Drejtori: Problemin le ta zgjidhë Rama

377
Sigal

Qytetari ankohet te “Bashkëqeverisja”, Drejtori i hipotekës: Problemin të ta zgjidhë Rama

Hipoteka e Durrësit sorollat prej 6 vjetësh qytetarin pa i dhënë zgjidhje, madje duke i ndryshuar dhe sipërfaqen e pronës së tij

“Fiks Fare” denoncoi veprimet e Hipotekës së Durrësit, e cila ka sorollatur një qytetar për më shumë se 6 vjet. 300 herë ka shkaur qyetari në sportelin e hipotekës së Durrësit dhe asnjëherë nuk i dhanë zgjidhje problemit të tij. Në fund, qytetari ankohet në Platformën e Bashkëqeverisjes, e cila pas verifikimit gjen shkelje dhe urdhëron shkarkimin e një punonjësi të hipotekës. Por, edhe pas kësaj mase, qytetari vijon të sorollatet. Ai shkon të pyesë për problemin e tij, por tashmë është bërë i “famshëm” në këtë zyrë, teksa të gjithë punonjësit nuk i japin zgjidhje. Madje, as drejtori, i cili i thotë se “meqë u ankove te Rama, le ta zgjidhë Rama (kryeministri)”. Ndërkohë, për punonjësin e larguar nga Bashkëqeverisja, drejtori i thotë se nuk e shkarkoi, por ai punonjës iku vetë se “filloi mallin (drogën)”.  Në “Fiks Fare” u ankua Albert Doda, nga fshati Draç në Njësinë Administrative Ishëm në Durrës, i cili tha se familja e tij ka trashëguar një pronë prej 6600 metra, e cila ndodhet në krahun e bregut të detit. Prona është përfituar në vitin 1991 nga babai i denoncuesit. “Në vitin 2011, babai ndërron jetë dhe bëj aktin e trashëgimisë. E dorëzojmë në hipotekë. Shkojmë të pyesim në hipotekë dhe më thonë se prona është 7300 metra. Por në AMTP është 6600 metra tokë arë dhe 300 metra truall. Certifikata është nxjerrë 700 metra mbi akt. Më kanë hequr 100 metra te shtëpia dhe më kanë shtuar 700 metra në tokën arë” thotë Alberti. Më tej shton se nuk i intereson se kush do ta marrë atë 700 metërsh, le ta mbajë shteti, por familja e tij të përfitojë aq sa ka trashëguar.

“Kam shkuar mbi 100 herë në hipotekë me ankesa me shkresa. Kam bërë rreth 20 ankesa te Zyra e Bashkëqeverisjes. Më kanë thënë që dorëzojini dokumentet në bashki. U kam thënë që të gjitha dokumentet i kam dorëzuar në këto institucione, rakordojeni. Ka bërë letërkëmbime hipoteka me prefekturën. Portali thotë se letërkëmbimi mes këtyre institucioneve nuk ka funksionuar dhe është marrë masë ndaj një punonjësi me largim nga puna. S’më intereson largimi i punonjësit, por vetëm zgjidhja e çështjes” thotë Alberti.

Pas denoncimit, qytetari shkon në Hipotekën e Durrësit. Në sportel takon një punonjës, i cili i thotë që në 4 vjet janë ndërruar mbi 10 regjistrues. Ndërkohë, i thotë që s’di si të veprojë, pasi ai vetëm 1 vit ka. Pasi nuk i jep zgjidhje, e pyet sa afër është toka me detin, pasi është një shoku i tij që kërkon tokë. Por, pasi nuk i jep zgjidhje, e orienton të takojë drejtorin e Hipotekës së Durrësit.

Qytetari shkon në zyrën e drejtorit dhe fillimisht flasin për ankesën që qytetari i ka dërguar Zyrës së Bashkëqeverisjes. Alberti i thotë drejtorit se ka marrë një përgjigje, por jo nga Hipoteka por nga zyra e Bashkëqeverisjes, madje është marrë një masë administrative për një punonjës të hipotekës, që është larguar nga puna. Drejtori i përgjigjet se “Erald Rexhepi filloi mallin ore. Iku kot, vetë”, ndërsa punonjësit e tjerë qeshin. Në vijim të bisedës, pasi qytetari i tregon të dyja problematikat, drejtori e pyet sërish për emrin dhe i thotë se kur e çon te zyra e Bashkëqeverisjes s’mund të t’ia zgjidhë çështjen hipoteka. “Ti përmend emrin, nuk mund të mbarosh dot punë. Do shkosh ta zgjidhësh atje. Se ti ke shkuar atje. Tashti unë përgjigjen e kam çuar atje. Ti dhe shkruan te Rama dhe vjen këtu do me hap letrat, ja kam çuar letrat Ramës!” i thotë në fund drejtori, pa i dhënë zgjidhje qytetarit.

Një ditë pasi takon specialistin dhe drejtorin, qytetari shkon sërish në Hipotekën e Durrës për të pyetur, nëse është gjendur apo jo dosja. Ai takon një tjetër punonjës që i thotë se mund ta kishte zgjidhur fare mirë me punonjësit (të mos ishte ankuar). Qytetari shkon edhe në Prefekturë, te Komisioni i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë. Një punonjëse i thotë se komisioni është shkrirë dhe pas datës 31 dhjetor 2018 nuk funksionon më, megjithëse ende nuk ka hyrë në fuqi ligji për kadastrat, që do të mbledhë bashkë disa drejtori nga Prefektura, Bashkia, Aluzini, Hipotekat…

***

ZVRPP Durrës

Qytetari – Ke kohë për mua Bled?

Specialisti – Sa të duash, për ty!

Qytetari – Sa herë kam ardh?

Specialisti – 300 herë.

Qytetari – Që në 2013-n o Bled! Ajo është e regjistrimit fillestar.

Specialisti – Unë 1 vit kam filluar punë o burrë, ti 2013-ën. Të kisha qenë që në 2013-ën këtu, kush e di ku do ishe tani.

Qytetari – Kam 3-4 kërkesa, që ua ka bërë juve komisioni dhe ju s’i keni kthyer përgjigje. Këtë përgjigje ma ka sjellë Zyra e Bashkëqeverisjes.

Specialisti – Që e kemi çuar ne?

Qytetari – Që ju s’keni çuar plotësim dokumentacioni.

Specialisti – Kujt?

Qytetari – Komisionit të Verifikimit. Dhe për këtë arsye.

Specialisti – Është marrë Armanda me këtë.

Qytetari – Dhe për këtë arsye thotë është marrë masa administrative që  një punonjës është larguar.

Specialisti – Po, që ka ikur nga puna.

Qytetari – Nuk është zgjidhje ajo që largon nga puna.

Specialisti – Jam dakord me ty te kjo pjesë. Iku. Në këtë moment që flasim ne që Komisioni i Titujve të Pronësisë nuk ekziston, ku do ta çojë kthimin e përgjigjes. Ma thuaj tani.

Qytetari – Po deri tashti, ju keni thënë që e keni çu.

Specialisti – Ju, ore përgjegjësia nuk bie mbi mua …

Qytetari – Po mirë mo burrë, ju si zyrtarë.

Specialisti – Ku do ta gjesh arkëtaren, se ti më thua e 2014-ës, 2015-ës, 2016. Këtu për 4 vjet janë ndërru 10 regjistrues.

Qytetari – Dje më the që shko te komisioni.

Specialisti – Po pra, dje të thashë që ia kanë çuar komisionit këto.

Qytetari – Po ajo tjetra Bledi.

Specialisti – Po Bobi.

Qytetari – Që duhet të heqim dorë nga 700 metërshi.

Specialisti – Atë po e kontrollojmë, se ti tashti… Ta thash edhe dje. Një tru është ky, një është.

Qytetari – Po mirë mo mirë.

Specialisti – Unë 3 të kem si puna jote e humb fare. E humb. Ta them shumë seriozisht, jo kështu për të keq. E humb. Sa larg e ke detin?

Qytetari – Afër është nga deti, afër.

Specialisti – Po sa larg është po të pyes?

Qytetari – 20 metra.

Specialisti – Se do njëri me ble tokë prandaj.

Qytetari – Me ble?

Specialisti – Po, për Zotin po. Ty s’të mbushet mendja, s’po tallem o burrë. E do një shoku jonë që punon te ALUIZNI. Sa janë këtu, 6 dynymë, 7 dynymë?

Qytetari – 6600 metra pra.

Specialisti – Fiks qenka pra. Pse s’futesh te Ardi njëherë.

Qytetari – Ëëë?! Kush është Ardi?

Specialisti – Te drejtori.

Qytetari – Bile, bile e kishit vu është ky çuni i Portalit, që ka bërë ankesat.

Specialisti – Jo 1 herë, 10 herë.

Qytetari – 10 ankesa.

Specialisti – Të thashë unë që i thash ka ardh Berti asaj gocës, tha ku është, ku është ta shoh!

Qytetari takon drejtorin e ZVRPP, Durrës

Qytetari – Kam aplikuar që në 2013-ën.

Drejtori – Po.

Qytetari – Për regjistrimin e aktit të trashëgimisë.

Drejtori – Kush, Albert Doda?

Qytetari – Albert Doda.

Drejtori – Ato që i keni shkrujt Ramës, e këtyne.

Qytetari – Të gjithëve.

Drejtori – Po s’mbarohet ajo, s’bëhet. Për cilën e ke bërë ankesën o vlla?

Qytetari – Unë kam bërë kërkesën për regjistrimin e aktit të trashëgimisë për pronën që ka qenë e regjistruar në emër të babës. Hiq dorë thotë hipoteka nga 700 metra. Kam hequr dorë me deklaratë noteriale. Kam rakorduar sipërfaqen që në 2013-ën.

Drejtori – E more përgjigjen nga KV-ja që ky akt është në rregull, ku di unë?

Qytetari – Jo.

Drejtori – Po atë po të them. Ma sill atë, hajde merr nesër certifikatën.

Qytetari – Po s’kam si marr përgjigjet o burrë i dheut, se ju komunikoni zyrtarisht me zyrën lart.

Drejtori – Po mirë dakord. Kur të na japin ato përgjigjen, ne do të japim certifikatën.

Qytetari – Po ato thonë që s’na kanë prurë përgjigje. Bile, bile është marrë edhe masë administrative për një punonjës këtu.

Drejtori – Po ti si ka mundësi, beson ata dhe s’më beson mua, që kam çuar 4 herë shkresë.

Qytetari – Atëherë me çfarë shkaku qenka larguar ai punonjës nga puna?

Drejtori – Kush punonjës more, s’kam larguar ndonjë nga puna!

Qytetari – Mua më ka ardhur përgjigje nga Zyra e Bashkëqeverisjes, që për këtë arsye, korrespondenca midis Prefekturës dhe Hipotekës nuk ka funksionuar dhe për këtë arsye është marrë  masë administrative për Erald Rexhepi, diçka e tillë.

Drejtori – Erald Rexhepi filloi mallin ore. Iku kot, vetë. (Punonjësit qeshin)

Qytetari – Po ideja është që ai akt qenka problematik, në prokurori. Po ky tjetri që është regjistruar o burrë. Tashti unë…

Drejtori – Një akt i ka të gjitha?

Qytetari – Jo, janë me dy akte të ndryshme.

Specialisti – Janë dy akte të ndryshme. Një të parin që e ka regjistru, atë do ky.

Drejtori – Po shife çik oo.

Specialisti – Po qe ashtu të marri këtë.

Qytetari – Dhe vjet më kanë thënë që nuk gjendet dosja, ka humbur dosja.

Specialisti – Po s’të kam thënë as unë, as shefi.

Qytetari – Atëherë në të kundërt, unë të marr dosjen nga fillimi, të heq dorë nga aplikimi. Nuk e di çfarë të bëj. Ça duhet të bëj.

Drejtori – Ça duhet të bëjë?! Ti je vetë Alberti?

Qytetari – Po unë jam Alberti. Jam bërë i famshëm këtu.

Specialisti – Ti ke bërë mjaftueshëm, se çdo gjë e jotja ka shkuar atje te portali.

Qytetari – Jo, jo dakord. Të gjitha dokumentet që kam dorëzuar mund t’i hapim në tavolinë.

Drejtori – Si hap dot sot në tavolinë. Kur e çon atje dhe thua s’më mbaron punë hipoteka, përmend emrin, nuk mund të mbarosh dot punë. Do shkosh ta zgjidhësh atje. Se ti ke shkuar atje. Tashti unë përgjigjen e kam çuar atje. Ti dhe shkruan te Rama dhe vjen këto do me hap letrat, ja kam çuar letrat Ramës!

Qytetari shkon të takojë një përgjegjëse

Specialisti – Ky është Albert Doda që është i famshëm në zyrën tonë.

Përgjegjësja – Ça thua re! Ky është Albert Doda, e prisja për moshë më të madhe.

Specialisti – Hahahaha.

Qytetari – Nuk ka të bëjë mosha.

Përgjegjësja – A thua?!

Specialisti – Ka të bëjë intelekti.

Përgjegjësja – A thua, s’ka të bëjë mosha?!

Vazhdon të sorollatet

Qytetari – O Bled, ça të bëj unë o Bled?

Specialisti – Lëviz, ik. Ik, se flasim bashkë.

Pas 1 ore

Qytetari – A vonohet.

Specialisti – Tu kërku (dosjen) jemi.

Qytetari – Sa do vonohet?

Specialisti – Ta gjejmë, ato mund të vonohen sa të duash.

Qytetari – Po të pres unë, ça?

Specialisti – Po prit një çik. Prit nja 10 minuta. Se duhet të verifikojë dhe tjetrën, është relacioni…

 

 

Dita 2, sërish në ZVRPP Durrës

 

Qytetari – Unë isha edhe dje edhe fola me Bledin, po kërkohej dosja ime, se ka ca kohë që nuk gjendet.

Specialisti 2 – Me ça emri?

Qytetari – Albert Doda. Kam bërë një aplikimin që në 2013-ën o burrë i dheut. Që në 2013-ën, hiq dorë nga 700 metra. E kam hequr dorë me deklaratë noteriale. Edhe Bledi e di shumë mirë, edhe ju e dini shumë mirë sa herë jam paraqitur unë këtu në sportel.

Specialisti 2 – Unë po të flas sikur i flas fëmijës tim. Për mu bëj ça të dush. Mua nuk më ashtu dot. Asnjë gjë nuk më gjen. E kupton? Por, e kam dëgjuar emrin në qarkullim edhe po të flas si fëmijë kësaj radhe, jo si aty qytetar që je. Po si fëmijë po të flas që e kishe zgjidhur shumë mirë me punonjësit këtu.

Qytetari – Po me punonjësit, me punonjësit jam këtu duke fol.

Specialisti 2 – Prandaj po të them, tako Bledin. Ishalla po ta mbyll tani të mbyllësh hesapet.

 

Qytetari shkon në Prefekturë

 

Qytetari – Kërkoj ndonjë nga këta punonjësit e Komisionit.

Punonjësja – S’ka asnjë.

Qytetari – Ëëë?

Punonjësja – S’janë më ata. Për çfarë i kërkon?

Qytetari – Kam aplikuar në hipotekë për regjistrim fillestar…

Punonjësja – Janë mbyllur fare, që më 31 dhjetor u mbyll si komision fare.

Qytetari – Se ata të hipotekës thanë ia kemi dërgu komisionit të verifikimit për miratim.

Punonjësja – Ata i kanë bërë dorëzimet të gjitha.

Qytetari – Ku i kanë dorëzuar ato?

Punonjësja – Thjeshtë në protokoll, po që nuk është se punojnë më. Që pas 31 dhjetorit.

Qytetari – Nuk funksionon më ky komision?

Punonjësja – Ncncnc fare.

Qytetari – Si do procedohet?

Punonjësja – Do bëjnë një tip agjencie që do i mbledh të gjitha. Do i bashkojnë Hipotekë, Aluizni. Do i bëjnë një në të gjithë.

Qytetari – Po do kohë kjo të bëhet, apo?

Punonjësja – Tani.

Punonjësja 2 – Tani përgjegjësja jonë, s’e besoj se do të dojë shumë.

Qytetari – Se normalisht duhet të hapet agjencia fillimisht pastaj të mbyllet (komisioni).

Punonjësja – Ne kështu i kemi.

Qytetari – I fillojnë mbrapsht gjërat.

Punonjësja – Nuk di ça të them.