BE është gati për brexit, pritet qartësi nga Londra

419
Sigal

Rreziku i një Brexit pa marrëveshje është rritur gjatë javëve të fundit, tha të mërkurën komisioneri europian i Çështjeve Ekonomike, Pierre Moscovici.

Duke folur për agjencinë Reuters nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Moscovici shtoi se i takon palës britanike për të marrë vendimin përfundimtar.

“Sigurisht Bashkimi Europian është këtu dhe gati, por së pari ne duhet të dimë me qartësi se cilat janë qëllimet e palës britanike dhe duhet të kemi qartësi nga Londra. Porta është e hapur për bisedime dhe natyrisht tani topi është në anën e Britanisë. Ky problem nuk mund të zgjidhet në Bruksel.”

Britania pritet të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian më 29 mars, por deri tani parlamenti në Londër e ka refuzuar planin e arritur nga kryeministrja Theresa May.

Mosmarrëveshjet në Londër dhe frustrimi i dukshëm i qeverisë po merret me sportivitet në Bruksel. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, perifrazoi një këngë të njohur të Spice Girls, kur iu përgjigj gazetarëve: Britania duhet “të na thotë se çfarë do, se çfarë do në të vërtetë”.

“Marrëveshja e tërheqjes mes qeverisë britanike dhe “7 vendeve të BE-së është mbi tryezë dhe nuk mund të rinegociohet. Ne presim që Britania e Madhe të na thotë se çfarë do, se çfarë do në të vërtetë”.

Problem nuk është vetëm marrëveshja.

Kryenegociatori europian, Michel Barnier në një intervistë të publikuar në disa gazeta europiane, shton se britanikët do të duhet të zgjidhin edhe çështjen e faturës së divorcit me BE-në edhe në rastin e një Brexit pa marrëveshje.