Entela Binjaku: Shqipëria respekton të kaluarën dhe punon për të ardhmen

686
Intervistë Mircea Perpelea, Ambasadori i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë


Shkëlqesia e Tij Zoti Mircea Perpelea është Ambasadori i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë nga muaji korrik i vitit 2016. Zoti Perpelea është një personalitet i spikatur në jetën shoqërore në Rumani, me një përvojë 10-vjeçare në një pozicion drejtues në “Bankën Kombëtare të Rumanisë” dhe ka dhënë një kontribut të vyer në fushën e administratës publike si Prefekt i Rrethit “Vëlçea”. Zoti Perpelea ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm në Marsejë të Francës. Ka titullin “Doktor” në shkencat elektroteknike dhe ekonomike. Është profesor në “Shkollën Kombëtare të Shkencave Politike dhe Administrative”. Autor i nëntë librave dhe një numri të madh artikujsh në fushën elektroteknike dhe ekonomike. Punimet e Zotit Perpelea janë botuar brenda dhe jashtë Rumanisë. Ato janë pjesë e Bibliotekës së Universitetit të Bukureshtit. Është i përkushtuar pas leximit, udhëtimeve dhe adhuron kohën që kalon pranë familjes. Më poshtë do të gjeni intervistën e Zotit Perpelea për publikun shqiptar. 

Zoti Ambasador, si e pritët ardhjen në Shqipëri? 
Z. Mircea Perpelea: Ngela i kënaqur nga mbërritja këtu, sepse ishte më mirë sesa e prisja ose më mirë se informacionet, që marrim zakonisht. Pashë një vend me një përqasje të shpejtë drejt vlerave evropiane, i cili merr përsipër përgjegjësitë dhe bën përpjekje të guximshme. Respekton të kaluarën dhe punon për të ardhmen. Këto gjëra na japin besim se gjendemi në një çast pozitiv për marrëdhëniet midis vendeve tona, duke u bazuar në përvojat e shkuara dhe planet e përbashkëta për të ardhmen.
 
Cili ishte mendimi juaj rreth zhvillimeve në Shqipëri, para se të vinit këtu? 
Kam lexuar shumë rreth historisë së Shqipërisë dhe ngela emocionalisht i kënaqur nga të përbashkëtat midis nesh, për faktin se Rumania ka qenë pranë Shqipërisë në çastet e saj kryesore historike si Pavarësia. Të përbashkëta besoj se do t’i gjejmë edhe në këtë periudhë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, edhe pse e di se kjo nuk do të jetë e lehtë. Jam i bindur për dëshirën e popullit shqiptar dhe drejtuesve të tij dhe jam i sigurt se do të bëjnë të gjitha hapat e nevojshme për të arritur sistemin e vlerave evropiane. 

Cilat janë lidhjet midis Rumanisë dhe Shqipërisë në vitin 2017?
Besoj se lidhjet midis Rumanisë dhe Shqipërisë janë në rritje dhe e them këtë si nga baza e përbashkët e afërsisë, mbështetjes dhe respektit të ndërsjellë, por dhe nga rruga e përbashkët, të cilën të dyja vendet duan ta përshkojnë për t’u kthyer në vende me vlera të forta evropiane. Këto afërsisë përforcohen nga shumëllojshmëria e lidhjeve politike, kulturore, shkencore dhe sa vjen e më shumë edhe ato ekonomike. Më shumë se kaq, komuniteti i rëndësishëm arumun në Shqipëri, luan një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. 

Cili është komuniteti arumun tani dhe a konsiderohet minoritet kombëtar? 
Ky është një subjekt i rëndësishëm dhe duhet trajtuar në mënyrë korrekte. Këtë minoritet etnik e konsiderojmë si pjesë të popullit shqiptar me tradita, zakone dhe gjuhë të lidhur me Rumaninë, ashtu si dhe në Rumani ekziston një popullsi shqiptare, e cila ruan traditat e shtetit të origjinës, Shqipërisë. Ne i mbështetim në ruajtjen e zakoneve, traditave madje kanë edhe një përfaqësim në Parlamentin rumun. 

Si mund të përmirësohet perceptimi i opinionit publik shqiptar për Rumaninë? 
Besoj se duhet punuar më shumë nga të dyja palët, në mënyrë të veçantë mas-media, e cila duhet të pasqyrojë më shumë elemente të përbashkëta nga jeta e njerëzve, elemente të lidhura me minoritetin. Në Rumani, në “Televizionin Kombëtar” është një emision me titull “Bashkëjetesa”, në të cilin pasqyrohet jeta e minoriteteve. Shqiptarët në Rumani kanë botimet e tyre, kanë aktivitete të veçanta. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë dhe në Shqipëri. 

Cilat janë mesazhet tuaja për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian? 
Mesazhi i parë është stabiliteti, për faktin se në një zonë me stabilitet të ndjeshëm, efektet e një gjendjeje të qëndrueshme janë shumë të rëndësishme. Mesazhi i dytë do ishte vazhdueshmëria, përfshirja dhe dëshira për të përfunduar projektet. Besoj se mesazhi më i rëndësishëm do ishte ai i përdorimit me mençuri të përvojës së vendeve të tjera në rrugën e tyre drejt Evropës. Në këtë drejtim, Rumania mund të jetë një nga pikat e referimit, duke pasur dhe gatishmërinë e plotë për të qenë në krah të popullit shqiptar në dëshirën e tij, të drejtë për të qenë pjesë e vlerave evropiane. 
Sigal