Shërbimet e FAST Albania, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas i dënuar për krime kundër personit fshihej në Belgjikë.
Informacioni është shkëmbyer në kohë reale me partnerët belgë, nëpërmjet rrjetit ENFAST dhe, si rezultat, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, u mundësua lokalizimi, kapja në Belgjikë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit:
Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë.
29-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Nasi Hodo në Shqipëri, me qëllim kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit, 13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim.






















