Durrës/ Korrupsion me pronat në ZRPP, pritet arrestimi i disa kryetarëve të komunave

1364
Sigal

Shkojnë në ndjekje penale tre punonjës, kanë grabitur e hipotekuar mijëra hektarë toka e prona

KLSH  ka zbuluar  një skandal me përmasa galopante që lidhet me grabitjen e mijëra hektarëve  me troje nga tre punonjës të ZRPP Durrës. Grabitja e trojeve është pjesë e një rrjeti zinxhir që kishte vite që vepronte në ZRPP Durrës, i lidhur me Kadastrën, komunat dhe bashkitë e qarkut. Tre punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës janë kallëzuar në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për dhjetëra shkelje ligjore në detyrën e tyre, ndër të cilat regjistrimi i 6000 m² tokë arë në fshatin Arapaj, aplikuar nga një person i vdekur 14 vjet më parë. Mbi bazën ë shkeljeve, KLSH njofton se, “ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish-regjistruesin B. L. të Durrësit, juristin D. Q dhe hartografen K. GJ., që në mos përmbushje të detyrës dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në vijim, KLSH i ka kërkuar kryeregjistruesit, zgjidhjen e kontratës së punës për juristin dhe hartografen. Ja disa prej shkeljeve të konstatuara, që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë auditimit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, për periudhën nga Janar 2012- Korrik 2014. Sipas raportit të KLSh, “në 282 raste në fshatin Shetaj dhe Lalëz Komuna Ishëm, fshatin Shkallnur, Arapaj dhe Likmetaj, Komuna Rashbull, janë regjistruar 436064 m2 tokë e llojit “arë” më tepër. Në 9 raste në fshatin Shetaj, Komuna Ishëm, janë regjistruar 68.201 m2 kur familjet bujqësore përfituese me AMTP, rezultojnë të kenë përfituar edhe më parë tokë bujqësore me AMTP. Në 1 rast në Zonën Kadastrale (ZK) 1204, fshati Bizë, Komuna Ishëm, është regjistruar një sipërfaqeje prej 10.500 m2, në zërin kadastral “arë”, sipas AMTP nr. 79/1, datë 12.02.2002 kur kjo sipërfaqe ekziston në zërin kadastral “P F” (tokë e pa frytshme).Në 17 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, janë regjistruar 1643 m2 sipërfaqe trualli e ndërtimi referuar listave emërore të ish-pronarëve për pronësinë e ndërtesës dhe trojeve por pa u disponuar asnjë dokumentacion për regjistrimin e tyre. Në 3 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, janë regjistruar tokë truall subjekteve juridike duke u lejuar shmangien e detyrimeve. Në 2 raste në ZK 8518, Urbane Plazh Durrës, ka rezultuar se është regjistruar një objekt “8 kate banim shërbim hoteleri” dhe “godinë banimi dhe njësi tregtare 6 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë me funksion garazh”, kur sipas akt kolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 252 m2. Në 1 rast në ZK 3385, Shkallnur, Durrës, është regjistruar një objekt “godinë banimi e shërbimi 8 + ½ + 1 kat shërbime + 1 kat garazh + papafingo”, kur sipas akt kolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 542 m2. Në 2 raste në ZK 8512 qyteti Durrës, janë regjistruar sipërfaqe trualli 512 m2 dhe ndërtimi 219 m2 pa u disponuar dokumentacioni i duhur ligjor mbi mënyrën dhe llojin e përfitimit të pronësisë. Burime nga organi akuzës thanë për gazetën “Telegraf” se, “tashmë ka nisur hetimi, nën akuzë do të jenë veç tre punonjësve të ZRPP Durrës, edhe disa kryetarë komunash, për të cilët ka fakte të pakundërshtueshme për  lidhje me rrjetin e korrupsionit, shpërdorim detyre, dhe grabitje të trojeve dhe pronave, shkatërrim të pronës shtetërore  e  private”. Nga hetimi pritet të dalin shumë emra të tjerë, ku hetuesit nuk përjashtojnë edhe lidhjet e të akuzuarve me zyrtarë të lartë e politikanë.

 Artur  AJAZI