Familjarët: Edhe qindra urdhra të vijnë, nuk i lirojmë banesat e ish-pronarëve

613
Sigal

AKTI NORMATIV/ Dështon aksioni i Përmbarimit. Pjesëtarët e dy familjeve rrethojnë shtëpinë në shenjë proteste

Ditën e djeshme ka dështuar një aksion i Përmbarimit për të nxjerrë forcërisht disa familje në lagjen nr.11 të qytetit të Durrësit. Pjesëtarët e familjarëve, të cilët u mbështetën edhe në një tubim, tip proteste nga të pastrehët e tjerë, pjesëtarë familjesh që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve në Durrës nuk lejuan policët që të hynin në banesat e tyre kur ata kanë shkuar për t’i nxjerrë ata nga banesat. Dy familje në Lagjen 11, kryesisht gra të moshuara, që banonin pranë ish-Maternitetit të Vjetër, kanë bërë rezistencë ndaj lirimit të banesave, ndërsa me ta janë bashkuar edhe persona të tjerë. Banorët thonë se, nuk kanë mundësi strehimi pasi të dalin nga shtëpitë e ish-pronarëve. Ata deklaruan se, nuk kanë asnjë mundësi jetese dhe se jetonin vetëm me pensionet e tyre, gjë që, ju hiqte mundësinë për të marrë kredi dhe se gjendja shëndetësore e tyre ishte tepër e rënduar. Familjet e skeduara për t’u nxjerrë jashtë banesave sipas aktit normativ, ishin familjet Sofokli Andreas dhe të Iljaz Iljazit, që të dy të vdekur vite më parë. Në këto banesa jetonin pasardhësit e tyre, gratë e tyre me fëmijët. Ernest dhe Myzejen Andrea, me probleme shëndetësore. Si dhe Ilmija me vajzën dhe mbesën. Ata u bënë gardh para dyerve të tyre dhe deklaruan se, vetëm të vdekura do të dilnin nga banesat. Ata treguan se jetonin në kushte të rënda, dy familje me një banjo jashtë çdo kushti higjenik.

Solidarizimi

Shumë banorë të tjerë të Durrësit që jetojnë në të njëjtat kushte janë solidarizuar dhe kanë mbështetur vendimin e banorëve për të mos dalë nga shtëpitë. Ata thanë se, gjendja është e rëndë. Për ta zgjidhur këtë duhej të ndërhynte edhe pushteti lokal që të zgjidhte çështjen e strehimit të tyre dhe më pas të bëhej lirimi i banesave. “Jemi dakord t’i marrin se pronat e tyre janë”, thanë disa pjesëmarrës në prezencë të kësaj ngjarjeje, por ku do të shkojnë kështu të panjeri siç janë dhe të sëmurë e me mosha të thyera. Kjo ka qenë tentativa e parë për lirimin e katit të dytë të ndërtesës, e cila me vendim të Entit të Banesave iu rikthye pronarit të ligjshëm. Zyra e Përmbarimit u ka lënë një afat prej 10 ditësh banorëve që ta lirojnë vetë shtëpinë, në rast të kundër do të bëhet nxjerrja e tyre me forcë. Para një muaji Enti i Banesave në Durrës shpërndau 50 urdhër-ekzekutimet e para për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve. Në qytetin e Durrësit ka rreth 900 familje që jetojnë prej shumë vitesh në shtëpi të tilla.