Ëngjëll Musai: Grabitqarët e licensave të specialiteteve përballë hipokrizisë se Kongresit të Shëndetësisë

155
Sigal

Analiza/ Ëngjëll Musai, Drejtor i Telegraf: Ministria e Shëndetësisë po detyron specialistët që të largohen, pasi një grup shoqatash për në interes të xhepit po nxjerrin kleçka nga më skandalozet.Si seminaret e detyrueshme, ku mjekët duhet të paguajnë afërsisht 70-80 USD, dhe për të mos humbur licensën në 15 seminare për të plotësuar kreditet duhet të paguajë rreth 1200 USD. Babëzia për para rrezikon shëndetin e qytetarëve, pasi nëse mjekët detyrohen të shkojnë 2 ditë nëpër konferenca spitalet dhe poliklinikat mbeten bosh.

Në kongresin për shëndetësinë që u zhvillua, në godinën më të madhe, që dikur zhvillonte kongreset PPSH, kryeministri Rama deklaroi se do të bëjmë çmos për të motivuar personelin mjekësor që të qëndrojë në Shqipëri. Madje u tha se pagat në shëndetësi do të rriten me 7%, pavarësisht se inflacioni është rritur me mbi 30% dhe çmimet janë dyfishuar. Por nëse qeveria u mundua të kujdeset për specializantët dhe bëri shumë mirë me pagesat prej 500 USD, ministria e Shëndetësisë vepron në të kundërtën dhe po detyron specialistët që të largohen, pasi një grup batakçinjësh që kanë krijuar lloj- lloj shoqatash për hesap të tyre dhe në interes të xhepit po nxjerrin kleçka nga më skandalozet që t’ua mërzisin punën. Specialistët e pakët që kanë mbetur në Shqipëri që të rimarrin licencën e profesionit duhet të marrin një sasi të caktuar kreditesh, në të kundërt humbasin profesionin e specialistit edhe pse kanë nga 20-30 deri 40 vjet në këtë profesion. Fjala bie, një specialist i okulistikës, ORL-së, reumatologjisë, neuro-kirurgjisë, gjinekologjisë, dermatologjisë duhet të ketë 150 kredite, ndryshe kthehen në mjek të zakonshëm. Kjo është marrëzi dhe turp, pasi qëllimi dihet: Specialistët duhet të shkojnë në të gjitha llojet e seminareve, edhe pse nuk u hyn në punë ky lloj seminari. Fjala bie: një specialist i okulistikës duhet të shkojë në seminaret vjetore të dermatologjisë, kirurgjisë, gjinekologjisë, psikiatrisë e me radhë që të marrë kredite. Në një seminar që bëhet 1 herë në vit ka vetëm 10 kredite. Që të rimarri licencën e specialistit,edhe pse mjeku ka gradë shkencore, duhet të shkojë tek 15 seminare të specialiteteve të ndryshme, sepse vetëm kështu ai mund të plotësojë kreditet e mjaftueshme që janë 150. Po do thotë dikush përse bëhet kjo gjë? Kjo bëhet, sepse krerët e shoqatave kanë bërë një marrëveshje të heshtur dhe të fshehtë me njëri tjetrin për të mbushur xhepat e disa “mashtruesve”, por që pasojat i vuajnë qytetarët duke dëmtuar rëndë edhe imazhin e vetë ministrisë së Shëndetësisë që hesht, por mbi të gjitha të qeverisë shqiptare. Kjo bëhet pasi në çdo seminar duhet të paguash afërsisht 70-80 USD, dhe në 15 seminare që duhen për të plotësuar kreditet çdo mjek specialist duhet të paguajë rreth 1200 dollarë. Kjo është e tmerrshme. Këto para nuk i merr shteti, as ministria e Shëndetësisë, por i marrin shoqatat. Pse ndodh kjo? Sepse kështu i kanë vënë vetë kriteret shoqatat. Ka dhe një mundësi tjetër që shoqatat u kërkojnë mjekëve të shkojnë në konferenca jashtë vendit me paratë e tyre, ku duhet të paguajnë udhëtimin, hotelin, konferencën dhe duhet të lënë me ditë të tëra vendin e punës bosh. Përsëri pasojat i vuajnë qytetarët se mbeten spitalet dhe poliklinikat bosh. Nëse një spital ka 2 mjek në rrethe, ai duhet të vijë 2 ditë në Tiranë, por mbetet urgjenca bosh në spitalet e rretheve. Po të vijë vetëm njëri mbeten pa marrë kreditet, sepse konferencat nga e cila do fitojnë 10 kredite, bëhet 1 herë në vit!

“Ministria e Shëndetësisë po detyron specialistët që të largohen, pasi një grup që kanë krijuar lloj- lloj shoqatash për hesap të tyre dhe në interes të xhepit po nxjerrin kleçka nga më skandalozet. Si seminaret e detyrueshme, ku mjekët duhet të paguajnë afërsisht 70-80 USD, dhe në 15 seminare për të plotësuar kreditet çdo specialist duhet të paguajë rreth 1200 dollarë”

Ndoshta duhet ta kuptojnë “bejlerët” e rinj të shoqatave se, kreditet fitohen jo vetëm me konferenca, por edhe me studime, madje të botuara, të publikuara në televizione, revista mjekësore dhe shkencore. Por kreditet fitohen edhe me profilaksi! Që do të thotë që 1 mjek i ORL, apo okulistikës, lëkurës, duhet të shkojë në një fason, punishte, ndërrmarje, ku ka punë me zhurma dhe t’ju spegojë puntorëve dhe specialistëve si të mbrohemi nga zhurmat, si të mbrojmë sytë, si të ruhemi nga lëndët kimike etj etj. Duhet të shkojnë nëpër shkolla, universitete, madje edhe në kopshte dhe të bashkëbisedojnë se si nuk duhet futur asnjë send në vesh, sepse krijon probleme deri në invaliditet; të mos mbajnë lapsa apo pirunj se i nxjerrin sytë njëri tjetrit; që punëtori që punon me lëndët kimike  duhet të ketë maskë, doreza etj etj. Ka me dhjetëra raste që mjekët duke zhvilluar këto takime i shërbejnë profilaksisë dhe detyrimisht edhe shpenzimeve që do i paguajë shteti nga pasojat e pakujdesisë po u shtruan në spitale. Pikërisht këto duhet të vlerësohen me kredite, ashtu sikurse edhe temat dhe referimet në mediat kombëtare dhe  lokale, revistat mjekësore dhe gazetat duhet të vlerësohen me kredite. Po me tema mjekësore dhe botimet merren gradat shkencore, ndërsa agallarët e shoqatave nuk i njohin, për të vetmin fakt se duan t’i bëjnë qoka njëri tjetrit nëpërmjet xhiros së pagesave.

“Babëzia për para do rrezikojë shëndetin e qytetarëve, pasi nëse mjekët detyrohen të shkojnë 2 ditë nëpër konferenca mbetem poliklinikat bosh dhe  urgjenca bosh në spitalet e rretheve. Kështu me një dorë deklaruan bonus për mjekët, me tjetrën u marrin me atë të seminarëve”

Ja disa nga problematikat dhe mënyrat e zgjidhjes së kësaj katrahure artificiale, të cilat duan ndërhyrje të menjëhershme nga ministria e Shëndetësisë, për zgjidhjen e ngërçit, i cili do i shërbejë jo vetëm qytetarëve, por edhe imazhit të qeverisë, të cilën po e baltosin disa abuzues që e shohin shoqatën jo si shërbim, por biznes personal:

  1. Si numër janë shumë 150 kredite, për arsye se shoqatat në Shqipëri maksimumi bëjnë një konferencë në vit, që vlerësohet 10 kredite. Për 5 vjet nuk mund të marrësh më shumë se 50 kredite në Shqipëri në specialitetin përkatës. Ndryshe nga vendet e tjera, si përshembull në Itali, Francë, bëhen shumë konferenca në qytete të ndryshme.2. Kreditet nuk mund të lidhen me licensën ose të drejtën e ushtrimit të profesionit, të cilën mjekë dhe infermierë e fitojnë mbas dhënies së provimit për licensën dhe kur janë profesionistë të lirë, që nuk punojnë në një institucion shëndetësor ose dalin në pension, kjo e drejtë nuk mund t’ju hiqet.

    3. Kreditet duhet të lidhen në vartësi të institucionit ku punon, i cili është përgjegjës dhe në bazë të ligjit për financimin dhe mbështetjen që duhet t’i japë për kreditet dhe në vartësi të aftësive dhe vendit ku punon. Kjo faktikisht nga institucionet shëndetësore nuk ka një plan për ngritjen profesionale dhe mbështetjen financiare të tyre, qoftë edhe nga të ardhurat, që sigurohen vetëm nga institucionet.

    4. Në sigurimin e krediteve ka një diskriminim ose pabarazi midis mjekëve, që punojnë në Tiranë dhe atyre, që japin mësim të cilët nëpërmjet aktivitetit të përditshëm të mësimdhënies sigurojnë pothuajse gjysmat e krediteve. Kurse një mjek në periferi ose në një qytet të largët i duhen shpenzime të mëdha për të marrë pjesë në një Konferencë, të cilat zhvillohen pothuajse në Tiranë (rruga, fjetja), dhe mundësia e pjesëmarrjes kur ata janë specialistë të vetëm nëpër rrethe, sepse nuk mund të lënë punën dhe të vijnë në konferencë.

    5. Numri i pakët i konferencave ka bërë që të ulet dhe niveli shkencor i tyre për arsye se rendet më shumë për ato konferenca, që kanë më shumë kredite, pavarësisht nga niveli i tyre. Kështu që mjekët venë e marrin pjesë dhe në konferenca që i interesojnë shumë pak për formimin e tyre.

    6. Përgatitja profesionale ose siç quhet edukimi në vazhdim, i profesionistëve në fushën e mjekësisë mendoj se duhet të jetë një bashkëpunim midis institucionit Q.K.E.V dhe institucioneve shëndetësore ku ushtron funksionin e vetë, mjeku ose infermieri, me një hartim të detajuar të nevojave për të marrë pjesë në konferenca të ndryshme të mbështetura financiarisht, sipas vendit dhe specializimit të çdo profesionisti, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë e lidhur me licensën e mjekut. Këtu mund të sugjerojmë që dhe edukimi në vazhdim duhet të përcaktohet dhe me kohën e punës dhe moshën e çdo profesionisti.