Eduard Bejko: “Fillimisht, ndryshim rrënjësor në spital dhe shkolla”

918
Sigal

Flet për “Telegraf” deputeti i PS-së në Berat: “Qeveria do të bëjë realitet premtimet e dhëna”

Pas fitores së thellë të Partisë Socialiste beratasit i kanë hedhur sytë nga qeveria e re, pasi prej vitesh ata e kanë parë veten të braktisur nga qeveria e mëparshme, sepse në Qarkun e Berati prej 8 vjetësh nuk është investuar në asnjë drejtim. Kjo ka qenë arsyeja që ky qark votoi alternativën e Majtë, e cila është projektuar nga stafi i Kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama. Berati si bastion i së Majtës nuk është parë nga Berisha si një qytet që ka nevojë për zhvillim dhe meqenëse, Berati nuk i dha votat prej 20 vjetësh rresht në shenjë hakmarrjeje ai e braktisi atë. Kështu Berati u kthye në një nga zonat më të varfra në shkallë vendi, edhe pse kishte resurse të mëdha për të jetuar.

Premtimet

Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Socialiste me profesion mjek kirurg, Eduart Bejko është shprehur për gazetën “Telegraf” se, qeveria e re e drejtuar nga Edi Rama do t’i bëjë realitet të gjitha premtimet e dhëna. “Ne i jemi mirënjohës elektoratit tonë, i cili përsëri i dha votën të Majtës duke i thënë largohu Berishës. Dihet se Qarku i Beratit është lënë prej vitesh në pikë të hallit nga qeveria, por ne do t’i kthejmë buzëqeshjen qytetarëve të Beratit. Ne dimë ta mbajmë premtimin e dhënë parë elektoratit tonë. Ne do të ndërtojmë një infrastrukturë në parametra bashkëkohorë, ku prej vitesh Berati e ka pasur problematike. Bashkisë së Beratit jo vetëm që Berisha nuk i jepte fondin, por dhe ato, të cilat i takonte ja jepte të cunguar. Kjo gjendje e krijuar tronditi jo pak këtë qytet muzeal me resurse të mëdha në sektorin e turizmit. Qeveritarët në ikje vinin në Berat premtonin shumë gjera, por sa largoheshin, harronin se çfarë kishin premtuar. Ndërsa qeveria e re do të marrë të gjitha masat që të investojë për Beratin si në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë, turizëm etj.. Më tej Bejko është shprehur se do të punohet për hapjen e vendeve të reja pune, të cilat do të ndikojnë në zbutjen e varfërisë në këtë qytet e më gjerë. Do të bëhet një riorganizim në institucionet shtetërore, të cilat nuk kanë realizuar mbarëvajtjen e punës për një zhvillim të mëtejshëm, por kanë parë vetëm interesat politike dhe vetjake”, tha Bejko.

Ndryshimet në shëndetësi

I pyetur nga “Telegraf”, sesi a do të ketë ndryshime në spitalin e qytetit, Bejko u përgjigj: “Do të bëjmë një riorganizim në spitalin rajonal, që kur të sëmurët të vijnë për kurim, të mos mendojnë se në këtë spital nuk kanë për t’u kuruar. Spitali i Beratit ka një emër të madh, të cilin e ka krijuar me punë duke pasur në shërbim të tij, emra të mëdhenj mjekësh. Do të ketë një ndryshim rrënjësor edhe në sektorin e arsimit. Kur një student apo studente mbaron arsimin e lartë, të mos mendojë se sa do të paguajë për të filluar punë. Në punë do të futen të gjithë ata që e meritojnë dhe sipas ligjit”, -tha Bejko. Po kështu dhe në shumë institucione të tjera shtetërore, të cilat prej kohësh ishin kthyer në institucione tarifash do të ketë ndryshime. “Jemi përpara një situate zhvillimi në të gjitha sferat dhe këto ne do t’i realizojmë me sukses”, tha deputeti i PS-së, Bejko. Berati është një qytet shumë i bukur, është një qytet muze me një kulturë të lashtë dhe si tillë ai kërkon një interesim të madhe për zhvillimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave.