Enti i Banesave del kundër familjeve që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarësh

572
Sigal

DURRËS/ Kryebashkiaku, Vangjush Dako: “Ky është një problem i madh social që Qeveria po ia kalon pushtetit lokalë”

Me qindra familjarë që banojnë në shtëpitë e ish-pronarësh janë dyndur para Bashkisë së Durrësit për të kërkuar ndihmë nga kjo bashki, pas udhëzimit të qeverisë, që në 1 nëntor banesat t’u kthehen ish- pronarëve të tyre. Me qindra prej tyre janë dyndur në dyert e Kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako, i cili shprehet se ky është një problem i madh social, të cilin qeveria kërkon ta kalojë nga përgjegjësia e saj,  det pushteti lokal, ku Bashkia e Durrësit ka edhe peshën më të madhe, sepse ka 1000 familje që dalin në rrugë. Realisht familjet në ish-prona të pronarëve kanë 20 vite që janë mbajtur peng  vit pas viti nga të gjitha qeveritë, si socialiste edhe demokratike. Shteti nuk është treguar i vullnetshëm për të gjetur një zgjidhje dhe as nuk ka dhënë fonde financimi serioz për të ulur gradualisht numrin e familjeve në pronat e ish-pronarëve. “Tani që qeveria nxori aktin normative të KM të marsit 2012 situata është ndërlikuar edhe më tej, ndërsa fare pak shpresa ka që kjo qeveri e sotme të marrë përsipër për të dhënë zgjidhje ligjore duke i përplasur para dyerve të pushtetit lokal e qindra banorë, që nuk kanë asnjë çati mbi kokë dhe nuk kanë, ku të shkojnë”, tha Dako.

Familjarët

Këto shtëpi gjenden gjithandej në Durrës e në periferi. Pjesa më e madhe e familjeve që presin të sistemohen diku tjetër për të liruar pronat e ish-pronarëve jetojnë në kushte skandaloze: pa punë, pa strehë, pakujdesje shëndetësore etj.. Këto objekte gjenden në lagjen numër 1, lagjen numër 4, 5, 11. Banesat gjenden në zemër të Durrësit si në të dy anët e bulevardit dhe të rrugës tregtare, mbi Vollgë, pranë Amfiteatrit, tek sheshi “Azem Hajdari”, përgjatë rrugës “Skënderbeu”, mbi gjykatë tek Kodra Sefer Efendiut dhe në shumë zona të tjera. Përgjithësisht janë objekte një-dy a- trekatëshe, por ka edhe pallate. Me kalimin e viteve ka të tilla që kanë pësuar shtesë kati duke e ndërlikuar edhe më tej çështjen e kthimit të pronës, ndërsa të tjera janë rrënuar dhe bërë të pabanuara. Shteti edhe para viteve 1990 edhe pas viteve 1992 nuk ka treguar kujdes duke lënë rrënimin e tyre në mënyrë të pandërprerë.

Reagimi

Kreu i Bashkisë Dako tha për “Telegraf” se: “Me propozimin e bashkisë, Këshilli Bashkiak ka vendosur që familjet që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve të vlerësohen me 10 pikë më shumë, përsa i përket kriterit të shpërndarjes së banesave sociale nga Bashkia e Durrësit, por kjo gjë nuk është miratuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Janë 2650 kërkesa të regjistruara nga komisioni i strehimit në Bashkinë e Durrësit për ndarjen e hyrjeve të reja 1+1 dhe 2+1, ku 120 apartamente janë përfunduar dhe 180 të tjerë janë në proces ndërtimi”. Dako thotë se mund të strehohen një e treta e këtyre familjeve, ato të cilat kanë nevojë urgjente, por Enti i Banesave e ka kundërshtuar këtë propozim. “Menjëherë na ka ardhur një shkresë që thotë që nuk duhet të jenë të favorizuar ata që janë strehuar në shtëpitë e ish-pronarëve, por duhet të jenë në kushte të barabarta si të gjithë familjet e tjera në nevojë për strehim. Në këto kushte ka mbetur përsëri për t’u rifutur sistemi i pikëzimit, duke përjashtuar favorizimin e atyre që janë strehuar në shtëpitë e ish-pronarëve”.