Evdal Nuri: Vrasjet, aksidentet dhe vdekja si proces biologjik  

379
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

…Por kemi dhe vetëvrasje dhe plagosje, të cilat  në numër janë më tepër se të parat.    Ligji kryesor në biologji është se, të gjithë qeniet e gjalla, lindin,  rriten, zhvillohen, shumëzohen, plaken e në fund, thahen bimët, ngordhin kafshët e vdesin njerëzit. Tek shoqëria njerëzore ndodh që ky ligj të mos zbatohet, nga vrasjet, aksidentet e vetëvrasjet.

Shqipëria e treta në Evropë për vrasjet në raport me popullsinë.

Pothuajse çdo ditë na shqetësojnë e shpesh na lënë pagjumë. Shqetësohemi kur dëgjojmë se ndodhin tre vrasje në ditë, Shkodër, Tiranë, Sarandë. S’na  ze gjumi kur burri vret gruan e var veten. Në Tiranë vjehrri vret dhëndrrin. Në Peqin vritet njeriu për një grusht të para disa vjetëve. Në Elbasan në 50-ditë pesë vrasje me armë! E kështu vrasjet s’kanë të sosur ! Tek ne vdekjen nga jeta, e ndanë një fije peri . Në katër muajt e parë kemi patur 70 vrasje .Bilanc shumë shqetësues. Numri më i madh i ngjarjeve kriminale janë pikërisht  nga armët pa leje. Janari 2021 ka regjistruar në total 74 armë pa leje, të evidentuara. Problemin e armëve që shteti nuk i grumbullon,e kemi ngritur dhe herë tjetër, por asgjë  nuk ka ndryshuar. Vrasjet në vendin tonë  janë në nivele alarmante krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.

Aksidentet 

Me shifra shumë të frikshme u mbyll muaj maj. Në një muaj u regjistruan 120 aksidente, ku për pasojë janë 20 viktima. 26 persona kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërsa të dëmtuar lehtë, janë 105 qytetarë. Nëse do shohim periudhën janar-maj të këtij viti, janë 90 të vdekur në total. Sipas ekspertëve rrugorë dhe policisë rrugore, shkaqet kryesore të aksidenteve janë disa. ”Shpejtësia e lartë, konsumi i alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, përdorimi i celularit dhe parakalimet e gabuara që bëjnë shoferët”. Këto janë shkaqet për numrin  e  lartë të aksidenteve. Del e domosdoshme forcimi i kontrolleve e ndëshkimi i shkelësëve të rregullave të qarkullimit, me masa konkrete.

Ankthi e depresioni = 215 vetëvrasje vitin e fundit

Covid-19, ka bërë që tek një pjesë e konsiderueshme e popullatës  të konstatohen shqetësime të shëndetit mendor, të manifestuara kryesisht nëpërmjet simptomave të ankthit, e në raste të caktuara edhe të depresionit. Përjetimi i stresit dhe ankthit është një reagim normal në kushtet në të cilat jetojmë, por përshkallëzimi në intensitet dhe kohë i këtyre shqetësimeve psikologjike, mund të çojë në çrregullime mendore, ndaj është e domosdoshme që shqetësimet të identifikohen dhe të trajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Kushtëzimet dhe izolimi i detyruar e bën më të vështirë kërkimin dhe marrjen e ndihmës profesionale, ndaj është e domosdoshme që vetë individët të  bëjnë përpjekje vetjake për trajtimin e shqetësimeve mendore që mund të kenë. E theksoj këtë, mbase në këtë situatë, askush s’ka mendjen të merret me këto shqetësime.  Njerëz të cilët jetojnë me ankthin dhe depresionin njëkohësisht e ndajnë këtë me të tjerët.  Depresioni dhe ankthi  shfaqin secili simptomat e tyre. Sikur të mos mjaftonte fakti se jetesa me njërën prej tyre është  e lodhshme. Kjo situatë ka treguar se nuk është e pazakontë të jetohet me ankth dhe depresion në të njëjtën kohë. E kjo kohë na erdhi dhe pse s’e deshëm!
Jetesa me ankthin dhe depresionin është një luftë  me veten në përputhje me gjendjen shendetësore, ekonomike, shpirtërore, sociale që na rrethon.   Shumë njerëz në këtë situatë ndihen më të vetmuar dhe të depresionuar. Ankthi të  pengon nga jeta  sociale dhe private. Depresioni  ka ringjallur ‘plagë të së kaluarës” Ndjejnë nevojë për të arritur diçka, por nuk kanë vullnetin ta bëjnë këtë. Kur jemi në depresion gjatë gjithë kohës mendojmë se jemi  në njësituatë fizikisht e psikologjikisht e vështirë, sepse nuk është izolimi shoqëror mënyra si punojmë ne, si qenie njerëzore. Do të ketë disa që do të jenë mirë. Ka të tjerë që do t’u lejë pasoja, ndofta të pariparueshme .               


Vdekjet si proces biologjik

Shqiptarët  s’pyesin për vdekjen! S’e kanë  fare për gajle. Të vrasin me thikë, çekiç, sopatë, levë, për një karikues, të mbysin, të djegin, të helmojnë. Me  këto njihemi, pothuajse çdo ditë  në ekranet televizive. Aq sa na trondisin e na bëjnë me dhimbje koke. Në botë jepen në fund si njoftim e jo si lajm kryesor e të përsëritura ditë të tëra. Këto me pa të drejtë shfrytëzohen politikisht! Arsyet janë nga më të ndryshmet: Një zënkë, xhelozia, larje hesapesh,  për një copë tokë, prona, gjakmarrje  e tjera. Vrasësit bëhen pishman, por  është vonë! Ata justifikohen me gjaknxehtësinë, pijet alkoolike, xhelozi  e tjerë. Vetëm tek ne ndodh që vret vëllai – vëllanë, i biri t’anë, burri, gruan e shumë arsye të tjera. Dhe viktimat reagojnë në prag të vdekjes: “Mos më vrisni se kam fëmijë”, “Hape derën nënë se po më vrasin ….!” Këto  e të tjera janë thirrjet që bëjnë njerëzit në prag të vdekjes, por dhe vrasësit pendohen e justifikohen! Disa filozofë e quajnë vdekjen një proces biologjik. Frika më absurde është frika nga vdekja. Vdekja s’ka të bëjë, as kur jemi të vdekur e as të gjallë. As të gjallë sepse në këtë moment ajo nuk ekziston, dhe as të vdekur, sepse në këtë moment jemi ne që nuk ekzistojmë. Vdekja s’ka lidhje as me të gjallët e as me të vdekurit, përderisa ajo nuk është asgjë për të parët dhe të fundit s’janë asgjë për të. Sado e tmerrshme qoftë, vdekja është e pafuqishme të zhdukë jetën. Ajo mund të zhdukë vetëm ekzistencën fizike të saj, por jo shpirtërore. Të gjallët s’mund të jetojnë plotësisht jetën e tyre, kurse të vdekurit s’mund të vdesin plotësisht. Sa mirë do të ishte sikur ky predikim të ishte i  vërtetë! Si e vlerëson bota fenomenin e vdekjes? Dhjetëvjeçarët e fundit janë shkruar shumë libra dhe artikuj shkencorë në lidhje me frikën nga vdekja. Megjithatë, shumica e njerëzve parapëlqejnë të mos mendojnë fare për vdekjen. Por vdekja është realitet dhe herët a vonë, do të na duhet të mendojmë për të. Jeta e njeriut është shumë e brishtë. Çdo ditë vdesin mesatarisht më tepër se 160.000 veta! Çdo vit 59 milionë, ose 2  në sekondë. Ekspertët e kanë klasifikuar frikën nga vdekja në disa kategori. Në to përfshihen frika nga dhembja, frika nga e panjohura, frika për vdekjen e të afërmve dhe frika nga pasojat që mund të sjellë vdekja. Më kryesorja nga këto është frika që të mos ekzistosh më. Pavarësisht nga bindjet fetare që kanë, shumë njerëz i tremb ideja se vdekja është fundi i gjithçkaje. Dhe shkenca u fryn flakëve të kësaj frike.

Vdekja si pjesë e jetës

“Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë”. Ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Po ashtu dashuria, urrejtja. Pra, nuk habitemi që shumë njerëz, të cilët në dukje besojnë me devotshmëri në jetën e përtejme, thellë brenda tyre tmerrohen nga ideja se një ditë nuk do të ekzistojnë më. Vështirë për t’i besuar, por ka edhe nga ata që vdekjen e kanë pranuar lehtësisht dhe e kanë shfrytëzuar varrin e tyre për të dhënë mesazhe të forta. “Më lini të qetë, jam duke fjetur”,  janë fjalët e një vajze që ka zgjedhur ta përshkruajë vdekjen shumë lehtësisht si një gjumë që e dëshironte. Një prind i kishte shkruar mbi varr djalit: “Pse o bir, kaq pa edukatë, të shkosh në varr para se yt at”.  Kurse një tjetër: “Vdekja jote ne na ndau, kurse kjo imja do t’na bashkojë përsëri”.  Madhështia e Zotit është se të gjithë ankohen nga kjo Botë, por askush s’do të ikë prej saj! Po e përfundoj ashtu s’i  nuk e nisa. Sido që të jetë: “Vdekja është armikja reale e njeriut”! Mundohu ta largosh në të gjitha mënyrat, edhe pse  është prezente e na shoqëron në çdo hap të jetës, prandaj  jeto jetën, ashtu s’i të vijë.