Durrës, përkujtohet 60-vjetori i themelimit të Teatrit Profesionist

842
Sigal

Drejtori i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Bashkim Hoxha kujton elitën e aktorëve ndër vite

Në qytetin e Durrësit është përkujtuar dita e 60-vjetorit të themelimit të teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Në hollin e teatrit në sfond, të të cilit ndodhej monumenti i aktorit me famë botërore me origjinë nga qyteti i Durrësit Aleksandër Moisiu u zhvillua një takim ceremonial jashtë klisheve, takim në të cilin janë përkujtuar të gjithë aktorët e parë të këtij teatri që kanë debutuar në shfaqjen e parë. Vepra teatrale që është vënë në skenë ka qenë vepra e shkrimtarit Fatmir Gjata, “Vajza nga Fshati” pjesë me tre akte dhe 4 tablo. Drejtori i Qendrës Kulturore të Durrësit, Bashkim Hoxha ka sjellë në vëmendje të pjesëmarrësve kontributin e madh që kanë sjellë në vite një elite aktoresh të shquar, të cilët zanafillën e startit të arritjeve të tyre artistike e kanë marrë pikërisht nga skena e teatrit durrsak. Hoxha e ka cilësuar privilegj mundësinë që i është dhënë për hapjen e ceremonisë së 60-vjetorit të teatrit “A.Moisiu” dhe ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata aktorë që sollën vlera të pashlyera në teatrin kombëtar. Mes të tjerash, drejtori i Qendrës Kulturore, Bashkim Hoxha foli për shfaqjen e parë të teatrit “Vajza nga fshati”, të shkrimtarit Fatmir Gjata e vënë në skenë nga Pandi Stillu, në të cilën kanë luajtur shumë aktorë që vunë bazat e trupës profesioniste “Aleksandër Moisiu”. I pari në sërën e debutuesve të shfaqjes së parë të këtij teatri ka qenë Lutfi Hoxha, të cilit, teatri “Aleksandër Moisiu” i dha një “Diplomë Mirënjohjeje të Teatrit” për kontribute të veçanta në skenën e teatrit në vite”. Ky titull akorduar atij, iu dorëzua nga Vangjush Dako, kreu i Bashkisë së Durrësit. Në fjalën e tij përshëndetëse aktori mjaft i emocionuar tha: “Më i ri ndihem se jam aktivizuar për 60-vjetorin. Do veçoja mbështetjen e shoqes sime të jetës, Nexhit, për mirëkuptimin, ka krijuar të gjitha konditat që unë të jem komod në punën time”. Lutfiu është aktori më i vjetër që vazhdon të debutojë ende në skenë. Në veprimtaritë që do të pasojnë 60-vjetorin e teatrit ai është aktivizuar në një rol të Shekspirit. Drejtori i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Bashkim Hoxha tha gjithashtu se, edhe pse 60-vjeçar, Teatri nuk ka ende statusin e tij si një institucion i pavarur, pasi është në varësi të Qendrës Kulturore. “Në fillimet e tranzicionet u shkri Qendra Kulturore me teatrin në një të vetme. Dhe për fat të keq teatri u la në dorën e dytë. Në të vërtetë duhet të jetë teatri dhe veprimtaritë amatore të vijnë rreth e qark profesionistëve”, tha Bashkim Hoxha.

PAK HISTORI

Trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit  mbushi 60 vite që kur ka dhënë shfaqjen e parë si një trupë e konsoliduar dhe që shënon historikun e 60-vjetorit që kur është krijuar. Studiuesit kanë sjellë në vëmendje se ky teatër nuk ka lindur në një tokë djerrë. Sipas tyre teatri në këtë qytet e ka zanafillën që në vitet e para të shekullit te 20-të. Më pas këto fillime u pasuan nga edhe nga shfaqje të tjera pas luftës së parë botërore, rreth viteve 1923-1924. Në fundin e viteve 40, teatri merr tjetër fytyrë. Nga viti 1945 deri në vitin 1953 u përgatitën 36 premiera, të cilat u shfaqen 281 herë, duke tërhequr 109.180 spektatorë. Angazhim ky që solli me pas natyrshëm krijimin e teatrit profesionist të Durrësit, më 11 janar 1953, i cili u pagëzua me emrin e aktorit të madh me famë botërore dhe origjinë shqiptare Aleksandër Moisiut. Në të kanë debutuar mjaft aktorë të shquar  e me talent, që bënë që ky teatër të vlerësohej mjaft në jetën artistike të vendit tonë dhe jashtë tij. Shumë prej tyre tashmë janë larguar nga jeta. Po kanë mbetur të gdhendur në kujtesën artistike të brezave për këtë kontribut që dhanë.

Certifikatë mirënjohje për aktorët e parë që dhanë shfaqjen e parë

Kolë Tafili

Llazar Murati

Meropi Xhoja

Ferial Mecule

Spiro Urumi

Semiha Ishmi

Vlash Kalavaci

Gaqo Spiro

Olimbia Liame

Margarita Gallani

Athanas Xhimitiku

Todi Thanasi

Bernardina Qeraxhija

Sotir Afezolli

Teodor Rupi