Ekonomia e Eurozonës e prekur nga koronavirusi, BQE lançon paketën e emergjencës prej 750 miliardë euro

420
Sigal

Rreth 750 miliardë euro është paketa e emergjencës që ka lëshuar Banka Qendrore Europiane (ECB) për të qetësuar tregjet dhe për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Sipas paketës së emergjencës, Banka do të blejë borxhin e qeverive dhe kompanive në të gjithë Eurozonën, përfshirë edhe Greqinë dhe Italinë për të kundërshtuar ndikimin e vrisusit në ekonomi. Tregjet e aksioneve kanë pësuar një zhytje historike, ndërsa koronavirusi është përhapur në të gjithë botën.

Kjo paketë është shumë herë më e madhe se ajo që BQE lançoi javën e kaluar, një fond prej 120 miliardë euro.

“Kohët e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Nuk ka kufij në angazhimin tonë ndaj euros. Ne jemi të vendosur të përdorim potencialin e plotë të mjeteve tona, brenda mandatit tonë”, tha presidentja e BQE, Christine Lagarde.

Koronavirusi i cili u shfaq fillimisht në Kinë, tashmë është përhapur në të gjithë botën, ku epiqendra e tij e re është Europa.

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mbi 70 mijë raste të prekura çdo ditë, ndërsa krahina Hubei, ku koronavirusi u zbulua për herë të parë në dhjetor, nuk zbuloi asnjë rast të ri.