Si tentoi policia të rrëmbejë juristen e Teatrit Kombëtar pse filmoi ndihmat në Ministrinë e Brendshme

596
Sigal

Policia ka tentuar të arrestojë aktivisten Adriana Kalaja e cila në mëngjes filmoi momentin kur makinat me ndihma po zbarkonin tek Ministria e Brendshme.

E gjithë skena është filmuar nga aktivistë të tjerë të Aleancës për Teatrin. Ata kanë replikuar me policët, duke e penguar arrestimin e Kalasë.

Darvin Zalla shkruan në Facebook

“Tentative për arrestim të paligjshem nga policia. Dhe s’ mjafton kjo. Por u perpoqen ta nxirrnin me force nga makina. Pa treguar asnje dokument ndalimi. Nuk do lejojme askend te instaloje diktaturen ne kete vend. I zbrapsem. Aleanca dhe Adriana Kalaja na keni gjithmone në krahe. Rama ik”

Më herët Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) kallëzoi penalisht 2 përfaqësuesit e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, M.J. dhe E.M. për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Sipas Ministrisë së Brendshme pamjet e publikuara janë pako ushqimore, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale gjatë një operacioni të zhvilluar më datë 28.11.2019, për t’u magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, me urdhër të Prokurorisë.

Pra ministria pretendon se nuk janë ndihma për të pastrehët, ato që ka filmuar Kalaja, por “prova materiale”. Por, ky pretendim është i çuditshëm sepse nuk ka ndodhur më parë që provat materiale të kapura në kushtet e flagrancës të hyjnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kalaja: Jam e frikësuar, Lleshaj të merret me hajdutët e ndihmave, jo me denoncuesit

Aktivistja Adriana Kalaja ka dhënë një prononcim, pasi i shpëtoi arrestimit policor në pedonale, pranë Teatrit Kombëtar. Ajo vetë ka rrëfyer se gjithçka ka ndodhur pasi denoncoi në facebook, pakot me ndihma që zbarkonin në Ministrinë e Brendshme.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku bën pjesë edhe znj. Kalaja ka publikuar deklaratën e saj.

Adriana Kalaja apelon që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj të ndalojë reprezalen nga qytetarëve, aktivistëve dhe gazetarëve që denoncojnë abuzimet që po bëhen me ndihmat e njerëzve që kanë mbetur pa strehë nga termeti. Znj. Kalaja kërkoi të që arrestohen hajdutët dhe jo denoncuesit.

“Nga ky pushtet kriminal çfarë nuk pret. Janë janë gjëra normale në këtë vend, kur denoncon një vjedhje pushteti të vihet nga pas… Policia nuk kap grabitësin, kap denoncuesin”, u shpreh ajo.

Kalaja përshkroi momentin kur u ndalua nga policia.

“Hapa xhamin e makinës dhe ju thashë se jam duke komunikuar me avokatin. Sapo hapa xhamin fusin dorën në mënyrë të dhunshme dhe më terhoqën zvarrë për të më futur në makinën e policisë. Iu kërkova fletën e shoqërimit. Si ka mundësi që vijnë 6 vetë, grabitës edhe pengmarrës me uniformë policie dhe thonë të shoqëroj në komisariat…?!

Për fatin tim të mirë erdhët ju (aktivistët e tjerë të Aleancës) dhe më shpëtuat nga banditët. Jam e kërcënuar dhe e frikësuar nuk kam bërë asgjë, kam bërë vetëm një denoncim. Ministri Lleshaj të merret me ata që po i vjedhin ndihmat jo me denoncuesit”. /abcnews.al