Dyshohet se furnizonte dyqane të ndryshme me kafe kontrabandë, arrestohet 39-vjeçari në Tiranë

118
Sigal

Një 39-vjeçar ra në prangat e policisë Tiranë pasi dyshohet se furnizonte dyqane të ndryshme, me pako me kafe, të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që furnizonte disa dyqane, me kafe të dyshuar të kontrabanduar, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Espresso”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Unazë të Madhe, automjetin me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 400 kg kafe të dyshuar të kontrabanduar, të ndarë në pako, me të cilat ky shtetas furnizonte disa dyqane, në zona të ndryshme të Tiranës. Sasia e kafesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 pajisje që shërbejnë për përpunimin e saj.

Shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale,”-njofton policia.