Festë në Fafa, përkujtohet dhe nderohet Faik Çerenishti, themeluesi i këtij gjiganti turistik

13
Sigal

Siç edhe kemi njoftuar më parë, mbrëmë në një nga komplekset e Fafa – resort Premiun, Golem, është zhvilluar ceremonia e kujtimit dhe nderimit të themeluesit kryesor të këtij gjiganti turistik, të të ndjerit Faik Çerenishti.

 

Bazoreliev: “Faik Çerenishti”, vepër e skulptorit Agim Nebi

 

Merrnin pjesë anëtarë të shoqatës “Tomorri” Durrës; drejtues dhe punonjës të kompanisë; familjarë, të afërm, miq dhe shokë të familjes Çerenishti etj.

Ceremoninë e çeli kryetari i shoqatës “Tomorri” Durrës, Hajri Nuhu, i cili më pas ftoi pjesëmarrësit të ndiqnin dokumentarin e realizuar prej tij për jetën dhe veprimtarinë e Faik Çerenishtit ndër vite.

Më pas në foltore u ngjitën ish – kolegë mësues të Faik Çerenishtit në shkollën  8- vjeçare “Refat Keli” të Poliçanit në vitet ’70 -80 të shekullit të kaluar, Prof. Edmond Dragoti, mësuesi veteran Fatmir Mezini si dhe bashkëfshatarë të tjerë.

 

Në emër të familjes folën djemtë, e Faikut, administratori i Përgjithshëm i komplekseve turistike dhe hoteliere të Fafa –s, Fatos Çerenishti dhe vëllai i madh i tij, Ali Çerenishti.

Pas nderimit me çertifikata nderi akorduar themeluesit të Fafa –s, Faik Çerenishtit (pas vdekjes) nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve dhe shoqata “Tomorri” Durrës, mes duartrokitjeve, u zbulua mozaiku, vepër artistike e skulptorit të njohur, Agim Nebi, kushtuar protagonistit që kishte mbledhur gjithë këta njerëz në këtë mbremje, themeluesit të kompanisë, Faik Çerenishti.

 

Mozaiku, në formën e një ikone shënjtori, realizua më së shumti në flori dhe argjend, ishte një vepër vërtet mahnitëse, që, siç tha edhe vetë krijuesi i tij, skulptori Agim Nebi, pavarësisht se ekspozohet në një subjekt privat, do të radhitet tashti e tutje si një nga veprat më të mira të tij, e denjë për t’u ekspozuar në çdo mjedis publik, por edhe si një vepër dhe pasuri e koleksionit skulpturor mbarëshqiptar.

 

Më poshtë po japim fjalën e administratorit dhe moderatorit të platformës mediatike “Orakujt e Tomorrit”, Zylyftar Hoxha, platformë e sponsorizuar nga Fatos Çerenishti, e mbajtur në veprimtarinë në fjalë.

Sot një nga komplekset më të mëdha dhe më në zë të turizmit shqiptar, siç është Fafa famëmadhe ka festë.

Ajo çdo ditë të vitit zjen nga festat, të vogla dhe të mëdha. Mjediset dhe fasadat luksoze të Fafës janë përdorur si skena dhe mizaskena të veprimtarive artistike të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar si “Miss Globi”,  “Miss Universi”,  Festivali i kërcimit Afrikano – latin, “E diela shqiptare”, disa koncerte  festive të fundvitit; kampionate sportive botërore si Kampionati botëror i Peshëngritjes, Kampionati europian i Shahut për të rritur e të rinj me 35 kampionë bote, Kampionati Taekondoë etj. etj., por edhe si mikpritje dhe nderim të personaliteteve me famë botërore: aristë si, Ornela Muti, Ana Oksa, Albano Karrizi, Maria Grazia Cucinotta; Grupi suedes “Radnex”, Ruslana, fituese e Eurovizionit; politikanë, Stipe Mesiç, Ramush Haradinaj, Edi Rama; sportistë, Sacha Dragiç  kampion shahu, Erland Qerimaj, peshëngritës etj;

 

Por festa e sotme e Fafës është e veçantë. Ajo nuk është një festë intime, familjare, por një festë zyrtare e të gjithë kompanisë. Është një festë e emrit dhe identitetit të saj. Sepse sot ajo bëhet dhe konfirmon historinë e saj.

Sepse historia e Fafës, nuk është histori, por është një  “marrëzi”, është guxim dhe trimëri që ka çarë mes një xhungle absurde shqiptare.

Se ç’do të thotë punë e sakrificë për këtë gjë që ke sot para syve, do ta kuptosh, kur edhe në këto çaste të shkosh në Premium-in e Malit të Robit, në bordurat, pllakat, shkallët, dyert dritaret dhe mjediset e tjera, gjen gjurmët e freskëta të duarve të arta të Faikut, babait të Fatosit dhe vëllezërve dhe motes së tij.

 

 

Ndërsa Fatosi luftonte të çante Xhunglën me shkresa, vula, kredi e borxhe: Faiku në hapësirat që i krijoheshin pak nga pak, me atë qetësinë olimpike që e karakterizonte, derdhte artin e tij të punës, të mundit dhe të mendjes.

Dhe pikërisht kjo është historia e Fafës që ne sot, pas shumë vitesh, po e kurorëzojmë. 

Ndërsa ne jemi mbledhur këtu, është i vetmi rast dhe çast, kur shpirti i Faikut fluturon si një engjëll apo si një flutur nga xhehneti i mistikës bektashiane mbi hapësirat e një qyteti që ai e la në themele, për të qëndruar në fund përjetësisht në një përmendore, pas asaj perdeje që do të hapim pas pak.

Sot Fafa u bë me histori!

Sa të dalim ne nga kjo derë, do të hyjnë pastrueset, sepse kjo derë nuk do ta njohë më çelsin. Që nesër në mëngjes ky vend do të kthehet në një atraksion të shtuar, të vizitueshëm historik, krahas mjediseve të tjera luksoze të këtij  kompleksi gjigant.

Që në mëngjes këtu do të vijnë turistët e parë, të cilët, pasi të shikojnë këtë vepër artistike, si kuriozë të mëdhenj që janë, do të pyesin: “Kush është ky”!

Do t’i përgjigjen se ky është themeluesi i gjithë kësaj vepre madhështore arkitekturore me përmasat e një qytetit tërë. Ky është FA-ja e parë dhe FA-ja e dytë, është ai djali i gjatë që po shkon aty dhe që që quhet Fatos.

 

Vetëm atëhere ata do të kuptojnë se çfarë në të vërtetë simbolizojnë dy krahët flatra të emblemës rrezatuese Fafa!

Përjetësi për Faikun!

Lavdi për Fatosin, për këtë zgalem të turizmit shqiptar, për këtë njeri të sfidave dhe sakrificave, vizionar dhe largpamës, që i ka dhënë inventarit turistik shqiptar një shembull të papërsëritshëm se çfarë mundësish ka Shqipëria për një turizëm elitar, të një niveli superior dhe cilësor botëror./Orakujt e Tomorrit