Teksa tensionet në Lindjen e Mesme kanë tronditur tregjet globale të naftës, shumë vende të Europës Juglindore kanë ndërmarrë masa për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, si ulje akcizash apo vendosje tavani për çmimet në pompë.
Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Thuajse të gjitha pikat e karburantit tashmë kanë ngritur çmimin në qiell, pa filluar ende rritja në tregjet globale, por ndër dy operatorët e parë dhe më të zellshmit për abuzim kanë qenë ESP dhe Bolv Oil, të cilët kanë rritur çmimin e naftës nga rreth 175 lekë në 200 – 205 lekë për litër, një rritje e menjëhershme që rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët, në një treg ku karburanti është prej kohësh ndër më të shtrenjtët në Europë.
Ajo që ngre më shumë pikëpyetje është mungesa e reagimit nga qeveria. Ndërsa vendet e rajonit ndërhyjnë për të mbrojtur konsumatorët, në Shqipëri nuk ka as kontroll dhe as masa ndaj rritjeve të dyshimta të çmimeve.
A fshihen interesa klienteliste pas kësaj heshtjeje që lejojnë operatorët e mëdhenj të veprojnë pa asnjë pengesë në treg?
Lidhur me këtë ditën e hënë grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Kuvend një projektligj që synon të detyrojë qeverinë të marrë masa automatike për kontrollin e çmimeve të karburanteve në raste krizash energjetike globale.



















