Dr.Eliona Lici: Muzika, faktor kënaqësie, edukimi dhe terapie

1190
Sigal

(Improvizojmë veprimtari të ndryshme me muzikë në periudhën e qëndrimit në shtëpi)

Në këtë shkrim, dua të ndalem mbi rolin e muzikës në arsim, kryesisht tek arsimi në përgjithësi dhe tek edukimi special në veçanti. Muzika, e njohur për vlerën e saj terapeutike, shpesh në shkolla përcaktohet dhe theksohet më tepër si veprimtari e procesit kreativ, shprehjes muzikore, dhe pëfshirjes në rrethin shoqëror. Aktiviteti psikomotorr dhe koordinimi i shumë shqisave, përmes fjalës, ritmit të lire, lëvizjes, këngës, shprehjes përmes instrumenteve muzikore, ofrojnë mundësi për lojë spontane krijuese, për të gjithë nxënësit, përfshirë këtu dhe ata me nevoja ndryshe .

Megjithatë kur bëhet fjalë për muzikën si lëndë brenda strukturës edukative ajo duhet të identifikohet si mësim në arsimin special. Meqënëse muzika është përjetim, njohja e koncepteve muzikore përmes përmbajtjes dhe përvojës artistike vjen më e natyrshme atëherë kur aplikimi bëhet konkret.

Qëllimi i mësimit të muzikës në Arsimin e Përgjithshëm nuk është i ndryshëm nga qëllimi që përcaktohet për mësimin e muzikës në Edukimin Special. Çështja që i kushtohet vëmendje është mënyra dhe strategjitë që duhen përdorur për të mësuar dhe për të përjetuar muzikë nxënësit me aftësi të kufizuar dhe nevoja speciale. Mbi këtë çështje studiues dhe autorë të ndryshëm shprehen se muzika nxit shumë qëllime jo muzikore, ofron qetësim, ul nivelin e stresit, rrit kreativitetin, stimulon imagjinatën, nxit lëvizjen, të menduarit, rrit artikulimin dhe zvogëlon shfaqjen e problemeve në sjellje (Holloway, 1980).

Ka shumë tregues se muzika dhe trajnimi pëmes saj ndikon dhe rrit funksionet njohëse (memorie, mendimin, kreativitetin) dhe ndërlidhet me njohjet dhe konceptet shkencore si ; matematikë dhe gjuhë (Yoon, 2000; Chase, 2004; Kartezian-2004; McMahon, Rose, Parks, 2004; Mc Mullen et al., 2007;). Paralelisht muzika  kontribuon dhe në zhvillimin e shkathtësive praktike që kanë të bëjnë me shprehjen e ndjesive, sjelljen bashkëpunimin dhe vetë-kontrollin (Greenwald, 1978; Kemmelmeyer & Probst, 1981 • Groeneweg et al., 1988 • Yoon, 2000 •Michels, 2001).

Muzika në Edukimin Special ndërlidhet me fushën e Pedagogjisë së specializuar, shkencës muzikore, psikologjisë muzikore dhe muzikoterapisë (Decker-Voigt, 1983).

Për këtë plan-programi i lëndës së muzikës dhe mësimi i muzikës për individët me aftësi ndryshe dhe të kufizuar duhet të përfshijë aktivitetet e edukimit muzikor në lidhje me muzikoterapinë me qëllim nxitjen dhe mbështetjen e nxënësit me të gjitha mundësitë që gëzon në vetvete dhe me të gjitha veçantitë e tij.

Një veprimtari merr vlerë për një nxënës apo student me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuara në rastin kur e ndihmon atë të fitojë autonomi, vetë-vendosje si në kontekstin e veprimtarisë artistike, po ashtu edhe në kontekstin shkollor dhe familjar. Në edukimin e përgjithshëm dhe atë special shkathtësitë shkencore konsiderohen të rëndësishme dhe artet bëjnë pjesë në veprimtaritë e lira kreative për kënaqësi, edukim dhe qetësi.

Mësimi i muzikës kontribuon gjerësisht, duke nxitur zhvillimin e fëmijëve pasi vet muzika rrit gjithanshëm zhvillimin e tyre. Mësimi i Muzikës mund të sigurojë një shumësi mundësish për stimulimin e të gjitha fushave të zhvillimit nëpërmjet veprimtarive të organizuara siç duhet.  Këshillohen këngë të caktuara që përmes tekstit përcillen njohuri për mjedisin, gjuhën dhe komunikimin, zhvillimin matematikor, motorrik dhe kultivimin estetik . Dalcroze besonte se muzika, ngaqë përmban melodi, ritëm, dinamikë, dhe shprehje, nxit menjëherë lëvizjen në trupin e njeriut. Kështu përmes  këtij mirëkuptimi  të thellë  që ekzistonte ndërmjet njeriut  dhe muzikës, sugjeroi ushtrimet lëvizëse  me qëllim që të sinkronizohen  lëvizjet e muskujve me reagimet nervore, dhe të harminizohet shpirti me trupin. Dalcroze, E.J.(1921) Rhythmus, Musik und Erziehung.  Disa nga Këngët për arsimin e përgjithshëm dhe për nxënësit me aftësi ndryshe që mund të praktikohen lehtësisht në shkollë dhe në shtëpi,“5 Majmuna të vegjël” https://www.youtube.com/watch?v=b0NHrFNZWh0 “Kënga e Alfabetit” , Kënga “Hapa Dollapa” https://youtu.be/QjSl8tHeQI4 “Old McDonald Had a Farm” shërbejnë për Fëmijët për të plotësuar sekuencat që mund t’i kenë të vështira  si dhe të përmirësojnë sintaksën pasi ndodh që  nuk vendosen foljet dhe fjalët funksionale (Buckley & Zogu, 2002; Turner & Alborz, 2003).

Sugjerimi për improvizimin e modeleve ritmike dhe luajtjen në instrumente shërben pasi koordinohen disa shqisa njëherazi.  Mund të përdorim (Body percussion) perkusion trupor, me shuplaka (të përdorim goditje rimtike me duar dhe këmbë) , në vend të instrumenteve që nuk mund t’i disponojmë këshillohet,  përdorimi i shisheve të vogla të ujit që mund të mbushen me 20 apo 30 kokrra fasule,  përdorimi i kupave, gotave plastike apo dhe lugë të supës që të krijojnë tinguj.

Por, për të zbuluar muzikën klasike, strukturën, krijojmë karaktere dhe përdorim të gjitha mundësitë e lëvizjes përmes saj. Mund të krijojmë “skena” të vogla në shtëpi, por edhe në shkollë duke përdorur edhe muzikën klasike si p.sh; Fëmijët veshin njërën dorë me doreza dhe përmes dëgjimit të aries “Habanera” nga opera Carmen, ndjekin lëvizjen e melodisë dhe gjatësisë së tingujve, sipas përjetimit të tyre, por duke përforcuar dhe koncepte si; intervalet, largësinë e tingujve, koronën, stakaton, legaton dhe shenjat e ngjyrimit. Nëse fëmijët janë dy dhe më tepër në familje mund të evidentohet dhe solisti që përcjell me aparatin dirigjorial (plastikën e duarve) shoqërimin e pjesës. Shoqërimi  i fragmenteve nga suita orkestrale “The Comedians” no.2 Galop Dmitry Kabalevsky, “La Raspa” duke e shoqëruar me shuplaka tek këmbët dhe  në pauzat e krijuara kalojmë te anëtarët e tjerë një top për të kuptuar dhe pushimin.

Përse na ndihmojnë modelet ritmike ?

Ritmika Terapeutike është një qasje shume dimensionale e cila imponon aktivizimin  e shqisës  të të dëgjuarit, të të parit, dhe të të prekurit. Në këtë mënyrë nxit fëmijën të zhvillojë perceptimet fizike. Ky lloj zhvillimi i fizikut të tij dinamizon mundësitë e aftësisë  të të shprehurit dhe të ndërveprimeve, vepron pozitivisht në ngurtësitë ose kontraktimet, dhe përgatit terrenin për përftimin e komunikimit verbal ndërmjet fëmijës dhe edukatorit terapist. Në këtë pikë nevojitet të nënvizohet se ndërthurja dhe përzgjedhja e ushtrimeve të ketë varësi nga nevojat e veçanta të grupit ose të secilit pjesmarrës. Pjesëmarrja në aktivitete muzikore nxit reagim, bashkëpunim dhe vetë-shprehje gjatë veprimtarisë, ndërsa përfshirja e nxënësve në prodhimin muzikor dhe riprodhimin tingëllor ndihmon mësuesin të identifikojë pikat e forta dhe të dobëta të nxënësve në një kontekst më të gjerë. Muzika duhet të mbështetet në vlerat kulturore të secili vend, dhe në të njëjtën kohë nxënësi të zbulojë muzikën e kulturave të tjera. Do të ishte me rëndësi, që në programin analitik t’i jepej më tepër rëndësi muzikës në kuptimin e saj më të gjerë si unitet i tingullit, lëvizjes dhe fjalës duke u bërë nxitëse si për qëllimet muzikore dhe për ato jo muzikore.

Bëni muzikë, rrisni imunitetin tuaj dhe të familjes! Mirëmbani shëndetin mendor dhe shpirtëror.  Aktivizoni mundësinë e pazbuluar ende në vetvete. Krijoni instrumente me goditje në shtëpinë tuaj.