Farmacistët kërcënojnë me protesta dhe grevë urie

591
Hartimi i kontratës F-2016, ka krijuar përplasje mes Urdhrit të Farmacistëve Shqiptarë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë, pasi UFSH akuzon FSDKSH-ën për mospërfshirje në hartimin e kësaj kontrate. Përfaqësuesit e farmacistëve kanë reaguar duke akuzuar FSDKSH-në, se nuk ka për qëllim mbledhjen e mendimeve për kontratën F 2016, por thjesht kryerjen e një procedure, e cila do të arkivohet dhe më pas serviret si frymë bashkëpunimi, duke deklaruar më tej, se prej vitesh nuk ekziston një gjë e tillë mes UFSH dhe FSDKSH. Në reagimin e Urdhrit të Farmacistëve thuhet “ Mbetemi të paqartë për faktin se si është e mundur që të interesoheni për të planifikuar zgjidhjen drejt dhe saktë të një kontrate që i takon së ardhmes, kur ju sapo keni realizuar me sukses firmosjen e detyruar të një penalizmi masiv për farmacistët dhe sistemin farmaceutik. Kur nuk ka tendencë (për të mos thënë që e keni bërë qëllimisht) rregullimin e gabimeve të freskëta, si mund të besojmë e të kemi garanci në “qëllimin e mirë” që ju mundoheni të na paraqisni në shkresën Nr. 2977 Prot”. Ndërkohë presidentja e Urdhrit të Farmacistëve Shqiptarë, Diana Toma në kërkesën dërguar drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor Milva Ekonomi, deklaron nevojën që midis Fondit dhe sistemit farmaceutik të hartohet dhe më pas të vendoset një kontratë e cila në themel të ketë: a) Përfaqësim dhe mbrojtje reciproke të interesave të ndërsjelltë. b)Baza të shëndosha dhe orientuese që pacientit t’i garantohet shërbimi më cilësor. c). Transparencë maksimale. d) Stopim të abuzivitetit. Reagimi i UFSH-ës shkon edhe më tej, duke kërcënuar se nëqoftëse nuk realizohet takimi i kërkuar me farmacistët, nuk merren masa konkrete për të ndrequr dëmet e shkaktuara në shtojcën gusht 2015, si dhe nëse nuk përcaktohen garanci ligjore për përfaqësim real, dy palësh në kontratat pasuese, UFSH nuk pranon të jetë pjesë sa për emër e mënyrave dhe formave që ju do të përdorni për të dëmtuar sistemin farmaceutik. Por burime për gazetën “Telegraf” bëjnë me dije se, përfaqësuesit e farmacistëve përveç refuzimit të firmosje së kontratës, kanë paralajmëruar zhvillimin e protestave deri në grevë urie. 
Kërkesat e dialogut të UFSH me Fondin për Sigurimin e Detyruar të Kujdesit Shëndetësorë
Me anë të shkresës Nr. 2977 datë 07.09.2015, FSDKSH i ka bërë me dije UFSH se është në fazën e mbledhjes së mendimeve për hartimin e kontratës së F 2016, duke u vendosur një afat për dërgimin e mendimeve në funksion të kontratës F 2016. Nga ana tjetërUFSH në datë 02/09/2015 me anë të shkresës Nr. 617 Prot, ka kërkuar zhvillimin e një takimi ku ekspertë dhe përfaqësues të farmacistëve të rrjetit të hapur, të diskutonin në lidhje me disa pika si më poshtë: 
1. Njëanshmërinë e theksuar të kontratës dhe shtojcës F 2015.
2. Penalizmin me të padrejtë të farmacisë për elementë të recetës, plotësimi dhe kontrolli i të cilave, s’është,as kompetencë e për rrjedhojë, as detyrim i farmacistit.
3. Vonesat pa asnjë justifikim të likuidimit të recetave.
4. Problemin që shkaktohet me organet tatimore nga plotësimi i formularit të faturës tatimore sipas mënyrës së diktuar prej jush.
5. Gropën e likuiditeteve depo- farmaci si pasojë e futjes së recetave me përshkrim të barnave mbi 1 muaj.
6. Boshllëkun e tregut farmaceutik me barna të alternativave të para, fenomen ky real, por i mohuar nga institucioni juaj si dhe me favorizimin e krijimit të monopoleve prej disa depove të cilat duke përfituar nga situata i diktonin farmacisë të merrte me detyrim dhe barna të tjera veç atyre që farmacisë realisht i nevojiteshin.
7. Kërkesën për informacion, nëqoftëse institucioni që ju drejtoni, ka bërë apo jo një studim mbi fitimin e farmacisë, pasi ju jeni një ndër institucionet përgjegjëse për efektet negative financiare të shkaktuara në farmaci. Jua kërkojmë juve këtë informacion, pasi institucioni juaj është një ndër ato institucione që ka bërë propozim për ulje të marzhit të tregtimit të barnave si dhe përdorimin e marzhit të diferencuar i cili neve na duket i pa vend. Në qoftë se ju e keni një studim të tillë, ju kërkojmë ta reklamoni apo të na e vini në dispozicion që të kemi mundësi të shohim sa real është.
8. Duam të dimë se mbi ç’ bazë ligjore apo rregullore, Fondi ka hartuar kushtet dhe mënyrat e lidhjes së kontratës me farmaci të hapura rishtazi apo që kanë përfunduar penalitetin e vendosur nga Fondi me heqje kontrate ose me rilidhje të kontratave të ndërprera. Kriteret e vendosura s’bazohen mbi mënyrën e hapjes së farmacisë në Shqipëri dhe as mbi rregullin, se sa kjo farmaci duhet të ketë sipërfaqen.
9. Formulimi siç KA, parashikon lë shteg veç për abuzime dhe ju kujtojmë që vetë Fondi është një institucion që e ka monopol blerjen e shërbimit farmaceutik.
11. Duam të dimë, në një kohë kur fryma e qeverisë është ajo e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, urdhrave profesionalë dhe shoqatave të ndryshme, gjë që u shpreh qartë dhe në bashkëbisedimin e zhvilluar me Kryeministrin e vendit dt. 10.09.2015, mbi ç’ baza ju injoroni përfaqësimin dhe përfaqësuesit e një sistemi të tërë siç është ai farmaceutik?!- në një kohë kur ky i fundit ka një institucion të krijuar me ligj për ta përfaqësuar atë. Ky qëndrim është hasur nga ne, jo vetëm në institucioni tuaj qendror, por dhe në degët tuaja të shtrira në rrethe të ndryshme.
11. Mbi ç’ baza bashkëpunimi kontraktual, fryme profesionale, ligjesh, zhvillimesh ekonomike mendoni se funksionon një kontratë dypalëshe shitje-blerje (shitet shërbimi nga farmacia dhe blihet nga Fondi) ku ai që ofron shërbimin e që më pas ia shet shtetit atë, s’gjen të pasqyruar dhe të mbrojtur në mënyrë të saktë e konform ligjit pozitat e veta profesionale dhe për rrjedhoje dhe ato ekonomike?
Sigal