Faik Islami: “Flaka e shuar”… e Arshin XHezos !

560
Kisha vite pa e takuar Arshin Xhezon, ish-gazetarin e veçantë të “Zërit Popullit”. Qysh nga koha kur që të dy punonim gazetarë e gjer këtë ditë. Mu duk se, ai nuk kishte ndryshuar ose më mirë shumë pak kishte ndryshuar. Ndoshta nga që konstrukti i tij, i thatë, por “si dru thane”, ka bërë që vitet pak të veprojnë me atë “erozionin karakteristik” të ligjit natyror, që i tjetërson njerëzit dhe gjithë qeniet, si fizik, si pamje. Arshini mu duk po ai që njihja unë. Ndoshta se shumë prej të njohurve të dikurshëm kanë ndërruar aq shumë tabiatet e sjelljet, sa nuk të mbetet kohë, të perceptosh më tepër. Arshinit nuk i kam dëgjuar dhe nuk i pashë ndryshime. Ndaj, ndofta, aty për aty, përzier edhe nga një turbullirë mendimesh e shqetësimesh, që kisha ndërsa ecja rrugës, duke fol me vete (ky sistem mund të përcaktohet edhe si sistemi i të folurit me vetveten), mu kujtua një shkrim i Arshinit, me titullin;
Flaka që dogji gardhet
Shkrimi i Arshinit kishte marrë fillesën nga një përvjetor i kooperativës së parë, ngritur në Shqipëri, në vitin 1946-të, në Krutje të Lushnjës. Dhe me entuziazmin e gazetarit vizionar, ai sillte të mirat e kolektivizimit, të bashkimit të parcelave në Krutje, bashkimit të pronësive individuale të tokave, në pronësi të përbashkët. Dhe jo thjesht e mira vinte se ato bashkoheshin si pronësi e të gjithë anëtarëve, por sepse krijoheshin kushtet, për mekanizimin e proceseve. Për investime me efektshmëri të shumanshme, për qarkullimet bujqësore. Shkurt për një tërësi masash efektive, sepse ishte shkenca ajo që do të paraprinte. Përfundimin e atëhershëm të Arshinit, unë si specialist i fushës, e pata quajtur jo vetëm një qëndrim të ndershëm shkencërisht por, mbi të gjitha shkencërisht shumë të nevojshëm. 

Kjo ka qenë arsyeja, që atë shkrim e kam sjellë në mëndje shumë herë, në këto vitet me sistemin, “fringo të ri “! E kam sjellë sepse për të njëjtat arsye i kam quajtur dhe i quaj shumë “të poshtra”, regresive, qëndrimet e shumë politikanëve injorantë, specifikisht të shumë ekonomistëve, që heshtën apo ca më keq që u bien borive, të cilat kanë çuar në ndarjen e pafundme të ngastrave të tokave arë nga ajo bujqësore, si pasojë e ripronësimit. Sepse është gjithashtu “i poshtër në pafundësi”, cilido qoftë argumentimi “shkencor”, që ua nënshtron qëllimeve të jashtme, njeriun që përpiqet t`ia përshtati shkencën një qëndrimi, që nuk buron kurrsesi nga interesi i saj, në dobi të gjithë shoqërisë, të ecjes përpara të saj. Në këtë çerek shekulli, shkencërisht kemi ecur gjithnjë mbrapsht në këtë drejtim. Më shumë se kushdo do të duhet të ulin kokën ekonomistët që më shumë kanë torrovitur për lartë e për poshtë vetëm taksat e tatimet që janë pasoja dhe jo shkaqet. Dhe kjo duhet pranuar hapur, e me zë të lartë! Ndryshe kurrë nuk do bëjmë dot kthesën, për ta parë drejt në sy “flakën e shuar”, të Arshin Xhezos.
E zhbëra veç një herë zhbëhet
E kam trajtuar disa herë, që situata e një bujqësie me elementin themelor tokën arë të fragmentarizuar në mbi pesëqind e pesëdhjetë mijë ngastra është kthim në tipin e “bujqësisë së neveritur”. Nuk ekziston “tip shkence”, që të merret me këtë lloj bujqësie, përveç Ministrisë së Bujqësisë Shqiptare. Është kjo arsyeja pse të gjitha qeveritë e këtyre viteve kanë bërë dhe po bëjnë vetëm e vetëm propagandë të përbuzshëm, krejt boshe. Fondet jepen për qëllime tërësisht korruptive, pa projekte të mirëfillta zhvillimore e për pasojë sot, pas një çerek shekulli në gjoja sistem, mburremi se kemi eksportuar diku tek 22 mijë tonelata prodhime bujqësore, apo se ato i kemi pasur aq bio sa të tjerëve do tu bjeri zali pa provuar këto “biot” tona. Pika kësaj propagande kaq mjerane! Kur Izraeli, me po afërsisht të njëjtën sipërfaqe toke, me të njëjtin sistem politiko-shoqëror, me bujqësi pa reshje, eksporton katërqind herë më shumë se neve, të vendit me bujqësi me reshje! Këtu ku jemi katandisur dhe këtu po vetë gënjehemi me broçkullat e kësaj qeverisjeje, krejtësisht të paaftë, për ta parë dhe analizuar me rrënjë gjendjen. Tokat nuk mund të ribashkohen prapë, për njëmijë e një arsye Por mund dhe duhet të fillojë puna e programuar puna e projektuar, puna shkencore, pikërisht nga po kjo gjendje, për të mund të pasur të njëjtin rezultat prodhimtarie në shkallë kombëtare! Ç`duhet bërë?
Qeverisja t`i drejtohet shkencës 
Vëmendja e qeverisjes duhet përqendruar në zonën fushore, atë të bujqësisë potencialisht të fortë! Në këtë zone, me plane shkencërisht të studiuara, mbështetur me fondet, me përqendrim, të mund të arrijmë të marrim rendimentet maksimale dhe për pasojë edhe vetëshlyerjen e shpejtë të kreditimeve përkatëse, që sot për sot janë zero në bujqësi, në këtë drejtim. Sepse nuk mundet të kenë hajër fondet e planifikuara të qeverisjeve, kur ato mbeten në dorë… vetëm të gruas së deputetit Tavo. Sigurisht, pse ajo është grua deputeti dhe jo një radhiko, por me dije shkencore të plota (që prapë nuk do të ishte e arsyeshme, sepse mbetej po në dorë të një njeriu të vetëm, qoftë ai edhe ëngjëlli vetë, kur bëjmë fjalë për autoritetet shkencorë ), pra do të ishte e mbara, e mira të ishin ne dorën e një organizmi të mirëfilltë studiues e planifikues shkencor. Sigurisht që nuk është faji i saj, për peshën aq të rëndë të asaj “torbe me pare”, se sa i qeverisjes me mentalitet kusar e shpërdorues, aspak me sens zhvillimor. Se nuk paragjykoj se ato fonde janë përvetësuar, por se ato nuk kanë shkuar atje ku do të jepnin efektivitetin e mundshëm, të argumentuarin shkencërisht, të provuarin, ja si tek serat. Lind pyetja; si mundet të destinoheshin fondet, për efektshmëri të lartë dhe ku pikërisht? Me efektivitet do të ishin në Lushnjë dhe jo kudo në Lushnjë, por në Dushk, për shumë e shumë arsye shkencore, në Divjakë, tek ish perimorja e Institutit të Lushnjës, e plot zona të Fierit, Beratit, Vlorës, Durrësit, Tiranës, Lezhës, Shkodrës etj. Atje ku edhe do të mund të ngrihen terminalet e domosdoshme, për këto qëllime.

Shkencërisht është provuar se nga një hektar serë, me një investim prej rreth 400.000 euro mund të merret prodhim, qysh në vitin e parë të investimit sa 12-15 hektarë të mbjellë në të nëjtën fushë, por pa mbuluar si serë. Nga një hektar serë e sistemit “Hidoponik”, janë provuar se merren 55 kg domate për metër katror, ose aq sa mund të merren në një sipërfaqe prej gati 40 hektarë tokë fushore. Dhe këtë prodhim e merr në muajt; Dhjetor, Janar, Shkurt e Mars! Dhe këto që përmendëm janë gjëra të para me sy, të provuara dhe të njohura prej atyre që dinë të punojnë me tokat, dhe të çojnë shoqërinë e tyre përpara. Këto ditë, më një grup fermerësh të kësaj zone vizituam rrethinat e Mantovas dhe Breshias, në Itali, të ftuar prej Kompanisë Hidromeçhanica Luçhini, kompani e cila merret me ndërtimin e ambienteve të mbrojtura, në Itali, por njëkohësisht lider për gjithë Evropën jugperëndimore, e në gjithë botën. Gati e tërë zona ishte mbuluar nga sisteme të ndryshme serash, me destinacione mbjelljesh të shumëllojshme. Vetëm brenda tre muajve të fundit, ishin ndërtuar 400 hektarë me sera, nga të cilat gati gjysma, të sistemit me ngrohje, me gaz. Italia e tetëshes industriale botërore ndërton me vrull serat me ngrohje! Sistemi i tyre ishte e tipit me jo më pak se 8-9 metra të larta, në kulmet. Ky brez gjeografik është gati i njëjtë me tonin, në zonën e bujqësisë fushore, të bujqësisë fortë.

Nga një hektarë serë, të mbjellë me sallatë të llojit “valeriana” , aty merreshin 30.000 kg për hektarë dhe prodhimi dilte nga sera me çmimin 3 euro për kg. Të kemi parasysh se mbillej në serë tre deri katër herë brenda vitit kultura e sallatës! Dhe sipas pohimit të Mr. Massimo Luçhinit, (një ndërtues shumë i fuqishëm në Rusi, në tregun rus, ky varietet sallate, shitej me pakicë me 45 euro kilogrami.(U dashka marrë mishi ruseve mendova!) Me siguri- i thashë vetes, nëse futemi në ndërtimin me këto tip serash, prodhimi do të dali prej derës së serës, me 4 euro për kilogram, për shkak të distancës shumë më të afërt se ajo e serave të Mantovas. Mbase do të futemi dhe neve, kur ta kemi qeverisjen që meriton; kjo tokë e ky popull! Mbase !
Të investojmë me urgjencë, në ndërtimin e serave
Politikanët, qeverisësit e këtij vendi, le të vidhnin sa tu vinte për dore, se as vetëtimat nuk iu bëjnë derman, nuk i vrasin! Por të lenë ca, pa i vjedhur, për tu investuar në sera. Bie fjala, nga 125 milionë euro te vjedhura nga aferat me CEZ-in, sikur pesë milionë të kaloheshin, për investim në serat, do te kishim sot 35 hektarë me sera. Të cilat ne vitin e dytë do të shlyenin tërë investimin dhe në vitin e pestë do të shlyenin tërë shumën e vjedhur popullit të varfër, nga afera e politikanëve me CEZ-in! Duhet të paguajë me punën e vet populli i varfër, për majmen me korrupsion e vjedhje të kësaj klase politike tërësisht kusare dhe kriminale, dëshmuar vetëm me berrihajin e faktet e lëshuara, javën që shkoi. Në këto kushte, le “tu lutemi” politikanëve dhe qeverisëseve kusarë e kriminelë … “të vënë dorën në zemër”, duke kthyer kokën nga bujqësia! Mbase lutjet mund të zënë vend! Ç`të bëjmë tjetër, para “flakëve të shuara”..të Arshin Xhezos ?
Sigal