Fier/ Hodhi ish-gruan nga ballkoni, flasin fqinjët: Punon për të rritur vajzat

327
Sigal

Nga ballkoni i katit të dytë në lagjen nr 1 të qytezës së Patosit, ish-bashkëshorti hodhi gruan, nënë e dy fëmijëve. 38-vjeçarja me iniciale E.S. fatmirësisht ka shpëtuar. Ajo po merr trajtim në spitalin e Fierit dhe mjekët thanë se është jashtë rrezikut për jetën. Dy vajzat e saj të moshës 15 dhe 10 vjeç janë strehuar tek dajat derisa të bashkohen me nënën e tyre.

Pasditen e së shtunës ai ka shkuar në banesën e ish-bashkëshorten dhe pasi e ka rrahur e ka hedhur nga ballkoni. 38-vjeçarja ishte pajisur nga gjykata me urdhër mbrojtje por as kësaj radhe urdhri i mbrojtjes nuk ka shërbyer për mbrojtjen e kësaj gruaje.

Fqinjët janë të traumatizuar nga kjo ngjarje, teksa thonë se gruaja kishte tre muaj që ishte vendosur në këtë pallat. Ajo punonte në fasoneri për të rritur vajzat. ”Mamanë e saj e kam shoqe. Është familje e përkryer. Ka rreth 3-4 muaj në këtë pallat. Vajzë e përkryer, punonte në një rrobaqepësi. Përderisa ndahet një burrë e një grua do të thotë që detyrimisht janë në një konflikt. Ajo është nënë e fëmijëve, nuk është e tija”.

Autori, Saimir Rrapollari është vënë në pranga pritet të dalë të martën në gjykatën e Fierit për masën e sigurisë, ku do të përballet me akuzat për vrasje e mbetur në tentativë, dhunë në familje dhe thyerje e urdhrit të mbrojtjes.