Elbasan, CEZ bën dënim selektiv

629
Sigal

Prej dy javësh një fshat i tërë pa energji elektrike, nuk merret e njëjta masë për debitorët e fshatrave përreth

Banorët e Fshatit Benë të Komunës Labinot Mal në Qarkun e Elbasanit prej më se dy javësh ankohen për ndërprerje të energjisë elektrike nga ana e CEZ-it. Kjo masë sipas tyre është padrejtësi dhe dënim selektiv, pasi edhe fshatrat e tjerë janë debitorë po aq sa ata, por nuk po vuajnë kufizimet e energjisë elektrike. Përveç kësaj banorët e zonës ngrenë edhe probleme të tjera, siç janë mos dërgesat e faturave mujore. Ishin banorët e këtij fshati me në krye Kryeplakun Xhaferr Duraku që u drejtuan pranë gazetës për problemin e krijuar. Fshati Benë është një nga fshatrat më të varfër të Komunës së Labinotit, një nga fshatrat që mungon rruga automobilistike, ku tërmeti i para disa viteve krijoi mjaft problem për banorët e zonës. Ky fshat kufizohet me Bulqizën, Tiranën dhe Librazhdin, ku për të shkuar atje duhet të udhëtosh shumë herë në këmbë, për shkak të mungesës së rrugës.

Ankesat

Nga fshati sipas kryetarit ka shumë familje që janë larguar për në qytetin e Elbasanit ose në zonat e ulëta të qytetit dhe nuk kanë paguar energjinë elektrike, tarifën që ju takon dhe kjo ka bërë që të penalizohen edhe ata që paguajnë. Ndërkohë sipas Arif  Kolës, 70 vjeç, bëhet e ditur se që nga 1 shkurti i vitit 2010 nuk më ka ardhur asnjë faturë e energjisë elektrike nëpër shtëpitë e banorëve të zonës. “Kam kërkuar disa herë faturën për të paguar energjinë elektrike, por nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe tani neve penalizohemi”. Një tjetër banor Dalip Korra nga fshati Benë 2, me numër libreze 59817, thotë “unë i kam paguar lekët një për një përse duhet që të penalizohemi të gjithë, më janë shkatërruar të gjitha produktet që kam patur në frigorifer, kush e mban përgjegjësinë për këtë? Ndërsa Xhevdet Korra thotë se “CEZ vepron shumë gabim, madje mos pagesat i merr me kamatë vonesë për ata që nuk paguajnë, por harron detyrimet, po për neve që na ka rënë në qafë kot kush paguan, nuk kuptoj se çfarë bëhet. Kemi shkuar një përfaqësi për tu ankuar me përfaqësuesit e CEZ-it në Elbasan, por asnjë përgjigje, ku kemi qenë së bashku me kryetarin e Komunës, askush nuk na priti. Madje dhe një kabinë elektrike që është në Benë 2, energjia që ajo prodhon vjen shumë e dobët në shtëpitë tona. Na duhet dhe ky penalizim. CEZ duhet të gjobisë ose presë energjinë atyre që nuk kanë paguar, por jo të dënohemi në përgjithësi”, tha Korra.