Fatmir Toçi*/ Diskutimi për buxhetin 2015 në parim

473
Sigal

*deputet i Qarkut Vlorë

 Buxheti i vitit 2014 ishte angazhimi i qeverisë për mbushjen e gropave që trashëguam nga qeverisja e mëparshme, ndërsa ky projektbuxhet i vitit 2015 është ngritja dhe konsolidimi i themeleve dhe kolonave të një qeverisje që do t’u japë shqiptarëve një shtet ligjor e të qëndrueshëm me plot kuptimin e kësaj fjale. Si relator i këtij projektligji për kulturën, ne i kemi shprehur vlerësimet dhe opinionet e Komisionit të edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik në relacionin përkatës. Nga fusha e kulturës lajmi i mirë është rritja e treguesve të financimit të zërave të projektbuxhetit të vitit 2015 në masën 10 % në krahasim me vitin në vazhdim në vlerën absolute 154 milionë lekë. Arti dhe kultura zënë peshën më të madhe të shpenzimeve, më shumë se gjysmën e gjithë buxhetit (52.4 %). Po ashtu, nga zërat më të rëndësishëm në buxhetin e Ministrisë së Kulturës  është edhe Trashëgimia kulturore (37.2 %). Në shpenzimet (financimet) në programin e Artit dhe kulturës, do të kërkohet, ashtu siç ka nisur që gjatë këtij viti në vazhdim, mbështetja e veprimtarive që do të kenë vërtetë vlera artistike, mbështetjen e artit dhe kulturës kombëtare dhe promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Financime të projekteve në bazë të njohjeve personale, të miqve e shokëve, ithtarëve të familjes politike, siç ka ndodhur rëndom në qeverisjen e mëparshme, duhet t’u pritet rruga dhe të denoncohen me forcë. Po ashtu qokave dhe tendencës për të shpërndarë fonde proporcionale “për ta pasur mirë me të gjithë” në dëm të vlerave të vërteta artistike, duke dëmtuar konkurrencën dhe frymën e garës midis subjekteve që operojnë në fushën e artit e kulturës.

 Një sektor i rëndësishëm do të mbetet në vazhdimësi ruajtja, mirëmbajtja dhe pasurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, si muzeumet, parqet arkeologjike, kalatë e ndërtimet e hershme, monumentet e kulturës etj. Vitet e fundit ka qenë barbare sjellja ndaj tyre dhe një pjesë e tyre janë rrënuar pjesërisht apo tërësisht, duke i bërë të parikuperueshme si vlera historike identitare me interes kombëtar në fushën e kulturës, turizmit e më gjerë.

 Por unë desha të ngre sot në këtë seancë edhe dy probleme me dëshirën dhe besimin se mund të rishikohen në interes të nxitjes dhe mbështetjes së kulturës kombëtare dhe atyre që e krijojnë dhe e përfaqësojnë këtë kulturë, që janë krijuesit.

 1- Një rishikim të propozimit që i bëhet projektligjit “Për tatimet mbi të ardhurat”, Propozimi është që ky tatim të bëhet nga 10 në 15 %. dhe bëhet fjalë për të ardhurat që vijnë nga dividendët, fitimi i ortakut, interesat nga huatë, të ardhurat nga lojërat e fatit dhe, bashkë më këto, edhe të ardhurat që vijnë nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale.

 Sot arti dhe kultura ndodhen në një gjendje të vështirë: Letërsia akoma në kërkim të identitetit dhe përfaqësuesve të saj të rinj; teatri në rrezik shpërbërje; artet figurative në kaos dhe pa kurrfarë tregu; folklori i painkurajuar dhe në rrezik zhdukjeje; kinematografia, aq sa funksionon, pa mbështetjen e nevojshme e kështu me radhë.

2- Prej vitesh është jashtë sistemit TVSH-ja për librin.

Në dukje TVSH-ja për librin në vendin tonë është hequr, si dhe taksa doganore. Në të vërtetë TVSH-ja për librin është hequr në librari dhe te botuesi, por nuk është hequr në burim, d.m.th. në shtypshkronjë, aty ku libri prodhohet e shumëfishohet. Dhe këtë TVSH që krijohet në shtypshkronjë botuesi dhe më pas librari si shitës, nuk u lejohet ta shkarkojnë sipas funksionimit të ligjit mbi TVSH, duke i kaluar të gjitha shpenzimet që bën botuesi tek çmimi i librit. Kjo ka bërë që TVSH-ja e librit si mall të mos funksionojë fare në sistem sipas ligjit dhe lexuesi shqiptar të paguajë padrejtësisht më shumë. Kjo do të thotë se këtu te ne tatohet leximi dhe jo hallkat që merren me prodhimin dhe menaxhimin e tij, që nga autori deri te konsumatori lexues. Në këtë mënyrë kemi rritje artificialisht të çmimeve të librave dhe kjo rëndon lexuesin, nxitet rritja e evazionit fiskal në marrëdhëniet shtypshkronjë – botues – librari.

 Dhe dy fjalë për probleme nga zona ime elektorale:

 Unë jam deputet i Qarkut të Vlorës dhe zor se gjen ndonjë rreth të tjetër në gjithë vendin që të jetë lënë pas dore dhe të jetë diskriminuar në investime gjatë 2 mandateve të qeverisjes së mëparshme si Vlora, do të kërkoja një vëmendje më të madhe në projektbuxhetin e vitit 2015, apo burime të tjera financimi, për disa investime të domosdoshme, jetike, mungesa e të cilave po e shuan çdo ditë e më shumë jetën në këtë zonë. Dhe përpos nevojave për ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore e objekte social-kulturore, që nuk ekzistojnë fare në shumicën e fshatrave në zonat rurale, kryefjala dhe kryekërkesa e banorëve të zonës janë investimet në infrastrukturën rrugore, ku nga gati 600 km rrugë në inventarin e rrugëve nacionale e rurale jo më shumë se 7 –  8 % janë të asfaltuara apo në gjendje të shfrytëzueshme.

Dhe së fundi: me ndarjen e re administrative është i vetmi aks rrugor që lidh qendrat e banuara që do të përbëjnë këtë njësi vendore, që sot është quajtur “Bashkia e Selenicës”, por që nesër natyrshëm mund të quhet edhe “Bashkia e Lumit të Vlorës”, për shkak të shtrirjes së zonave të banuara përgjatë luginës së këtij lumi. Të njëjtin problem kanë rrugët që lidhin komunat dhe fshatrat e kësaj zone dhe që lidhen e degëzohen me rrugën e Lumit të Vlorës. Janë rreth 400 km rrugë rurale, nga të cilat vetëm 24 km janë të asfaltuara dhe për të qenë. Janë më dhjetëra fshatra të zonës që vetëm për 2 – 5 km dhe jo më shumë se 9 – 10 km rrugë normale, kanë mbetur pothuaj izoluara nga bota dhe po shkojnë drejt shuarjes dhe zhdukjes nga harta e vendit. Në fund të kësaj fjale, i kërkoj qeverisë dhe Kryeministrit vëmendjen e duhur, të cilën e kanë merituar prej kohësh banorët e kësaj zone.