Ëngjëll MUSAI* / Akuzat e opozitës dhe transparenca e Olldashit

657
Sigal

Ministria e Transporteve është më transparentja, opozita le të publikojë reklamat e Bashkisë së Tiranës  në kohën e Ramës

 Ditët e fundit  drejtues të opozitës kanë filluar një sulm  ndaj shtypit të shkruar dhe mediave elektronike. Qëllimi i këtij aksioni politik janë  gjoja shpenzimet që janë bërë në fushën e reklamave dhe marketingut, që institucionet e administratës kanë bërë nëpërmjet publikimeve  në media të ndryshme. Themi gjoja, pasi qëllimi i vërtetë i tyre nuk është se i dhimbsen lekët e taksapaguesve, pasi  dhembshurinë e këtyre opozitarëve e tregon fakti se, si janë sjellë ata me paratë e qytetarëve vetëm 1 vit më parë. Këto thërrime nuk janë gjë, përpara njoftimeve dhe milionave, që jepeshin në dy apo tre media “kobure” të këtyre  opozitarëve. Le të hapen letrat e Bashkisë së kryeqytetit, madje edhe të bashkive në rrethe, që drejtohen nga opozita dhe do shihni bëme të papara dhe shpërdorime maramendëse.  Madje, kishte nga këto media, të cilat ishin të specializuar edhe në fushat e pastrimit, lyerjes, gërryerjes, kanalizimeve, kabllove  e plotë e plotë të tjera. Madje, një pjesë e tyre figuronin në QKR në emra anonimësh shqiptarë dhe kontratat firmoseshin  me kompani të huaja për të fshehur gjurmët. Kjo është një histori që kushdo nga opozita le ta rihap dhe ne do i vëmë në dispozicion fakte dhe dokumente origjinale, të cilat nuk janë zhdukur dhe s’mund t’i marrë as rrëmbimi i Lanës, për të cilën janë paguar miliona euro për pastrim, por që lopata dhe çizmet e punëtorëve nuk u lagën kurrë për të hequr qoftë edhe një shishe plastike. Ne nuk i dalim në mbrojtje maskaradës së ministrit të Mbrojtjes  Arben Imami, as Majlinda Bregut, që do njihet në histori si dështimi i integrimit, as minoritarit Spiro Ksera, që ka bërë batërdi, duke vënë si kryekomisioner Shefin e Kabinetit,( shiko raportet e KLSH-së), as ministrin e Bujqësisë, Rulin, njeriun që jo vetëm hëngri kokrrat, por shkuli nga rrënjët drurin e arrës, as ministrin Bode e plot e plot të tjerë si këta. Sulmi që i bëhet Ministrisë së Transportit është turpi i vet opozitës. Nëse nuk dinë të pyesin. Nëse kanë inate personale ndaj Olldashit, le të thonë nuk duam Olldashin, por jo të hedhin baltë mbi mënyrën më transparente që kjo ministri dhe ky ministër ka bërë në shpërndarjen dhe reklamimin e punës së tij. Olldashi dhe Ministria e Transportit është modeli më i shkëlqyer dhe ndoshta unikal i kësaj marrëdhënieje midis medias, qytetarit dhe publikut. Nëse Imami i privatizon objektet ushtarake pa njoftim, kjo nuk do të thotë se Olldashi është fajtor pse i publikon shpronësimet dhe u jep mundësi shqiptarëve  të njihen dhe të ketë transparencë për to në drejtim të sipërfaqeve dhe vlerës. Nëse Ministria e Transporteve do i bënte pa publikim, atëherë sulmi ndaj Olldashit do ishte  i paimagjinueshëm dhe do e akuzonin për fshehje apo mungesë transparence.  Përse nuk merret me Ministrinë e Brendshme opozita? Apo pas saj fshihen lidhjet nepotike të funksionarëve të PS-së me drejtuesit e Administratës Publike dhe Blerta Selenicën, titullaren e këtij institucioni . Ky është fakt dhe abuzim skandaloz, ku kjo zonjë ka firmosur hedhjen në rrugë të mijëra socialistëve dhe për zëvendësimin e tyre me emra të paaftësh, janë paguar miliona në media të preferuara për t’u thënë se ju jeni fitues i “KONKURSIT” të saj. Përse nuk merret PS-ja me spotet e Ministrisë Brendshme, që bënin thirrje se po dolët në protestë, më 21 Janar, do ndëshkoheni ? Dhe pasojat dihen. 4 të vrarë, dhjetëra të plagosur dhe qindra të rrahur dhe arrestuar. Përse nuk merren me reklamat e AK-së të Ushqimit, të Portit, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bankës Botërore që konsumojnë paratë dhe kreditë që do i paguajnë një ditë brezat e shqiptarëve. Nëse ka rast më skandaloz, që opozita duhet të ngrejë në këmbë të madh e të vogël, është  skandali dhe babëzia e CEZ-it. Përse nuk ndihet opozita për këto vjedhje skandaloze  që po varfërojnë çdo ditë shqiptarët dhe po i kthen në kohën e kandilit? Sigurisht, hesht, sepse në disa media të preferuara të saj ka hyrë si ndërmjetës ” Caci” i dikurshëm dhe këto media predikojnë fatin  e madh që u ka rënë shqiptarëve që nga dita kur mbërriti CEZ-i. Shikojini faqet e tyre, në media të shkruara dhe elektronike, edhe on-line, po deshët, se si  lartësojnë ditëzinjtë e kësaj kompanie. Le të merren me KESH-in dhe Engjëll Zeqon e emëruar nga fshati i Metës dhe do shihni se çfarë është bërë me tenderat. Ja këto janë abuzime skandaloze dhe që kapin shifra mbi 500 milionë euro në vit. Le të merren me skandalet e bankave dhe kontratat e kredive dhe do shohin  masakrën  që  Bankës CREDINS bën me paratë e nëpunësve, duke futur bankomatë edhe brenda institucioneve të sigurisë, si ajo e Imamit, Panaritit etj. Por me këtë po merret gazeta “Telegraf” dhe do shihni lidhjet farefisnore dhe historitë e lojërave në bursë, midis këtyre, që sot drejtojnë bankat dhe atyre që duhet të ushtrojnë kontroll. Do shikoni se kush janë aksionerët e vërtetë dhe kush janë emëruar në bordet e tyre.  Ja këto janë fakte, me të cilat duhet të merret opozita dhe të kërkojë  vënien para përgjegjësisë të shtetarëve dhe të kërkojë largimin e kësaj qeverie dhe jo të merret më të vetmin institucion, që është treguar më transparent deri më sot, sikurse është Ministria e Transporteve. Është e paimagjinueshme heshtja që opozita bënë ndaj skandaleve pa fund të Ujësjellësit të Tiranës, rritjes së çmimeve, largimeve nga  puna e plotë të tjera. Sigurisht që,  sugjerimet dhe kritika jonë është dashamirëse dhe se ata që për interesa të tyre sulmuan Ministrin e Transporteve, sepse ju prishën pazaret e ndonjë tenderi  rrugësh, futën indirekt në rrugë të  gabuar edhe vet liderin e PS-së.  Ndaj, edhe sulmi  kundër Olldashit, është një sinjal për të tërhequr me dhunë dhe presion një pjesë të mirë të medias, pas vetes. Nëse vërtetë opozita duhet të merret me një problem madhor,  është të zbërthejë dhe t’u kërkojë llogari institucioneve të shtetit, për shuplakën që u dha raporti i OSBE-së. Por me këto çështje madhore që ngre raporti , në lidhje me drejtësinë, korrupsionin, pronat, votën e lirë, etj., opozita nuk merret. Arsyen,  përse nuk  ka kurajo, e di vetëm ajo. Ne, si media, do të donim t’i kujtonim  një shprehje  plotë dhembshuri dhe sinqeritet të  Nënë Terezës, që thotë:  ” Nëse nuk mund të bëni dot gjëra të mëdha, mundohuni të bëni gjëra të vogla, por me dashuri  të madhe”.

*Drejtor i “Telegraf”

_____________________________________________________________________________________

MINISTRIA E TRANSPORTEVE: EDI RAMA SPEKULON ME GJOJA SKANDALIN E REKLAMAVE

Detyrohem të dal përsëri përpara jush, pasi spekulimi i zotit Edi Rama, me gjoja skandalin e reklamave të qeverisë vazhdon ende, si një shenjë e mungesës totale të mendimit politik, alternativës, mençurisë dhe ndershmërisë së opozitës dhe kryetarit të saj.

Për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij debati pa kuptim sqarojmë se: Që nga viti 2005 e deri më sot, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe institucionet e saj të varësisë, kanë shpenzuar në botime 177 milionë lekë. Në këtë shumë, 113 milionë lekë, ose 64. %, e zënë njoftimet e shpronësimit:

– 27 milionë lekë, ose vetëm 15 % e zënë spotet informuese,

– 23 milionë apo 13 % e zënë njoftimet për prokurime publike,

– 14 milionë ose 8 % e zënë njoftimet për koncesione.

Sikurse duket qartë nga shifrat, pjesën kryesore, me 64 për qind të fondit total, e zënë njoftimet për shpronësime.  Njoftimet për shpronësim publik janë botuar në të gjitha të përditshmet në vend, “Panorama”, “Koha Jonë”, “55”, “Tema”, “RD”, “Standard”, “Telegraf”, “Gazeta Shqiptare”, “Metropol”, “Expres”, “Mapo”, “Republika”, “Korrieri”, “Sot”, “Albania”, “Shekulli”, “Shqip”, “Ballkan”. Në këtë aspekt, ministria ka respektuar në mënyrë rigoroze ligjin dhe është e gatshme ta vërë të gjithë dokumentacionin dhe procedurën në dispozicion të kujtdo, sikurse e kemi vënë në dispozicion edhe të Partisë Socialiste, menjëherë sapo u kërkua prej tyre.  Z.Rama, nuk mundet të gënjejë ditën për diell, kur vetë ai, në të gjitha vitet që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, ka publikuar njoftime vetëm në tre gazeta, Shekulli, Shqip dhe Gazeta Shqiptare. Sigurisht, as kjo që ka bërë zoti Rama nuk është shkelje e ligjit, por është qartësisht klientelizëm. Por, çfarë janë 190 milionë lekët që përmend Edi Rama? Së pari nuk janë 190 milionë, por 19 milionë dhe kjo është gënjeshtra e parë e dhjetëfishtë e zotit Rama. Së dyti, janë para që nuk kanë shkuar në xhepat e kompanisë “Promo”, por në llogaritë e tre televizioneve kombëtare, “TVSH”, “Klan”, “Top Channel”. Këtu janë dy kontratat që vërtetojnë se 19 milionë lekë u paguan për të transmetuar dy spote, i pari 40 sekonda, për 31 ditë transmetim në TVSH, 31 ditë transmetim në “Klan” dhe 31 ditë transmetim në “Top Channel”. I dyti, 30 sekonda, për 31 ditë transmetim në TVSH, 31 ditë transmetim në “Top Channel” dhe 31 ditë transmetim në “Klan”. Pra kemi qenë të barabartë në shpërndarje, duke respektuar një kriter të ndershëm, sikurse është ai i televizioneve kombëtare. Ndryshe nga zoti Rama, që ka ndjekur linjat klienteliste të përdorimit të pushtetit për të influencuar shtypin, pasi në të gjitha vitet që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, ka publikuar njoftime vetëm në dy televizione lokale, “Vizion +” dhe “News 24”, dhe vetëm në një televizion kombëtar, “Top Channel”, ne u jemi drejtuar tre televizioneve kombëtare, atyre që kanë audiencën më të lartë dhe që prekin më shumë qytetarë. Zoti Rama nuk mund dhe nuk duhet të gënjejë ditën për diell, qoftë edhe duke keqpërdorur z. Shalësi, apo samarxhinj të tjerë, pasi gënjeshtrat nuk janë ajo çka presin socialistët prej tij, gjithmonë nëse ka mbetur ende ndonjë që pret.