/ Mori leje nga burgu por nuk u kthye më, arrestohet 36 vjeçari

554
Sigal

Në prangat e policisë së Fierit ka rënë një i dënuar pasi nuk ishte kthyer më në burg pas lejes.

Nga policia e Fierit është arrestuar 36-vjeçari Gentuan Taullaj pasi kishte thyer lejen e dhënë nga burgu i Fierit duke mos u kthyer më në qeli.

Ai rezulton i dënuar me shtatë vite burg për trafik droge. Mësohet se 36-vjeçari është arrestuar në një qendër tregtare në Fier.

Njoftimi i policisë:

Thyen lejen e dhënë nga IEVP Fier duke mos u kthyer më në vendin e kryerjes së dënimit, kapet dhe ndalohet shtetasi i shpallur në kërkim për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga shërbimet e Njësisë Operacionale “Sopoti” në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në vendin e quajtur “QTU” u kap shtetasi i shpallur në kërkim: G.T, 36 vjeç, banues në Ballsh. Shtetasi G.T ishte person i shpallur në kërkim pasi ka thyer lejen shpërblyese dhënë nga I.E.V.P Fier ku ishte duke vuajtur dënimin prej 7 vitesh për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Nga kontrolli i ushtruar i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa si dhe një dokument leje drejtimi greke e dyshuar e falsifikuar.

Në këto kushte u bë ndalimi i tij për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.