E trishtë, pacientët në gjendje të rëndë marrin ndihmën e parë në ambulanca-VIDEO-

214
Sigal

Pamja që ofronte urgjenca infektive këtë të martë, ishte kaotike. Një pjesë e madhe e të sëmurëve, janë trajtuar në autoambulanca, për shkak të mungesës së një shtrati. Teksa presin lirimin e një shtrati pacientët trajtohen në mjet nga stafi i urgjencës.

Të shumtë janë familjarët të cilët qendrojnë jashtë gardhit metalik. Pjesa më e madhe sapo kanë sjellë të afërmit e tyre në gjendje të rëndë, në pritje për t’i shtruar.

I sheh, me lot në sy, të mbështetur nëpër kangjella, me shpresën e marrjes së një lajmi të mirë.

Ky qytetar ka bashkëshorten në gjendje të rëndë. Sapo e ka transportuar me urgjencë. Është edhe vetë me Covid, por halli e ka bërë që të thyej karantinimin.

“Ka gjysmë ore që e kemi sjellë. Unë jam mirë. Si të bëj ta lë gruan të vdesë”, thotë ai.

Ndërsa kjo qytetare, ka pritur rreth 2 orë për të marrë sendet personale të babait, i cili u tranfesrua nga spitali infektiv tek covid 3. Pas insistimeve të shumta, stafi i dorëzon portofolin dhe një unazë floriri. Por përsëri nuk e fsheh revoltën.

Zyrtarisht ministria e shëndetësisë deklaron vetëm 3 shtretër të lirë në 4 spitalet COVID në kryeqytet. Ndërsa shtrimet ditore shkojnë mesatarisht në 50 pacientë. /abcnews.al