Eksportet rriten me 41% në tetë muaj

76
Sigal

Eksportet kanë përshpejtuar sërish rritjen në muajin gusht. Ato janë ndihmuar kryesisht nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, sidomos për naftën.

Sipas INSTAT, në gusht 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë. Kjo është një rritje me 48,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vitin e shkuar efektin kryesor e dha nafta, materialet e ndërtimit e metalet.

Për 8 mujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 328 mld lekë, duke u rritur me 41,0 %. Ato janë ndikuar nga ndërtimi, metale, mineralet, lëndë djegëse, energji dhe tekstile dhe këpucë. Sipas INSTAT gjatë muajit gusht 2022, në rritjen e eksporteve prej 48,1, % pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +19,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +5,6 pikë përqindje.

Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive. Problem mbetet fuqia punëtore. Sipas INSTAT, eksportet e tekstilit dhe këpucëve u rritën me 22% me bazë vjetore për 8 mujorin. Sektori e ka marrë veten pasi në dy vitet e pandemisë u godit më shumë nga rënia e kërkesës.

Edvin Premçe nga Shoqata e Eksportuesve pohon se ka rritje. Ai thotë se ka një rritje për mbushje magazinash nga porositësit, por jo se kanë rritje edhe ato në shitje. Sipas tij, frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë nje ngërç dhe ulje të porosive.

Materialet ndërtimit dhe metalet kanë pësuar rritje të ndjeshme të eksporteve me rreth 61% në 7-mujor. Përfaqësues të sektorit bënë më dije se rritje po udhëhiqet nga çmimet e larta. Megjithatë kjo nga ana tjetër po ndikon në frenimin e kërkesës. Në gusht, Kurum International, një ndër eksportuesit më të mëdhenj njoftoi mbylljen e përkohshme të fabrikës së prodhimit të çelikut.

Shkak u bënë çmimet e larta të energjisë. Kompania ka vijuar me eksportet edhe në gusht, pasi kishte stok. Efekti pritet që të ndihet në shtator.

Bankers Petroleum dyfishon shitjet në vlerë, por jo në sasi

“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” u rritën me 62% për 8 mujorin. Në korrik eksportet e këtij grupi u dyfishuan.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se në vlerë eksportet janë pothuajse dyfishuar në gusht.

Kështu ato kanë arritur në 22.8 milionë dollarë, nga 14.5 milionë dollarë në gusht 2021.

Por, në sasi nuk ka pasur ndonjë rritje. Diferenca ëhstë shkaktuar nga shtrenjtimi i çmimeve si dhe sigurimi i një kontrate të mirë në tregun spanjoll.

Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 16% për 8 mujorin, nga 20% në 5-mujor. Kjo ishte rritja më e ulët në krahasim me grupet e tjera të eksporteve.

Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes. Kjo vinte për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera.

Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.

Megjithatë në gusht, ritmet e rritjes u përshpejtuan, në 15%, nga 2.4% në korrik.

Makineritë e pajisjet në rritje pas shtimit të numrit të fabrikave

Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke u zgjerua me 43.6% për gushtin dhe 37% për 8 mujorin. Ky grup është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet. Por edhe ky sektor po vuan mungesën e fuqisë punëtore.

Thellohet deficiti tregtar

Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 328 mld lekë, duke u rritur me 41,0 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 607 mld lekë, duke u rritur me 24,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 280 mld lekë, duke u rritur me 10,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Sipas INSTAT, Në muajin Gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2021 janë: Itali (29,0 %), Spanja (411,2 %) dhe Gjermani (43,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (9,2 %), Maqedonia (5,9 %) dhe Kina (86,8 %).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (49,1 %), Kosova (6,0 %) dhe Gjermania (75,0 %) . Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (17,7 %) .

Në muajin Gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2021 janë: Turqia (29,7 %) Greqia (133,2 %) dhe Kina (46,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (7,0 %), Gjermania (19,4 %) dhe Austria (8,2 %).

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,8 %), Turqia (34,6 %) dhe Greqia (33,8 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (16,2 %), Rusia (18,1 %) dhe Zvicra (13,7 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 53,3 %, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 66,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 47,3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (18,7 %), Greqia (9,5 %), Turqia (8,9 %) dhe Kina (6,2 %).

Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59,7 % të gjithë tregtisë.

Në periudhën Janar – Gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,4 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,8 %), Turqia (8,1 %), Greqia (7,1 %) dhe Gjermania (6,3 %).

Eksportet rriten me 41% në tetë muaj

Eksportet rriten me 41% në tetë muaj

Eksportet rriten me 41% në tetë muaj

Eksportet rriten me 41% në tetë muaj