Familjarët në banesa ish-pronarësh: Nëse s’anulohet akti, nga e hëna, protestë në shesh!

516
Sigal

TUBIMI/ Protestuesit në Vlorë: Po afrojnë zgjedhjet dhe sigurisht Qeveria duhet të bëhet e mirë me ish-pronarët

Qindra qytetarë vlonjatë, që banojnë në shtëpitë e pronarëve, kanë tubuar përsëri paraditen e të hënës, përpara Prefekturës së Vlorës. Kërkesa e tyre ka qenë ajo e një jave më parë:  Takim me prefektin Eduard Vençani, përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë në Vlorë. Sidoqë ishte lënë paraprakisht një takim me një përfaqësi të protestuesve, nuk është realizuar as në ditën e sotme. Turmës i është komunikuar se Prefekti nuk është paraqitur në punë në ditën e djeshme, për shkak të një problemi familjar, por kjo nuk ka zbutur turmën, që e egërsuar ka bërë protestën e radhës duke ngritur edhe shqetësimet dhe vendosmërinë e tyre për të vazhduar protestën.

Problemet

Sido që askush nga Prefektura nuk u përball me turmën, ata iu drejtuan Prefektit me zë, duke numëruar një nga një problemet që dalin lidhur me lirimin e shtëpive të pronarëve më 1 nëntor. Në emër të familjeve që kanë kryefamiljarin pensionist është ngritur shqetësimi se pas kontaktit të tyre me drejtues të BKT, u është dhënë përgjigja se nuk mund të marrin kredi, pasi nuk kanë të ardhurat financiare, që ta paguajnë atë. Në këto rrethana kërkohet ndërhyrja e Qeverisë për t’u siguruar banesa sociale dhe deri në momentin që do të sistemohen, ata nuk do të dalin nga shtëpitë, ku qëndrojnë prej një gjysmë shekulli.

Të na falen shtëpitë

Një tjetër kategori e protestuesve janë shprehur se edhe ata gëzojnë të drejtën të mbështeten nga shteti, si të barabartë me shtetasit e tjerë. Pas viteve ’90-të, të gjithë shqiptarët i privatizuan banesat e tyre, duke paguar një shumë simbolike, përse na hiqet ne kjo e drejtë, pse kemi jetuar në banesat që kanë pronarë? Përse është shteti, për të barazuar të drejtat e qytetarëve të vet, kësisoj ose të na japë banesa sociale, të ndërtuar me fondet e shtetit, ose të anulojë aktin për t’ua kthyer shtëpitë pronarëve të hershëm, që tani kanë disa shtëpi. Gjatë protestës një tubues, që kryeson protestën është shprehur se Qeveria nxori aktin për të na nxjerrë në rrugë të madhe më 1 nëntor. Pasi i ka ardhur veza, po afrojnë zgjedhjet dhe duhet të bëhet e mirë me ish-pronarët. Ne e kuptojmë se në çfarë përmasa është ky problem social, por nëse do të ishte një qeveri e mençur dhe të mendonte për qytetarin, duhej të kish hartuar me kohë një strategji, ku të mendoheshin rrugët për të sistemuar këtë shtresë, që nuk ka asnjë faj dhe është më e vobekta.

_____________________________________________________________________________________

QEVERIA TË TËRHEQË AKTIN DHE TË PLOTËSOJË KËRKESAT TONA!

Ajo ka qenë edhe kërkesa kryesore që i kanë lënë Prefektit me shkrim pas protestës, ku i kërkohet t’i bëjë të ditur Qeverisë, që për këto kategori, që nuk kanë asnjë mundësi financiare për të marrë kredinë, të anulohet akti deri në sistemimin e tyre me banesa sociale. Për dy mandate kjo qeveri, padyshim do t’i kish sistemuar këto familje, duke u dhënë edhe këtyre të drejtën për të qenë të barabartë, por duke i kthyer edhe pronat atyre që ju takojnë.

___________________________________________________________________________________

NUK DALIM NGA SHTËPIA, PROTESTA NË RRUGË!

Protestuesit kanë deklaruar se do të rikthehen të hënën e ardhshme përpara institucionit të Prefekturës, jo për të takuar Prefektin, por për të marrë një përgjigje se çfarë ka mundur të zgjidhë Prefekti me Qeverinë e tij, nga kërkesat që i kemi bërë prezent. Nëse nuk na jepet një përgjigje pozitive, protestat do të vazhdojnë në rrugë, duke filluar nga e hëna e ardhshme. Peticioni me kërkesat e tyre, përveç se i është dorëzuar me protokoll Prefekturës, i është përcjellë edhe Kryeministrit Sali Berisha.