Ekskluzive: BE miraton konkluzionet, konferenca e anëtarësimit shtyhet për në mars

261
Sigal

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratojnë sot përfundimet për procesin e zgjerimit, pas publikimit të raporteve të radhës nga Komisioni Evropian.

Ndryshe nga projekt-përfundimet e mëparshme, propozimi i fundit i Presidencës gjermane nuk përmend me muajin dhjetor dhe shpresën për mbajtjen në këtë muaj të konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut. Por në dokumentin e siguruar nga Euronews Abania thuhet se ajo do të mbahet sapo të jetë miratuar kuadri negociues, dhe për Shqipërinë, pasi të jenë plotësuar dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje.

“Këshilli pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe – nëse plotësohen kushtet e vëna në përfundime e Këshillit të Marsit 2020 – me Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit negociues nga Këshilli”.

Presidenca gjermane nuk ka qenë aspak aktive këto gjashtë muaj për të shtyrë më tej dosjen e zgjerimit, dhe tashmë duket se është dorëzuar duke mos u përpjekur që konferencat e para të anëtarësimit të mbahen brenda kësaj presidence, por siç duket kjo gjë do t’i kalojë presidencës pasardhëse portugeze.

Ndërsa për Shqipërinë mbeten ende dy kushte për t’u plotësuar, të cilat priten të plotësohen në dhjetor, për Maqedoninë e Veriut është Bullgaria ajo që vijon të bllokojë me kërkesën për të përfshirë në kuadrin negociues zbatimin e Traktatit të Miqësisë mes dy vendeve.

Ndërkohë një tjetër zhvillim interesant nga këto përfundime të Këshillit është se për herë të parë është hequr fare Turqia, e cila deri më sot figuronte në të njëjtin grup të vendeve të zgjerimit, si vend kandidat. Një mesazh i qartë ky i BE-së për këtë vend, pas përplasjeve dhe provokimeve të fundit në Mesdhe me Greqinë dhe Qipron, dhe para ndërmarrjes së sanksiononeve nga ana e BE-së kundrejt Turqisë, në Samitin e ardhshëm të dhjetorit.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nëse kuadri negociues nuk miratohet në dhjetor, gjithçka shtyhet për këshillin e radhës të BE-së, i cili mbahet në mars nga presidenca portugeze.