Ja tarifat dhe taksat që rrezikojnë ekonominë shqiptare

1107
Sigal

Projektbuxheti 2015, një buxhet klientelist dhe krahinor

Ekspertët e ekonomisë dhë zërat opozitarë e shohin projektbuxhetin 2015 si një buxhet klientelist, krahinor, që zhduku investimet publike, ndërkohë që janë pikërisht investimet ato që garantojnë rkthimin e rritjes ekonomike. Specialistët mendojnë se Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të rishikojnë skenarët për inflacionin pas rritjes së tarifave të energjisë e ujit, taksave mbi karburantet, cigaret dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Projektbuxhetit vjen me një paketë masash shtrënguese mbi disa taksa dhe tarifa, të cilat duke u bashkuar me rritjen e pritshme të çmimit të energjisë elektrike (i kanë aplikuar për rritje çmimi OST, KESH dhe OSHEE), shtrenjtimin e tarifave të telefonisë fikse, tarifat e ujit etj., rrezikojnë të kenë efekte të forta në rritjen e inflacionit për vitin e ardhshëm.

 Taksa mbi karburantet

 Projektbuxheti i vitit 2015 penalizon qytetarët shqiptarë, ndërsa favorizon kompanitë e huaja. Kështu rritja e taksës së karburanteve 2 herë brenda vitit varfëron direkt xhepat e shqiptarëve, ndërsa zerimi i taksës doganore të naftës, çon paratë në xhep të kompanive të huaja, që operojnë në tregun e hidrokarbureve. Sipas relacionit të buxhetit “taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lekë/litër për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015”. Rreziku kryesor dhe me efekte zinxhir në indeksin e çmimeve të konsumit vjen kryesisht nga rritja me 10 lekë e taksës mbi karburantet, e cila pritet të ketë një efekt zinxhir në ciklin e prodhimeve dhe shërbimeve. Në relacionin shoqërues, qeveria thotë se “për sa i përket ndikimit të rritjes së kësaj takse në çmimin final të shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës, vlerësohet se kjo rritje takse nuk do të përkthehet në rritje çmimi, për arsye të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. E njëjta rritje takse u bë edhe në Paketën Fiskale 2014, rritje e cila nuk u pasqyrua në rritjen e çmimit në tregun e brendshëm”.  Qeveria thotë se arsyet për ndryshimin e kësaj takse janë nevojat në rritje të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore dhe se taksat gjithsej në benzinë dhe naftë janë 57 lekë/litër. Por qeveria ka parashikuar vazhdimin e rritjes së taksave mbi karburantin, kur thotë se Shqipëria ende nuk i plotëson kërkesat minimale të BE-së për akcizat e karburanteve motorike dhe se direktiva e BE-së 2003/96 kërkon një akcizë minimale prej 0,359 EUR (50 lekë) për litër për benzinën, 0.330 EUR (46 lekë) për litër në naftën (motorike).

 Rritet akciza për cigaret, efekti në çmime tre muaj përpara

Në matjen e inflacionit duhet të rillogaritet efekti i rritjes së cigareve përpara hyrjes në fuqi të akcizës në janarin e vitit të ardhshëm, pasi disa kompani kanë zbatuar rritje 30 lekë për paketë që në fillim të muajit tetor të këtij viti. Qeveria e justifikon rritjen e akcizës për duhanin, si një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Sipas Paketës Fiskale, Shqipëria ka ende një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Në muajin tetor 2014, Kuvendi miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë /paketë), që ishte në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë). Sipas parashikimeve, efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit pritet të rritet edhe çmimi i duhanit të dredhur pasi Kuvendi miratoi edhe rritjen me 200% të akcizës së duhanit të dredhur.

 Rritet tatimi mbi të ardhurat personale

 Qeveria parashikon të mbledhë rreth 50 milionë dollarë nga rritja e Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP) nga 10% në 15%, duke përjashtuar të ardhurat e përfituara nga paga. Sipas relacionit, efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015. Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huat, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale. Edhe rritja e këtyre taksave direkte do të ketë impakt mbi inflacionin dhe duhet të merret parasysh në skenarët e Bankës së Shqipërisë.

 Rritja e tarifave të rregulluara

 Fryhen faturat kryesore nga rritja e tarifave të energjisë, ujit dhe telefonisë fikse. Tre faturat kryesore mujore që paguan çdo familje, nga janari do të jenë më të larta dhe kjo, padyshim, do të reflektohet në rritjen e inflacionit, pasi energjia, uji dhe telefonia zënë peshën kryesore në shpenzimet e konsumatorëve. Njëra pas tjetrës, kompanitë dhe entet rregullatore kanë njoftuar se faturat nga janari do të jenë më të “kripura” me bekimin e shtetit, nëpërmjet miratimit nga entet rregullatore. Ndryshe nga produktet e tjera për të cilat janë rritur taksat për këto tre shërbime bazike, tregu është i rregulluar, që nënkupton se tarifa nuk caktohet nga kompania, por nga entet publike si ERE, ERU dhe AKEP, të cilat, secila për llogari të kompanive që kanë licencuar, kanë njoftuar rritje çmimesh.

 Rritja e tarifave të universiteteve

 Sikur të mos mjaftonin rritjet e taksave dhe tarifave të shërbimeve bazë, energjia dhe uji, qeveria ka rritur edhe tarifat e shkollimit për studimet në universitete. Me dy vendime të qeverisë, VKM nr. 517, datë 01/08/2014 dhe VKM nr. 668, datë 15/10/2014 janë rritur tarifat e shkollimit, të cilat nuk ishin ndryshuar prej vitesh sipas një politike populiste të qeverisë së kaluar, pavarësisht kërkesave të universiteteve për rritjen e tyre. Për vitin akademik 2014-2015, tarifat vjetore të studimit në nivelin bachelor me kohë të plotë shkojnë 25 000 deri në 40 000 lekë. Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shëndetit Publik shfaqen si fakultetet me tarifa më të shtrenjta, prej 40 000 lekësh. Të dhënat e përpunuara nga Open Data tregojnë se, krahasuar me vitin akademik 2013/2014 tarifat vjetore të studimit në nivelin bachelor kanë pësuar një rritje të konsiderueshme në nivelin 11.5% deri në 39.5%. Nga rritja e tarifave janë prekur më shumë Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe fakultete në përbërje të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku krahasuar me një vit më parë, tarifat për studentët e këtyre fakulteteve kanë pësuar rritje deri në 39.5%.

Për programet e studimeve “Master”, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe ai i Shkencave Teknike Mjekësore renditen sërish si ndër fakultetet me tarifat më të larta. Në këto fakultete dhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, tarifa për programin e plotë master shkencor është 210 000 lekë. Tarifën më të ulët për programin e plotë master shkencor e ka Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, me 144 000 lekë. Rritjen më të madhe të tarifave të programeve master shkencor e ka pasur Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike, ku krahasuar me vitin akademik të lënë pas, tarifat janë rritur me 18%. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i cili ka tarifën më të ulët për programin master shkencor, ka pësuar dhe rritjen më të vogël të tarifave, me vetëm 0.9%.

Kryeministri Rama: Kemi rritur vetëm 3 taksa, ndërsa janë zeruar 15 të tjera

 Kryeministri Rama e quajti projektbuxhetin 2015 si një buxhet për njerëzit që synon rritje ekonomike pa masa shtrënguese. “Nuk e kemi harruar se buxheti ka të bëjë me njerëzit dhe është në funksion të njerëzve, sjell një tërësi shpresash për të sotmen dhe ambiciesh për të nesërmen”, tha Rama. Kryeministri shtoi se ky buxhet do të jetë për njerëzit që duan të përfitojnë përmes punës. Ai premtoi se në fund të vitit të 4-t të këtij mandati synohet një rritje ekonomike prej 4 %. Më tej kryeministri preku edhe mungesën e opozitës në Kuvend, pasi siç tha ai, duhet të ishin këtu për ballafaqim, por shtoi ai “buxheti është rezultat i konsultimeve dhe përplasjeve të mendimeve me partnerët ndërkombëtarë, FMN dhe BB dhe këshilltarëve tanë”.  Duke folur për taksat, Rama tha se kritikat e opozitës, se ato janë rritur janë të pavërteta. “Ky nuk është buxhet që rrit taksa, por reflektim i një pakete fiskale që zeron 15 taksa dhe rrit vetëm tre. Lidhjet drejtpërdrejt me domosdoshmërinë për të nxitur prodhimin, punësimin për t’ju dhënë dorën atyre që jetojnë në këtë vend me sipërmarrje”. Më tej Rama tha se, “Ulja e taksës doganore është një tjetër komponent që ndikon drejtpërdrejt mbi shëndetin e ekonomisë se vendit, ulja e rentës për kromin e përpunuar është një masë që stimulon përpunimin e mineralit në vend. Jemi vend i pasur në minerale e krom, por për vite të tëra jemi sjellë në mënyrë vandale me këtë pasuri, përfitojmë minimumin nga kjo pasuri. Përmes kësaj mase do fitojmë më shumë. Ulje të taksës për gomat e reja, ngjan diçka pa fort lidhje, por ka lidhje të shumëfishta, mbron mjedisin dhe rrit sigurinë”. Rama argumentoi taksat që rriten, ndër to ajo e duhanit, si funksion sipas tij, e rritjes së mbrojtjes ndaj shëndetit. “Së dyti, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoil-in. Ndërkohë që të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është një dëshirë e qeverisë për të rënduar ata të cilët përdorin makina, por ky është kontribut i atyre që përdorin makina për të patur një mjedis më të pastër. Së treti, me barazimin e tatimit mbi të ardhurat personale dytësore, thjesht bëjmë një barazim të këtyre dy niveleve duke i dhënë secilit hakun që i takon” deklaroi kryeministri Rama.

 Majko kritik ndaj Ramës: Nuk jemi sherifët e pushtetit, por mbajtësit e tij

 “Nuk jemi sherifët e pushtetit, por mbajtësit e tij”. Me këto fjalë iu drejtua Pandeli Majko qeverisë Rama dhe deputetëve të mazhorancës. Kritik, se buxheti nuk reflekton mbajtjen e disa premtimeve, Majko shprehu rezerva edhe për rritjen e disa taksave, për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe aksionin kundër vjedhjes së energjisë, ndërsa tha se mungesa e Opozitës flet shumë.

Pandeli Majko: “Rritja e akcizës është rritja e akcizës. Nuk do mend se shqiptarët do u shëndoshet familja nëse do të lënë duhanin. Prishja e familjes shqiptare në rastet e njohura e të debatuara, lidhet me ekzistencën e kazinove dhe zyrave të basteve. Gjithë kjo histori nuk ka të bëjë as me lënien e duhanit, as me shpëtimin e familjes, por me pagesën e asaj që miqtë tanë që nuk janë këtu na e lanë pas zgjedhjeve.

Ne po rrisim tatimet mbi interesat bankare, mbi qiratë. Ta lëmë mënjanë këtë historinë se ai që merr më shumë duhet të paguajë më shumë. Çfarë do bëjmë me pensionet e ushtarakëve që ua kemi premtuar në fushatë?

Çfarë do bëjmë me TVSH-në e naftës për fshatin?

Nëse do më pyesni, nëse jeni i kënaqur nga investimet që ke parë për buxhetin e vitit që vjen nuk jam i kënaqur, ka pak ose aspak investime. Është në dorën e një bashkie që drejtohet nga PD e kryetari i saj të cilës kur i drejtohesh të rregullojë rrugët të thotë na është bllokuar buxheti, jemi mbajtësit e pushtetit nuk jemi sherifët e pushtetit.

Mungesa e opozitës sot flet shumë. Kanë dalë nëpër rrugë të përkrahin ata që thonë nuk duhet të prishen shtëpitë pa leje, nuk duhet të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Sot votojmë faljen e kamatëvonesës për pensionet në fshat, e çfarë na gjeti të falim kamatëvonesat e atyre që janë në sistemin e mbrojtjes sociale për faturat e energjisë elektrike?”.

 Ahmetaj: Në 2015, rritja ekonomike kalon 3 %

 Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se në vitin 2015 parashikohet që rritja ekonomike të shkojë 3%. “Punë dhe reforma në një vit, ka qenë i vështirë, me sakrifica, ndaj po them që 2015 konsolidon rritjen ekonomike ku do kalojë në 3% për të arritur në fund të mandatit në 4,5%. Nëse nuk kapërcen mbi 4% rritja ekonomike përfitimet tek qytetari janë shumë të vogla”, tha ai. Duke u ndalur tek shifrat, Ahmetaj tha se vendi pret që vetëm vitin që vjen të ketë 1,3 miliardë investime të huaja.

Përsa i përket reformës në industrinë fasone, ai shtoi se, “Dikush qeshi dhe u tall por janë144 milionë dollarë më shumë eksporte dhe 5600 vende të reja pune. Industria kimike dhe plastike janë rritur eksportet me 40% ka gati 4 mijë vende të reja pune të hapura”. Ndërsa në lidhje sektorin energjetik dhe minerar, Bushati shtoi se, “Reforma që do ndërmarrim në këtë sektor do garantojë që 20 mln dollarë që po hedhim në vitin 2015 në 2 dhe 3 vitet në vazhdim nuk do jenë më mbështetje po do kthehet ky sektor të na mbështesë ne nga gati 500 milionë”.

 Banka Botërore vlerëson reformën e pensioneve

 Reforma e pensioneve në Shqipëri është ndër më të mirat në botë. Kështu u shpreh Drejtori i Operacioneve në Bankën Botërore, John Roome, të hënën gjatë një vizite që zhvilloi me Ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, në ambientet e arkivës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Duke vlerësuar kontributet si faktorë të rëndësishëm për reformën e pensioneve, Roome tha se, Banka Botërore e sheh ecurinë e reformës së pensioneve në Shqipëri, si modelin që duhet të ndjekë një vend që po ecën drejt BE-së. Ndërkohë ministri Veliaj vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore, si dhe theksoi se Shqipëria po bën detyrat e saj të shtëpisë në fushën e pensioneve, në mënyrë që secilit t’i llogariten në skemë të gjitha vitet e punës. “I ftoj të vetëpunësuarit në fshat që t’i përgjigjen thirrjes për të paguar kamatëvonesat. Deri tani kemi pasur trefishim të pagesave. Kjo është një tendencë të cilën duhet duhet ta vazhdojmë”, tha Veliaj. Lidhur me pagesën e kamatëvonesave ministri sqaroi se nga 1 janari 2015, qytetarët që s’kanë mundësi t’i paguajnë menjëherë sigurimet shoqërore, mund ta bëjnë këtë çdo 3 muaj. Gjithashtu sipas tij kjo reformë e re e pensioneve do të prodhojë, për herë të parë, pensione më të larta dhe se ky do të jetë viti i parë me ulje të subvencionit nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve.

Buxheti, PD: Braktisen projektet e mëdha rrugore

 Partia Demokratike konstaton se Rruga e Arbrit, Boshti i Jugut, rruga Elbasan – Tiranë, rruga Qukës – Qafë Plloçë ose veprat më të mëdha dhe më të nevojshme sot të infrastrukturës – janë harruar dhe nuk do të financohen nga Buxheti i Shtetit për vitin 2015. Duke e analizuar Buxhetin e ri, PD-ja ka dalë në konkluzionin se investimet në infrastrukturë për vitin 2015 thuajse do të mungojnë plotësisht, pasi Qeveria është e interesuar të investojë vetëm për fasada dhe zbukurime. Kanë qenë deputetët demokratë të Komisionit të Ekonomisë dhe Infrastrukturës që e shqyrtuan sot projektbuxhetin, natyrisht, pa marrë pjesë në diskutimin e tij në Kuvend. Në analizën e tij Bodeu shpreh se “Investimet, jo vetëm që janë të limituara, por ato nuk dihet se kur do kryhen, pasi nuk ekziston asnjë listë orientuese apo angazhuese e qeverisë se ku do t’i shpenzojë këto fonde, 678 milionë dollarë që ka programuar për vitin 2015. Nuk ka një listë orientuese që askush nesër të mos ketë mundësinë për t’iu adresuar, përse filan projekt, apo një projekt tjetër, nuk po merret në konsideratë nga ana e qeverisë. Qeveria kërkon dorë të lirë, që edhe këto pak para në investimet publike t’i bëjë rrush e kumbulla dhe t’i adresojë në modelin e fasadave dhe makeup-it, që Rama di ta bëjë mirë, duke shkuar dhe investuar vetëm në qendrat e disa qyteteve duke lyer dhe zbukuruar diçka, apo duke hequr vija dhe duke mbjellë pemë në anët e rrugëve nacionale. Tashmë objektet e mëdha, investimet nacionale janë tërësisht të abandonuara sikurse e përmendëm këtu është harruar tashmë vijimi i projekteve të mëdha. Rruga Tiranë-Elbasan, që duhet të kishte përfunduar që vitin e kaluar, vijon të mbetet e hapur dhe pa investim konkret edhe pse fondet janë të kontraktuara nga Banka e Zhvillimit. Rruga e Arbrit, tërësisht e bllokuar. Segmenti tjetër i Jugut me pjesëza punimesh të filluara tërësisht të abandonuara e të bllokuara. Rruga Qukës – Qafë Plloçë tërësisht e harruar, kontrata e investimeve është bërë, fondet janë angazhuar, kostoja paguhet por punimet nuk fillojnë. Për të mos folur pastaj për të gjitha projektet e vogla lokale, në territore të ndryshme të komunave”.

 Berisha: Buxhet katastrofal, po mbyllin shkolla e hapin burgje

 Deputeti demokrat Sali Berisha e ka kundërshtuar Buxhetin e vitit 2015, që u diskutua në Kuvend pa praninë e opozitës. Jashtë seancës, nëpërmjet Facebook-ut, Berisha e ka konsideruar Buxhetin se ri si katastrofal, që rrit me 30% shpenzimet e qeverisë dhe të policisë. Sipas tij: “Buxheti i ri është në funksion jo të qytetarit, as dhe fëmijëve, shëndetit apo shkollimit të tyre, por të shtetit policor, kontrollit policor të shoqërisë. Rama, si zakonisht, mashtroi shqiptarët kur deklaroi se numri i policëve për 100 mijë banorë në Shqipëri është shumë më i ulët se në çdo vend tjetër të rajonit dhe BE-së. E vërteta është tjetër! Në Shqipëri, numri i policëve për 100 mijë banorë është në mesataren e vendeve anëtare të BE-së dhe në mesataren e vendeve të lira. Kështu që zëvendësimi i 1000 mësuesve me 1000 policë është dëshmi flagrante e vrapit drejt shtetit policor,” – thekson ish-Kryeministri.

 Sherefedin Shehu: Qeveria ka ulur ndjeshëm investimet publike

 “Shqetësimi më i madh në këtë buxhet është që qytetarët do të paguajnë më shumë dhe nuk do të marrin asgjë. Këtu e kam fjalën tek investimet publike, mbasi ato janë zëri kryesor që tregon përfitime për të gjithë qytetarë. Në këtë këndvështrim, dua të nënvizoj një aspekt i cili është shumë i rëndësishëm. Edhe FMN që njihet për konservatorizëm ka arritur në përfundimin që vetëm investimet e mëdha në infrastrukturë mund të garantojnë rikthimin në rritjen ekonomike për vendet që janë në krizë. FMN nënvizoi në tetor rëndësinë e rritjes së investimeve dhe fokusimin e tyre në infrastrukturë. Po të ballafaqojmë këtë rekomandim të FMN-së, kemi historinë e krijuar gjatë qeverisjes së PD-së, ku mesatarisht është shpenzuar 7 për qind e PBB-së për investime dhe është arritur deri në 11 % të PBB për investime. Po të kemi parasysh nevojën e madhe që ka Shqipëria për investime në tërësi, por sidomos për investimet në infrastrukturë dhe rolin e tyre në rritjen ekonomike të vendit, shikojmë që qeveria me taksat e rritura jo vetëm që nuk ka rritur, por ka ulur ndjeshëm investimet publike”.

 Ardian Turku: Asnjë fond për investime në qarkun e Elbasanit

 “Nga investimet madhore publike të filluara më parë, përsa i takon Boshtit të Jugut i cili kalon në territorin e qarkut të Elbasanit, nuk ka asnjë gjurmë nga qeveria që do të fillojë të konturohet gjurma, ndërkohë që dikur ka qenë e planifikuar që në vitin 2014 e nuk ka asnjë shenjë që do të nisë as në vitin qe po vjen.  Autostrada Elbasan – Tiranë vazhdon punimet me ritme shumë të ulëta. Nuk ka asnjë plan apo fond nga buxheti për investime të reja a të mëdha për këtë qark të madh si Elbasani. S’ka asnjë shenjë te investimeve të parashikuara që nga planet e vitit të shkuar”.