Erisa Xhixho: “C’est la vie” një rastësi që po e përjetoj si një eksperiencë të veçantë

756
Gjithnjë e kemi parë nën petkun e politikës duke qenë shpesh zëri i femrave të LRI dhe LSI pranë Monika Kryemadhit. Por kësaj radhe, ajo vjen në një paraqitje krejt të re për të gjithë ne. Kush e priste se do ta shihte në këtë eksperiencë kaq të bukur, siç e përshkruan dhe ajo. Nën kryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho këtë vit, përveç gjithë impenjimeve të shumta si pjesë e LSI apo edhe impenjimeve në punë në Fakultetin e drejtësisë ku jep mësim me kohe të plotë, është dhe pjesë e show-t të njohur “C`est la Vie`”. E entuziazmuar, ajo flet në një intervistë për Gazetën “Telegraf” për këtë eksperiencë të saj ku e cilëson si një ndër më të bukurat që i ka ndodhur dhe që do ta mbajë gjatë në mendje. Më tej Erisa na rrëfen impenjimet e saj të shumta mes punës dhe familjes, ku një ndër detajet që spikat është se lë çdo lloj angazhimi që ka në moment kur Henri i vogël ka nevojë për të. “Unë lë çdo gjë kur ai ka nevojë për mua dhe i qëndroj pranë, atë fjalën që ‘ti nuk ishe kur doja unë’, dua ta dëgjoj sa më pak”, thotë Erisa. Nuk dua të humb asnjë moment të Henrit, dua t’i jap vëmendjen që meriton.

Si nis një ditë e Erisa Xhixhos?
Sapo zgjohem puth djalin dhe i përgatis mëgjesin, me pas vazhdoj punën në fakultetin e Drejtësisë, UT ku jam rikthyer duke dhënë mësim me kohë të plotë dhe padyshim angazhimet e partisë.Tani një kohë të mirë ma merr dhe “C’est la vie”, sepse provat janë intensive edhe pse ju e shikoni njëherë në javë ne na duhet shumë përgatitje për të arritur deri në skenë. Ne kemi fatin që kemi produksionin që na mbështet shumë dhe punojmë shumë që spektakli të dali sa më mirë 

Sapo the që pjesën më të madhe të kohës ta merr “C’est la vie”, kjo është një eksperiencë e re për ty, si po e përjeton këtë rrugëtim? 
Ka qënë një rastësi shumë e bukur mendoj, është një ndër eksperiencat më të bukura. Unë e prita me shumë dëshirë, pavarësisht se familjarët e mi dhe shoqëria ishin pak spkeptikë në fillim, por dalëngadalë e ndryshuan mendimin. Më ka pëlqyer gjithmonë pjesa e artit e muzikës të jep një energji shumë pozitive dhe po e përjetoj si një eksperiencë të veçantë që jo rrallë herë të vjen mundësia për të qënë në skenë dhe për të kënduar me artistë profesionistë siç është Erik Lloshi, Era Rusi dhe i gjithë stafi, është një botë tjetër nga ajo e politikës apo e mësimdhënies.

Si u gjendet ju në “C’est la vie”? 
Ka qenë Adi Hila një nga drejtuesit e “C’est la vie” , më kishte dëgjuar më përpara pasi ne kemi bërë një këngë me partinë kur unë drejtoja LRI dhe kemi qenë në studion e Adit për ta rregjistuar këngën “Duam më shumë Shqipërinë” dhe aty Adi Hila më dëgjon e më thotë se kisha vesh të mirë muzikor. Si duket e mbante mend këtë gjë dhe, kur kanë menduar personazhet, kanë menduar të më kenë dhe mua pjesë e këtij programi.

Cili ka qenë personi i parë që ju i kini thënë që unë do jem pjesë e “C’est la vie”?
Personi i parë ka qenë Monika që me ka dhënë shumë inkurajim, siç është Mona shumë mbështetësë për iniciativa të tilla dhe shumë guximtare për të thyer tabut. Pastaj ka qenë padyshim bashkëshorti, i cili u shtang në fillim më tha deri dje ke qenë në fushatë elektorale e tani po na del në skenën te “C’est la vie” ( qesh) ishte pak skeptik faktikisht, por kur e kuptoj se unë e kisha me shumë qejf, padyshim që më dha suport.

A ka Erisa pasione të tjera?
Po unë e kam thënë edhe në një intervistë tjetër që aktrimi është një pasion që unë e kam zbuluar në gjimnaz, kam punuar tre muaj për ta vënë në skene shfaqen“Valsi i Titanikut” ku na kanë ndihmuar regjisorët e akademisë së arteve, luaja rolin kryesorë në atë shfaqje.

Duke pasur gjithë këto angazhime si e menaxhon Erisa kohën, sa kohë kalon me djalin dhe bashkëshortin? 
Unë gjithmonë kam qënë një njeri që më është dashur të menaxhoj kohën. Edhe kur mendova që do isha pak më qetë ja ku erdhi “C’est la vie” (qesh). Padyshim që me ardhjen e Henrit në jetë çdo gjë ka ndryshuar dhe ai është qëndra e botës, mundohem maksimalisht qe të jem pranë tij nuk dua të humb asnjë moment edhe kur ka angazhime që janë shumë të rëndësishme, nëse Henri ka nevojë të jem pranë, t’i shkoj dhe kaq. Besoj që familja është e shtrejtë për mua dhe si çdo prind dua që ta dëgjoj sa më pak fjalinë “që ti nuk ishe aty kur unë kisha nevojë për ty” kështu që mundohem të jem sa më shumë pranë tij fundjavave, pasditeve sa më shumë të mundem .

Është Erisa një mami e rreptë apo toleruese? 
Së pari, jam një mami e dashur dhe këte e thotë dhe familja ime. Nuk mund të them akoma se jam e rreptë apo tolerante, pasi Henri është vetëm 1 vit e gjysmë, por jam strike për ca gjëra dhe tolerante kur duhet te jem.

Cila është përralla që ju i tregoni djalit çdo natë para se ta vini në gjumë? 
Kemi një përrallë tani “Poku Camaroku” dhe ai i thotë “kopu” nuk e thotë dot tamam kjo është një përrallë që ia ka blerë gjyshja dhe ne e lexojmë çdo natë para gjumit, pastaj përrallat që jam rritur unë me kecat dhe borëbardha vazhdojnë të jenë ende në fuqi. Unë i këndoj djalit çdo natë (qesh) me ato ninullat e mia të shpikura e ca të dëgjuara, por ai fle me këngë, me zërin tim që kur ka qenë i vogël e deri tani. Henri është një fëmijë i shkathët, i qeshur (me ka ngjarë mua) dhe i qetë, kjo është një gjë e mirë pasi harmonia familjare përçohet dhe tek fëmija. 

Cila është marrëdhënia me vjehrrën? 
Unë jam me fat që kam vjehrrën të tillë, e përkushtuar me djalin sa herë ne kemi nevojë, është shumë e disponueshme dhe diskrete në marrëdhënie. Më jep dhe këshilla kur ajo e shikon të arsyshme, është vërtet shumë e kujdesshme, e dashur dhe unë e dua fort. 

Tre tipare dalluese të Erisës?
Kam përshtypjen; energjia dhe pozitiviteti më dallojnë nga të tjerët.

Ç’është dashuria sipas jush? 
Eh unë kam nja 10 vite me Enean, tani jemi bërë të lashtë. (qesh) Dashuria është përveç pasionit e përkushtimit, respekt dhe besim ndaj parnerit. 

A është xheloze Erisa?
Patjetër që jam xheloze, por e shpreh me diplomaci (qesh). 

Çfarë urren më shumë Erisa Xhixho? 
Mosmirënjohjen nuk e suportoj dot fare. Mosmirënjohja e shkatërron karakterin e njeriut.

Çfarë nuk mungon në çantën e Erisës? 
Kuleta dhe celulari nuk mungon kurrë. 

Era Çela
Sigal