Familja e dy kosovarëve që humbën jetën në Durrës: Edi Rama nuk na dha 16 mijë eurot që na premtoi

269
Sigal

Një vit më parë qyteti i Durrësit me rrethinë u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe brenda një kohe të shkurtër u rrënua shumëçka. Dhjetëra persona vdiqën, mijëra të tjerë u plagosën si dhe u rrënuan mijëra shtëpi e ndërtesa të banueshme.

Në mesin e viktimave të tërmetit të Durrësit u konfirmuan edhe dy kosovarë, Shemsedin e Isa Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, të cilët humbën jetën tragjikisht në gërmadhat e hotelit “Tropikal” në Durrës.

Djemtë nga Gjilani kishin marrë rrugën për Shqipëri me qëllimin që të gjenin punë e ta ndihmonin financiarisht familjen, por disa orë më vonë tërmeti lëkundi fort hotelin ku po qëndronin, nga i cili më pas u nxorën pa shenja jete.
Pas vdekjes së tyre, njerëzit e vullnetit të mirë u mobilizuan dhe e ndihmuan familjen e tyre për ndërtimin e tri shtëpive të reja.

Tani familja Abazi ka kushte më të mira, por Luljetën, nënën e djemve të mbytur në tërmet, nuk e gëzon ky fakt, sepse ka shumë mall për Shemsiun e Isën.
Në një rrëfim, Luljeta Abazi është shprehur mirënjohëse ndaj të gjithë personave që e ndihmuan atë për ndërtimin e shtëpive të reja, megjithatë thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë.

Luljeta thotë se kryeministri shqiptar Rama nuk ua ka dhënë akoma 16 mijë eurot e premtuara.
“Shteti jonë na ka ndihmu, por Edi Rama i premtoi ato 16 mijë euro për gratë (bashkëshoretet e djmeve), por asgjë s’ju ka dhënë, e jo fëmijët me i shkollu deri në master qysh ka thanë. 16 mijë euro janë folë me jau dhënë grave, asnjë cent nuk jau ka dhënë. Për ndërtimin e shtëpive na kanë ndihmuar njerëzit, Zoti i shpërbleftë. Populli na ka ndihmu”, tha ajo.

Gazeta Express do të konfirmojë edhe në kabinetin e Qeverisë Rama nëse paratë e premtuara do t’i ekzekutojë në xhirollogarinë e familjes dhe pse ka ndodhur vonesa njëvjeçare.
Gjithsesi, 12 muaj pas ngjarjes së trishtë, Luljeta Abazi ditët i përshkruan katastrofike e netët pa gjumë.

Tërmeti me magnitudë 6.4, epiqendra e të cilit ishte 16 kilometra në jugperëndim të Mamurrasit, la të vdekur 51 persona, mbi 3 mijë tё plagosur, shumë objekte të dëmtuara që kapin vlerën e dëmeve 985 milionë euro.
Sipas informacioneve zyrtare në mesin e 51 personave që humbën jetën, ishin edhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç.

Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet. Dëmet u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe në fshatin e Kodër-Thumanës.