Durrës, 5 000 banesa jashtë procesit të deklarimit për legalizim

616
Sigal

NUMRI ALARMANT/Banorët letër Kryeministrit, ku i kërkojnë rihapje të procesit të vetëdeklarimit

Në qytetin e Durrësit është folur për ndërtime të paligjshme në vijimësi dhe që vazhdojnë të ndërtohen. Këto ndërtime kanë filluar ose me saktë kanë pasur një impuls rritjeje sidomos në periudhë fushatash elektorale, por që janë rritur gradualisht. Në intervistat e ndryshme që janë dhënë si nga kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ashtu edhe nga Prefekti, Genc Alizoti është deklaruar se numri i banesave pa leje në qytetin e Durrësit arrin deri në 120-150 copë. Mirëpo nga baza e popullsisë rezulton se ky numër është shumë i lartë dhe madje me përmasa të paimagjinueshme, pas kaq viteve që po flitet për proces legalizimi. Dhe kur është ngritur një qendër e kompletuar me ekspertë siç është ajo e ALUIZNI-t. Në zonën e Kënetës ka rezultuar se janë shumë banesa jashtë këtij procesi.

Kërkesa

Kjo gjë ka shqetësuar drejtuesit e Shoqatës për Zhvillim të Komunitetit “Jeta e Re”, pasi numri i madh i banesave që kanë konstatuar ata në të gjithë zonën e tyre informale, por edhe të qytetit, është mjaft alarmant dhe mund të ketë pasoja sociale, sipas tyre nëse nuk do të zgjidhet me një rihapje të procesit të vetëdeklarimit për legalizim. Ata kanë bërë një letër drejtuar kryeministrit Berisha për të ndërhyrë që të zgjidh problemet duke i vënë në dukje se nga studimi i gjendjes që kanë bërë si Shoqatë në zonat informale të Durrësit dhe të qytetit, vërejmë se janë afërsisht objekte të pavetëdeklaruara dhe të përfshira në hartën dixhitale. Për këtë ata i janë drejtuar kryeministrit më kërkesën për të bërë ndërhyrje në ligjin e legalizimit me qëllim që të mbyllet me sukses kjo “ndërmarrje” jetike për qytetarët. Ata e kanë vlerësuar ligjin e legalizimit si një ligj që ka zgjidhur një mori problemesh sociale me ndryshimet demografike, kryesisht problemin e strehimit që ka qenë një problem shqetësues për të gjitha kohërat. Në kërkesën e Shoqatës “Jeta e Re” të nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i saj, Nikollë Prenga, është kërkuar se duke qenë se ekziston një numër i madh banesash rreth 5 000 ende të padeklaruara në proces legalizimit, që të rihapet procesi i vetëdeklarimeve për ndërtimet informale, ndërtesa dhe troje.

Shtyrja e afatit

Kërkesë tjetër që i është adresuar Kryeministrit Sali Berisha është që të shtyhet afati i legalizimeve për një periudhë kohe 3-vjeçare si dhe që tu jepen tapitë familjeve duke i u lënë atyre një afat kohor 4-vjeçar të shlyerjes së detyrimeve financiare dhe këto tapi të shërbejnë si garanci bankare për të tërhequr kreditë në bankat e niveleve të dyta. Një kërkesë të veçantë kanë edhe për riaktivizimin e letrave me vlerë në privatizimet. Në letër është theksuar se bonot e privatizimit dhe letrat me vlerë të shlyhen në mënyrë të menjëhershme sipas përqindjes së tyre të përcaktuara në ligjin e mëparshëm, sipas sipërfaqes së truallit.

AMNISTI FISKALE PËR SHTRESAT NË NEVOJË

Një kërkesë interesante në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha nga Shoqata “Jeta e Re” është edhe ajo e një amnistie fiskale në dobi të njerëzve në nevojë. Në letër thuhet se për familjet në nevojë , kategoritë sociale të zhveshura nga pronësimi si punëtore të sistemit të industrisë, shërbimit, e të rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e rendit kushtetues, të burgosurve politike të lënduar nga diktatura, të fatkeqësive natyrore si dhe të tragjedive të tjera njerëzore, të grupeve vulnerabël e të margjinalizuara në kushte të vështira jetese, të quhet fitore vetëstrehimi dhe tu falen të gjitha detyrimet financiare si amnistia më e madhe fiskale në dobi të njerëzve në nevojë.

SHKAQET E MOS DEKLARIMIT NË KOHË

Nënshkruesi i letrës Prenga thotë se, shkaqet e një sasie kaq të madhe banesash jashtë sistemit të legalizimit mund të kenë ardhur edhe për faktin se shumë vetë janë në emigracion ilegal jashtë shtetit, pa dokumente dhe në kushte të vështira financiare, por edhe se nuk kanë pasur mundësi që të vinin për të bërë dokumentacionin. Po ashtu ka pasur edhe persona që për shkaqe të nivelit arsimor e shumë problemeve të tjera të kësaj natyre nuk kanë pasur konceptin e rëndësisë së deklarimeve. Po ashtu që ka pasur edhe shumë raste me pleq e të pamundur si dhe kryefamiljarë me jetimë e të divorcuar, me shume fëmijë apo dhe ata me aftësi të kufizuar, që kanë ndikuar në këtë gjendje që paraqitëm.